Rikthimin tim në opera ia dedikoj engjëllit me emrin “Lisar”. Kështu u shpreh pak para premierës së “La Traviata”, baritoni i njohur i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një rikthim magjiplotë nën petkun e personazhit, doktor Grenvil. Prej një kohe të gjatë, vendi i tij kish mbetur bosh. Solistë të tjerë kishin zëvendësuar personazhet që i përshtateshin zërit të tij. Një arsye madhore e kish bërë të linte pas skenën ku gjithmonë ka qenë i marrosur pas saj. Të tjerë tinguj kishin zëvendësuar këtë herë operën e jetës së tij. Në familjen e tij të vogël, dikush do të largohej përgjithmonë. Në engjëll do të kthehej, për t’i treguar prej atij çasti të pakthyeshëm rrugën e mëpastajme. Është pikërisht ai, Lisari, që prej qiellit tanimë e ndjek në çdo hap që hedh, e mbron dhe i jep një fuqi të pakrahasueshme. Falë tij ai e mundi dhimbjen, atë dhimbje që ca kohë më parë ia kishte dhënë me tepri. Rigjeti motivin dhe forcën e të besuarit se e nesërmja do të ishte sërish e mirë me të. Një rrugëtim i ri me dimensionin që një prind si Sokoli e meriton ta jetojë në këtë jetë si i gjallë. Si fenikas i rilindur, u ngjit në skenë dhe këndoi. “La Traviata” ishte njëra nga sfidat, ndërsa “Bohem” axhendë e radhës deri në pambarim…
Sa e vështirë ka qenë kjo periudhë e jetës suaj?
Në jetë nuk mund të parashikosh asgjë, sepse vetë jeta është parashikuesja e atyre që do të ndodhin, në ditë të mira apo të këqija. Shpirti është ai që helmohet por, po ai shpirt, me vullnetin e Zotit kërkon pak qetësi për të kaluar sadopak gjendjen psikoemocionale. Kur kujtoj që Lisari më dëgjonte dhe më imitonte, qaj dhe qesh për intelektin e tij të mrekullueshëm. Ai është shtysa më e fortë dhe do të jetë për gjithë jetën, si për mua edhe për bashkëshorten time. Kjo na bën që dhimbja të prehet e qetë në shpirtin tonë, por jo në kujtimet tona.
Te cilët gjetët mbështetje për pranimin e asaj që ju kishte ndodhur?
Nuk ka qenë shumë e lehtë ta përballonim këtë gjendje. Si për mua dhe për Albanën. Çdo ditë, mëngjeseve falënderonim Zotin për atë fëmijë aq të dashur, jo vetëm për ne, por edhe për prindërit tanë, miqtë dhe shokët. 9 muaj pas ikjes së Engjëllit tonë Lisar, Zoti na bekoi me ardhjen e Johanit, i cili ka të gjitha shprehjet dhe përkëdhelitë e të vëllait. Kjo ishte dhe ajo paqe që ne vendosëm natyralisht me veten tonë. Dua të falënderoj Atë Serxhion, i cili na inkurajoi për forcën që duhet t’i jepnim njëri-tjetrit. Kush e ka provuar këtë gjendje në të cilën ndodheshim, e di se sa e vështirë është për të krijuar atë besim dhe forcë brenda vetes. Miqtë tanë ishin ata që nuk na lanë vetëm në këtë çast delikat, familjarët gjithashtu.
Sa i huaj ishit gjatë kësaj periudhe me skenën, pas rikthimit?
Aq i huaj jam ndier, saqë veprimet skenike bëheshin si mekanike, jo me atë shpirtin artistik brenda vetes. Por dhe kjo gjendje nuk po më pëlqente, sepse jam mësuar të jap emocion në skenë. Ishte gjithmonë Lisari që më priste deri vonë pa fjetur kur mbaroja shfaqjet. Ishte ai që e merrte malli kur ndodhesha jashtë dhe unë, nga padurimi, udhëtoja për gjithë natën të mbërrija në mëngjes për t’i marrë erë dhe ta përkëdhelja. Por gjithmonë ndodhte ajo që, ai më ndiente më parë dhe dukej sikur më kishte pritur gjithë natën pa gjumë. Kolegët më janë gjendur pranë dhe gradualisht jam futur në rrjedhën e jetës artistike. Muajin e kaluar interpretova te “La Traviata”. Jam duke përgatitur Alcindot te “La Boheme”. Kjo është ajo që unë duhet të bëj. Të jetoj dhimbjen dhe të dashurohem me jetën në vazhdim. Të jetoj jetën familjare e të gëzoj djalin Johan, duke mos harruar engjëllin Lisar si inkurajues dhe mbrojtës në jetën tonë familjare.
Cili është mesazhi që do të jepnit për të tjerë në të tilla situata?
Mos paçin hidhërime të tilla në jetën e tyre! Por, edhe nëse kanë, duhet të dinë se u lindëm dhe të gjithë nuk janë të pavdekshëm në këtë jetë. Duhet të jetojnë jetën në paqe, duke ndier dhe kujtuar ato çfarë engjëjt lënë pas. Njeriu qenka aq i fortë, sa Zoti ia ka dhënë të gjitha.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.90
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.