Simptomat e sëmundjes së Alzheimerit te shumica e pacientëve zhvillohen ngadalë gjatë disa viteve. Simptomat mund të mos vërehen në stadet e hershme të sëmundjes. Ndonjëherë, anëtarët e familjes fillojnë t’i kuptojnë ndryshimet vetëm kur shikojnë në të kaluarën.
Simptomat më të shpeshta të sëmundjes Alzheimer përfshijnë:
- Dëmtim i kujtesës dhe të menduarit. Personat e kanë vështirë të mbajnë mend gjërat ose të mësojnë informata të reja. Në fazat e mëvonshme të sëmundjes ndodh humbja afatgjatë e kujtesës, që do të thotë se personi nuk mund t’i mbajë mend informatat personale, si vendin e tij/saj të lindjes, profesionin ose emrat e anëtarëve të ngushtë të familjes.
- Çorientim dhe konfuzion. Njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund të humbasin kur dalin vetëm dhe mund të mos jenë në gjendje të mbajnë mend ku janë ose si të shkojnë diku. Ata mund të mos i njohin vendet dhe situatat e mëhershme familjare. Ata po ashtu mund të mos i njohin fytyrat e familjarëve ose të dinë se çfarë dite e javës është, ose madje edhe cili vit është.
- Vendosja e gjërave gabimisht. Personi mund të harrojë se ku i vendos gjërat që i përdor çdo ditë, si gotën, çelësat, telefonin, etj. Personi mund po ashtu t’i vendosë gjërat në vende të gabuara, si për shembull gotat në frigorifer.
- Mendime abstrakte. Njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund ta ketë më të vështirë se zakonisht t’i bëjnë disa gjëra, si llogaritjet e pagesave. Për shembull, ata mund të harrojnë se çfarë nënkuptojnë numrat dhe çfarë duhet bërë me ta.
- Probleme në realizimin e detyrave familjare. Personat fillojnë ta kenë të vështirë të kryejnë obligimet ditore si të ushqyerit, veshja ose pastrimi. Edhe planifikimi i detyrave ditore po ashtu është i dëmtuar.
- Ndryshime në personalitet dhe në sjellje. Personi bëhet i zemëruar, i irrituar, nervoz ose i qetë në mënyrë të pazakonshme. Me kalimin e kohës, njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund të bëhen të hutuar, paranoik ose me frikë.
- Vlerësim i dobët ose i ulur. Njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund të largohen nga shtëpia në një ditë të ftohtë pa gëzof ose këpucë, ose mund të shkojnë në shitore të veshur me pizhame.
- Paaftësi për të ndjekur udhëzimet. Personat me këtë sëmundje e kanë të vështirë të kuptojnë komandat ose udhëzimet e thjeshta. Personi mund të humbasë me lehtësi dhe të fillojë të endet.
- Probleme me gjuhën dhe komunikimin. Personat nuk mund t’i thonë fjalët, emrat e objekteve (edhe ata të cilët janë shumë të njohur për ta, si për shembull lapsi), ose të marrin vesh kuptimin e fjalëve të zakonshme.
- Aftësi të dëmtuara vizuale dhe hapësinore. Personat humbin aftësinë hapësinore (aftësinë për të vlerësuar format dhe madhësitë dhe raportin e objekteve në hapësirë), dhe nuk mund t’i rendisin gjërat në një formë të caktuar ose të njohin format.
- Humbje e motivimit ose iniciativës. Njerëzit me këtë sëmundje mund të bëhen shumë pasiv dhe kanë nevojë për shtytje për t’u përfshirë dhe ndërvepruar me të tjerët.
- Humbje e orarit normal të gjumit. Personat mund të flenë gjatë ditës dhe të qëndrojnë zgjuar gjatë natës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.