Emisioni investigativ “Fiks Fare” risolli edhe njëherë në vëmendje të publikut sesi mashtrohen pacientët-klientë nga sallone bukurie, ku bashkë me lyerjen e thonjve dhe krehjen e flokëve, u ofrohet edhe mbushja e buzëve me silikon dhe mbushja e rrudhave me botoks.Procedura e injektimit të acidit hialuronik apo botoksit duhet bërë nga mjekë të licencuar, edhe pse ofrohet si shërbim për një çmim më të lirë diku tjetër që nuk është klinikë.
“Fiks Fare” intervistoi 3 mjekë të kësaj fushe, të cilët e dënojnë dhe denoncojnë këtë fenomen, i cili është përhapur shpejt.
Sipas mjekes dermatologe Erjona Shehu, rëndom këto ndërhyrje që quhen të vogla bëhen nga njerëz jo profesionistë.
“Po flasim për individë që nuk ia kanë idenë se nga çfarë përbëhet lëkura, zona të caktuara të fytyrës etj. Pra janë njerëz jo kompetentë për aplikimin e këtyre produkteve. Na është dashur që në klinikat tona të kemi parë individë, që kanë bërë ndërhyrje të mëtejshme kirurgjikale, apo kanë marrë medikamente të tjera, për të shmangur apo korrigjuar dëmet që janë bërë në fytyrat e tyre nga njerëz jo profesionistë”, thotë Shehu.
Por në vende të tjera ka ligje që e rregullojnë këtë situatë, kurse te ne ligji mungon.
Doktoresha Erjona Shehu dëshmon se në klinikat e tyre, shumë shpesh vijnë paciente që kanë bërë një injeksion në një parukeri dhe nuk e dinë se çfarë produkti i është injektuar. Nuk marrin përgjigje as kur lidhen me personin që ia ka bërë ndërhyrjen. Thjesht përcillen vetëm me togfjalëshin “produkt italian” apo “amerikan”.
Kirurgu plastik, Dr. Vladimir Filaj sqaron për “Fiksin” se në klinikën e tij, pacientet ka raste vijnë me deformime të mëdha, nga buzët e deri te mollëzat apo vetullat.
“Injektimi i gabuar rrezikon të prekë enë apo nerva dhe mund të japë dëmtime shumë të rënda. Në arterie apo në vena nuk mund të injektohet acidi hialuronik. Duke mos njohur anatominë e kësaj zone ku punohet, arrihet në komplikacione shumë të rënda. Ajo që është më e rrezikshme dhe që vëmë re nga klientët, janë produktet që nuk janë të tretshme. Logjikisht duhet të futen në mënyrë të paligjshme”, pohon doktori.
Sipas tij, botoksi është i njohur botërisht dhe ka efekte të mrekullueshme, por nuk duhet harruar që është një toksinë. Gjatë injektimit nuk duhet të kalojë në overdozë, pasi ka efekte katastrofike. Mund të japë paralizë të nervit facial. Mund ta rrëzojë një vetull më poshtë dhe për korrigjimin e kësaj duhet të pritet deri 3-4 muaj, apo edhe 6, për të ndërhyrë.
Gazetarët iu drejtuan edhe Prof. Dr. Besim Boçi, i cili është njëkohësisht edhe shef i Shërbimit të ORL-së pranë QSUT-së. Doktori bën thirrje që pacientet duhet të informohen mirë përpara së të bëjnë një ndërhyrje në trupin apo fytyrën e tyre. Të informohen mirë mbi mjekun, historinë e tij, si dhe të kërkojnë informacion të plotë për materialin që do t’iu injektojnë./TCH
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.