Shikoheni, pëlqeheni, lini një takim. Nga një takim i parë mund të shpërthejë një histori e bukur… ose asgjë. A është e mundur ta kuptojmë menjëherë?
Adriani 36 vjeç, prej 6 muajsh i ndarë, njihet me Anjën, 33. Një drekë mes kolegësh të tjerë, një shkëmbin batutash, një tërheqje e veçantë, dëshirë për të vazhduar bisedën edhe më tej dhe për t’u parë sërish… Takimi vetëm për vetëm, të nesërmen për darkë. Çfarë do të ndodhë? Do të jetë një lidhje që ia vlen të jetohet? Apo përkundrazi? Mirela tregon se kur u njoh në fillim me Armirin, ishte një magji e vërtetë. Menjëherë mendoi se ishte burri ideal, por nuk kish mundur të deshifronte heshtjen e tij të herëpashershme. Më vonë e mori vesh se ai ende e kish mendjen te ish e fejuara me të cilën qe ndarë tashmë prej kohësh. Dyshimet dhe pasiguritë se si duhet të interpretojmë atë që tjetri thotë, sidomos në fillim të njohjes, janë të shumta. Ama janë disa sinjale të përcaktuara që duhet t’i kapim për të vlerësuar nëse një takim i ka apo jo shanset për t’u bërë një marrëdhënie serioze.
Të provosh ndjeshmërinë Së pari ka ndryshim mes rastit kur fillon të dalësh me një person ndërsa ke kohë që e ke mbyllur lidhjen paraardhëse dhe kur lidhjes së shkuar sapo i ke dhënë fund dhe ende ish-i nuk ka dalë tërësisht nga mendja jote. Megjithatë, faza e rënies në dashuri është e mbushur plot me pritshmëri. Për më tepër, sa më shumë tjetri shpreh ose manifeston diçka që ne do të donim ta kishim tonën, aq më shumë ushqehet tërheqja. Kështu që edhe gjestet e vogla, që në kushte të tjera nuk do të kishin vlerë, mund të bëjnë një përshtypje të thellë. Vlen të lexohen sidomos mesazhet e lëshuara në mënyrë të pandërgjegjshme. Ja një rast për ta ilustruar. Sara thotë: “Gjithnjë kisha menduar se një raport mund të funksiononte vetëm nëse ekzistonte një tërheqje shumë e fortë. Dhe meqë ishte kështu, në fillim shpërfillja shumë sinjale që më thoshin se njeriu që kisha përballë, që më pëlqente fizikisht, ishte shumë egocentrik dhe narcizist. Më në fund mendova: mjaft duke folur për vete, le të flasim njëherë edhe për mua… Më vonë takova Sandrin. Dhe u çudita kur vura re se me pyeste për punën, për gjërat e mia. Ky ishte sinjali i parë që më bëri të kuptoj se mes nesh do të kishte shkëmbim idesh dhe dëshirash”. Sinjalet e regjistruara nga njerëzit në fillimet e lidhjeve të tyre që Sinjale të pagabueshme vazhdojnë mirë janë të njëjta në mos të ngjashme…
Të pasqyrohesh te tjetri Një sinjal i mirë për të kuptuar nëse një lidhje mund të zgjasë është kur fillojmë të shkëmbejmë mendime. Shembull: Nëse njëri fillon e flet rreth pasionit për malin, tjetri, edhe pse s’e ka të njëjtin pasion, përgjigjet me fjalë të ngjashme… kjo është një dëshmi e përpjekjes për të hyrë në hartën e realitetit të njeriut që ka përballë. Ndjeshmëria nuk nënkupton barazi. Njërit mund t’i pëlqejë të shëtisë në rrugica parku, tjetrës në rrugët e dyqaneve të modës. Pra, nuk ka pika përkimi, por e rëndësishme është që të mos ndërpriten argumentet ashpërsisht. Nëse dy të saponjohur janë duke shëtitur së bashku, është e patoleshueshme që njëri syresh, ai që nuk e pëlqen pikërisht shëtitjen, të fillojë të flasë në celular për 5 minuta të gjata. I rëndësishëm është edhe tonaliteti emotiv. Pra, nëse njëri është i trishtuar, tjetri duhet të sintonizohet me gjendjen shpirtërore të të parit. Ky është një sinjal i mirë. Shembull: Aida thotë: “Ishte një periudhë që ndihesha e hutuar. Arsye pune. Por Iliri donte të shkonim për të kërcyer…”. Epo, një rast i tillë nuk është sinjali i duhur. Duket që për partnerin mashkull në këtë rast, gjendja emotive e partneres nuk ka rëndësi. Ja një rast që ilustron sinjalin pozitiv: “U takuam në një festë miqsh të përbashkët dhe ai ishte i vetmi që kuptonte batutat e mia. U takuam sërish pas dy ditësh, kësaj here të dy, pa praninë e të tjerëve. Unë vazhdova me batutat dhe bisedën e kthyem në një lojë argëtuese, unë e filloja dhe ai i mbaronte fjalitë e mia”… Me dy fjalë: marrëdhënia është si puna e dancit, nëse njëri duhet të bëjë një hap, edhe tjetri duhet ta ndjekë ose më mirë të bëjë njëkohësisht të njëjtin hap.
Të pranosh edhe defektet Mundesh që të marrësh shumë sinjale pozitive që do të të bënin të mendoje se lidhja do të vazhdojë gjatë. E thënë ndryshe, keni shumë pika përkimi. Por nuk duhet harruar asnjëherë një pyetje për t’ia bërë vetes: a do ta pranoja tjetrin edhe nëse do të kishte diçka që nuk do të më pëlqente? Aspektet negative ekzistojnë gjithnjë e nëse nuk i shikoni duhet të ketë një problem perceptimi. Ndaj, më parë duhet të pyesim veten: Si e mendoj lidhjen me të? A dua që të zgjasë? Nëse po, do të funksionojë vetëm nëse, duke vlerësuar ndjeshmërinë individuale do të mund të pranoj edhe ato që quhen dobësi të tjetrit.
5 SHENJA DOMETHËNËSE
Sinjalet që paralajmërojnë një zhvillim pozitiv të takimit:
U përgjigjet pyetjeve tona duke përdorur të njëjtat fjalë
Kërkon një terren të përbashkët fjalësh
Interesohet për çfarëdolloj bisede pa ndryshuar argument
Është i sintetizuar me tonin tonë emotiv
Bën lëvizje që u korrespondojnë tonave, nëse ne u përgjigjemi të tijave
Botuar në revistën Psikologji, nr 39
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.