Editorial

April 21, 2018 | 10:18

Skamja ka pllakosur në këto familje dhe shpresa për t’u bërë mirë nuk duket askund

Familja e parë

Bajrami 7 vjeç dhe Erjola 8 janë dy fëmijë mjaft të zgjuar, që jetojnë në kushte të tejskajshme të mjerimit. “Jetoj me babin, me vëllain, dhe me nusen e xhaxhait të babit,  mami jeton në Kosovë, na ka lënë” thotë Erjola për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24.

Pjesa më e bukur e ditës së saj është shkolla dhe detyrat që bën pas mësimit. Kur e pyet se çfarë bën babai i saj për të, ajo nuk i përmban lotët. “Na blen gjëra babi,” thotë e përlotur.

I ati, Agimi është pika e dobët e Erjolës. “Babi na ka rritur, na ka ushqyer”. Agimi nuk ka mundësi t‘ua plotësojë kushtet dy fëmijëve të tij të mitur, as bukën e përditshme.

“Kam pasur probleme me nusen, ajo mi mori fëmijët u largua. Pas dy muajsh arrita t’i marr fëmijët e mi. Isha në një gjendje depresioni. Kam rreth 2 vjet që i mbaj unë fëmijët, vetëm i ushqej se mundësi tjetër nuk kam. Nuk kam mundësi të tjera, të kemi drita, të kenë rroba. Kërkojnë rroba dhe lodra se shikojnë të tjerët, unë nuk e përballoj dot,” thotë Agimi.

Më tej shton se nuk ka pasur mundësi t’u blejë fëmijëve librat e shkollës. “Fëmijët më kërkonin librat, lekët i gjeta diku. Librat i bleva pas 4 ditësh, fëmijët u trembën se gjithë nxënësit i kishin librat, vetëm fëmijët e mi shkonin në shkollë pa libra” shprehet i dëshpëruar Agimi. “Blej ushqime me listë, i shlyej në fund të muajit”

Edhe pse fare të vegjël ata nuk i kërkojnë  asnjëherë babait më tepër se ç’mund të përballoji ai.  “Janë të zgjuar vetë fëmijët nuk kërkojnë gjëra tepër që janë jashtë mundësive” thotë Agimi. “Çokollatat nuk i hamë shumë ngaqë na dhemb barku, vetëm në ditëlindje na ka thënë babi më kërkoni, edhe unë atëherë i kërkoj babit që të na i festojë”.

Erjola ka edhe probleme me shëndetin. “Ka probleme në bark, nuk kam pasur mundësi ta operoj,” thotë i ati. Në këtë panoramë mjerimi, iu është gjendur Hajrija,nusja e xhajës së Agimit, edhe pse  60 vjeçe ajo përpiqet çdo ditë t’ua lehtësojë sadopak vuajtjet dhe mundimet.

“Kam rrit 7 jetimë për vete. Ushqimi është gjithmonë i pakët, në darkë fëmijët kërkojnë të ëmën e tyre. Rri hallë këtu të strukemi tek gjiri yt më thonë. Unë qaj, më keq është se na mungon edhe buka e gojës, kur të kërkon fëmija bukë çfarë ti japësh?” thotë gruaja që është bërë si nënë e dytë për Erjolën dhe Bajramin e vogël.

Familja e dytë

“S’kemi të ardhura, burri pa punë, jemi vetëm me ndihmë ekonomike. Momenti më i vështirë është kur kërkojnë para për në shkollë, apo kur janë të sëmura nuk ua plotësojmë dot nevojat e tyre” kështu rrëfehet një grua teksa e pyesim për gjendjen e saj ekonomike.

Familja e tretë

E rëndë është historia e Sema Urës, nënë e 5 fëmijëve jetimë. Jetojnë në një dhomë të vogël e me lagështirë. Nuk ka krevate për gjithsecilin “fëmijët i shtroj në tokë të flenë. Më dhimbsen fëmijët, më pikojnë në zemër. “O ma”, më thonë “dua diçka ta ha në shkollë”, ata kërkojnë bukë. Fëmijët e mi shkojnë të uritur në shkollë. Disa herë edhe i kam vënë në gjumë të paushqyer” thotë gruaja.

“Qep këpucë, për pak qindarka. I detyroj edhe fëmijët e vegjël  të qepin këpuce, nuk mësojnë për shkollë” thotë Sema e përlotur. “Ju lutem më ndihmoni, për këta fëmijë. Janë të sëmurë ju dhembin kockat. Ankohen gjithmonë, nuk i kam vizituar kurrë. Më thonë fëmijët ku ta gjejmë xhaxhi Elvisin të vijë këtu ,të na ndihmojë edhe ne, jeta ime ka marrë fund”

Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri kanë takuar fëmijët në mensën sociale. Fëmijët u kanë shprehur ëndrrat dhe dëshirat që kanë. Këtu dikush do të bëhet gazetar, një tjetër mjek apo polic i ardhshëm. Këta fëmijë duan të jenë dikush në jetë, ata padyshim janë liderët shqiptarë të së ardhmes. Gjithçka që kanë nevojë është të shkojnë në shkollë jo të dërrmuar nga largësia se prindërit nuk kanë mundësi të paguajnë për transport. Ata kërkojnë të kenë librat e shkollës, mjetet mësimore, ushqim të shëndetshëm. Por para të gjithave këta fëmije nuk duhet ta vuajnë kurrë urinë. Por realiteti këtu është i hidhur, disa nga këta fëmijë ju ndodh të shkojnë në shkollë edhe të uritur, ashtu siç na rrëfyen prindërit e tyre.

Mensa sociale ishte dekoruar enkas nga agjencia e ditëlindjeve “Festa e Çufos”, për t’i pritur dhe ftuar fëmijët në ambientin që tashmë u përket atyre. Hapësira e dekoruar me kujdes dhe plot ngjyra e dashuri ua bëri ditën më të gëzueshme fëmijëve. Ishte një festë e vërtetë, me të ftuar specialë.

Ushqimin në mensë e  siguron fondacioni Firdeus dhe pasdite i asiston një mësuese për të mësuar dhe për të bërë detyrat.

https://www.youtube.com/watch?v=Mz97xJ874Os

Burimi / http://www.balkanweb.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top