Këshilla & Arsye

December 12, 2019 | 8:23

Sjelljet e fëmijëve 3-5 vjeç… Çfarë duhet të presim prej tyre?

Fëmijët e moshës 3 – 5 vjeç janë shumë kuriozë për botën që i rrethon, kështu që duhet të prisni të dëgjoni shumë pyetje ‘kush’, ‘çfarë’ dhe ‘pse’. Ndërkohë që fillojnë të kuptojnë botën, mund të ndodhë që herë pas here të kenë mungesë përqendrimi. Mund t’ju duket sikur fëmija juaj nuk po ju dëgjon por në fakt ai mund të jetë duke menduar akoma për diçka që ju thatë 5 minuta më parë.

Të qenit i pavarur është shumë e rëndësishme për fëmijët e kësaj moshe, ata duan t’i bëjnë gjërat vetë. Por ata kanë nevojë për mbështetjen tuaj që të ndërtojnë vetëvlerësimin dhe vetëbesimin. Vëmendja pozitive, lavdërimet dhe mundësitë për të praktikuar aftësi të reja do t’i ndihmojë.

Pse është mirë që fëmijët të shkojnë në kopsht?

Fëmijët përfitojnë shumë nga të shkuarit në kopsht në këtë moshë. Disa prej tyre mund të duan kohë të mësohen me kopshtin apo të kenë dhe frikë. Por, ia vlen që të shkojnë sepse kopshti u jep fëmijëve shansin për të bërë shokë dhe për të praktikuar aftësi si ndarja e gjërave dhe mbajtja e radhës. Në kopsht fëmijët mund të fillojnë të mësojnë rreth ndjekjes së rregullave dhe të sillen mirë me fëmijë të tjerë.

Sjelljet shqetësuese tek fëmijët e moshës 3 – 5 vjeç

Ankthi                                                                                 

Ankthi është një pjesë normale e zhvillimit të fëmijëve, dhe fëmijët e moshës parashkollore shpesh kanë frikë gjëra si të qenit vetëm dhe qëndrimi në errësirë. Nëse fëmija juaj shqetësohet shumë apo shfaq shenja të ankthit, ju mund ta mbështesni atë duke kuptuar frikërat e tij. Inkurajojeni atë të bëjë gjërat që mund t’i ketë me pak ankth dhe lavdërojeni kur kjo ndodh. Por nëse ky ankth po ndikon në jetën e fëmijës suaj dërgojeni tek një specialist.

Ngacmimi apo bullizmi                                                           

Ngacmimet mund të jenë shkatërruese për vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tek fëmijët, sidomos në moshën parashkollore. Nëse fëmija juaj po ngacmohet në kopsht, ai ka nevojë për shumë dashuri dhe mbështetje, si në shtëpi edhe në kopsht. Ai gjithashtu ka nevojë të dijë që ju do bëni diçka për ta ndaluar këtë gjë.

Zënkat                                                                             

Mosmarrëveshjet dhe zënkat mes fëmijëve janë shumë të zakonshme. Disa faktorë që ndikojnë në zënka janë: temperamenti, mjedisi, mosha dhe aftësitë. Ju mund të punoni me këta faktorë që të trajtoni zënkat në familjen tuaj.

Kafshimi i thonjve                                                           

Shumë fëmijë kanë zakone si kafshimi i thonjve dhe përdredhja e flokëve. Këto zakone mund t’ju bezdisin, por zakonisht nuk janë asgjë për tu shqetësuar. Shumica e tyre largohen vetë me kalimin e kohës.

Gënjeshtrat                                                                         

Mund ta keni kapur fëmijën tuaj duke thënë një gënjeshtër. Gënjeshtrat janë pjesë e zhvillimit dhe shpesh fillojnë rreth moshës 3 vjeçe. Zakonisht është mirë tu mësoni fëmijëve të vegjël vlerat e të qenit të ndershëm dhe të treguarit të vërtetës se sa ti dënoni ata për gënjeshtra të vogla.

Shpërthimet e inatit                                                             

Nëse fëmija juaj ka shpërthime inati, mund t’ju ndihmojë të kujtoni se ai po mëson akoma mënyrat  e duhura për të shprehur veten dhe ndjenjat e tij. Nëse punoni në reduktimin e stresit të fëmijës suaj, të kuptoni ndjenjat e tij, dhe të kuptoni se çfarë i shkakton këto shpërthime, fëmija juaj do ketë më pak shpërthime pas moshës 4 vjeçare.

 

 

Burimi / shendeti.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top