Aktualitet

January 16, 2024 | 7:38

Situata aktuale e korrupsionit në Shqipëri

 

*Nga Marsida Grami

 

Vitet e fundit Shqipëria ka bërë progres në lidhje me luftën kundër korrupsionit duke punuar dhe përmirësuar ndjeshëm kuadrin ligjor dhe institucional. Ndër të tjera, Shqipëria ka aderuar në të gjitha konventat ndërkombëtare që luftojnë korrupsionin, mund t’i referohemi veçanërisht Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC), duke u fokusuar veçanërisht në kapitujt II dhe V në lidhje me parandalimin e korrupsionit dhe rikuperimin e aseteve. Legjislacioni shqiptar e kategorizon korrupsionin si një krim serioz dhe si i tillë po merren disa masa madhore për ta luftuar.

korrupsion

Një shtysë të madhe jep dhe fakti që Shqipëria është bërë pjesë e Iniciativës Rajonale Anti-korrupsion (RAI), bashkëpunon me Rrjetin e Autoriteteve për Parandalimin e Korrupsionit (NCPA) dhe me Rrjetin Anti-korrupsion të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore (CAN/OECD), pjesë e projektit rajonal në kuadër të UNODC dhe e Partneritetit të Hapur Qeveritar (OGP) që prej vitit 2011. Reforma në drejtësi ka shënuar një etapë të rëndësishme në fillimin e një rrugëtimi më të plotë institucional dhe ligjor në luftën kundër korrupsionit, duke përmirësuar ndjeshëm hetimin dhe gjykimin e rasteve korruptive apo ato të sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale në lidhje me korrupsionin. Gjithashtu ngritja e një strukture gjithëpërfshirëse institucionale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e përbërë nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Gjykimin e Çështjeve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroria e Posaçme e cila është plotësisht funksionale dhe e pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme, shënjon një tjetër hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Në kuadrin institucional, një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit luajnë Prokuria e Posaçme Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe procesi i vetingut, për sa i përket korrupsionit në nivelet e larta drejtuese. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe roli i rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion i cili ka një shtrirje horizontale dhe mbulon kështu në një trajtë më të gjerë rastet e mundshme korruptive. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit nënkupton një përfshirje shumë më të gjerë aktorësh shtetërorë, por jo vetëm, të cilët janë përgjegjës për ruajtjen e integritetit, transparencës dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek drejtësia, duke filluar nga të gjitha gjykatat, komisionet e posaçme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroritë, Gjykatat, Shoqëria Civile, etj. Disa nga prioritetet aktuale strategjike të vendit në luftën kundër korrupsionit janë parandalimi i korrupsionit përmes sistemeve transparente dhe të përgjegjshme të qeverisjes; rritja e performancës së të gjitha strukturave përgjegjëse për ndjekjen, hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit dhe rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe edukimi i të rinjve për t’u angazhuar në mënyrë proaktive në luftën kundër korrupsionit. Të gjitha sa më sipër lidhen gjithashtu ngushtësisht me parimet dhe objektivat e vendosura nga Bashkimi Evropian në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit, nga ku Shqipërisë i burojnë shumë detyrime, pasi çështjet e antikorrupsionit trajtohen në kapitullin më të rëndësishëm bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit, Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Me të gjithë zhvillimet pozitive që ka vendi në këtë drejtim, ka ende shumë punë përpara për të arritur standardet e Bashkimit Evropian. Kuadri legjislativ dhe institucional i Shqipërisë për anti-korrupsionin është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së. Në përgjithësi, masat kundër korrupsionit kanë një ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht vulnerabël. Shqipëria duhet të trajtojë kompleksitetin e lartë të kuadrit të parandalimit të korrupsionit dhe të sigurojë efikasitetin e tij veçanërisht në sektorë me ndjeshmëri më të lartë si pronat, shëndetësia, prokurimi publik dhe financat publike. Me rëndësi është dhe forcimi i rrjeteve ndërmjet organizatave të shoqërisë civile për ngritjen e kauzave për çështje kritike dhe sensitive si dhe forcimi i aftësive të tyre monitoruese, me qëllim promovimin e llogaridhënies dhe transparencës.

Sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian, Shqipëria duhet konkretisht të bëjë progres: drejt krijimit të një historie solide të hetimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit, me vëmendje të veçantë rastet e korrupsionit në nivelet e larta; drejt procedimeve penale në kuadër të procesit të vetingut; si dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të GRECO-s.

 Nevojitet gjithashtu një qasje më proaktive për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë. Ka hapësirë për të rritur cilësinë e hetimeve, duke zgjeruar fushën e hetimeve komplekse, duke siguruar përdorimin e plotë të masave të veçanta hetimore dhe përgatitjen e duhur për gjykim. Nga ana tjetër Shqipëria duhet të sigurojë që SPAK të ketë shtrirje më të gjerë të veprimtarisë, duke përfshirë ekspertizën e specializuar në hetimet financiare, masat e veçanta hetimore dhe aksesin cilësor në të gjitha bazat e të dhënave. 

Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit, nga një sfidë vendase në një përgjigje Evropiane!”, financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimin e Bashkimit Evropian.

 

*Marsida mban pozicionin e përgjegjëses në Drejtorinë e Integrimit Europian dhe Negociatave pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka një eksperiencë rreth 10-vjeçare pune pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Turizmit, ku momentalisht është e përfshirë drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian të vendit me fokus Kapitullin 23 dhe Kriterin Politik. Ajo mban gradën Doktor i Shkencave në Ligjin Penal dhe të Drejtën e BE, ku fusha e saj e ekspertizës përfshin drejtësinë për të mitur.

Nëntor 2023

 

Bibliografia

Progres Raporti 2022 për Shqipërinë- https://www.dap.gov.al/publikime/dokumenta-strategjik/63-progres-raportet

Raporti Screening për Shqipërinë- https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2023-07/AL%20Cluster_1%20Draft%20screening%20report_external%20version.pdf

Rekomandimet GRECO – https://www.coe.int/en/web/greco

Tranparency International – https://www.transparency.org/en/cpi/2021?gclid=Cj0KCQiAgK2qBhCHARIsAGACuzlx80AWmbHSyR1lywCOBQChSvPyIXqAYWZFLgvFSZ1sHMFDDF7S0BcaAnCbEALw_wcB

Regional Trial Monitoring Project – Combatting Organised Crime and Corruption in the Western Balkans- https://www.osce.org/WesternBalkansTrialMonitoring

UNCAC- https://uncaccoalition.org/

Regional Anti-corruption Initiative- https://rai-see.org/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top