Në fokus

November 14, 2016 | 8:41

Sot Dita Botërore e diabetit, gjithçka që duhet të dini

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Një diabetik, më shumë se një kufizim ushqimor, kërkon ndryshim të stilit të jetesës, i cili duhet orientuar jo drejt kufizimit të ushqimit, por drejt menaxhimit më të mirë të mënyrës së të ushqyerit, ku një rol të rëndësishëm luan përcaktimi i rregullt i vakteve dhe sasisë së ushqimeve që duhen ngrënë në secilin vakt. Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak kur ndjekin dietën specifike të rekomanduar për çdo person me diabet.

Dieta e personave diabetikë varet nga metabolizmi bazal, nga koeficienti i masës trupore BMI, i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit, si dhe nga aktiviteti i tij fizik.

Një person diabetik duhet të konsumojë 3 vaktet kryesore dhe 2-3 vakte të ndërmjetme. Shumë e rëndësishme është që vaktet të merren pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë dhe hapësira nga vakti në vakt të jetë e njëjtë. Një diabetik duhet ta respektojë këtë rregull, që të mos lërë kalimin e shumë orëve pa ngrënë. Një vakt ushqimor duhet të përmbajë me patjetër karbohidratet e nevojshme.

Ndërtoni një plan ushqimor, në të cilin të keni kontrolluar kaloritë, karbohidratet dhe sheqernat. Një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza.

Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave. Yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore. Kombinimi i këtyre elementëve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes. Duhet të kufizoni sa më shumë kripërat për të kontrolluar tensionit arterial dhe proteinat për të mbrojtur veshkat. Nëse jeni mbipeshë, humbja e saj do të ndikonte në përmirësimin e sheqerit dhe tensionit arterial. Përqindja e përbërësve kryesorë ushqimorë të një vakti duhet të orientohet drejt një skeme të tillë ku: 40 % duhet të jenë karbohidrate, 40 % proteina dhe pjesa e mbetur prej 20 % duhet të përbëhet nga yndyrat, kryesisht ato që listohen si yndyra të mira. Ekziston një grup ushqimesh të cilat mund të merren dhe pa sasi të kufizuara, pasi përbërja e tyre nuk sjell dëme në organizëm, ndryshe nga sa mund të ndodhë nëse marrim sasi të mëdha të ushqimeve të tjera që mbeten jashtë kësaj liste. Në listën e ushqimeve që mund të konsumohen pa kufij nga diabetikët janë: uji, kafeja pa sheqer, çajërat pa sheqer, rrepat, specat, spinaqi, kungujt, sallata jeshile, qepët, panxhari i kuq, lëngu i zarzavateve, lakra e bardhë, lulelakra, kastravecët, domatet, patëllxhanet, domatet, bamjet, karotat, mollët.

Sasitë ashtu si dhe vlerat kalorike kanë shumë rëndësi në ushqyerjen e një diabetiku. Këshillohet 200 ml qumësht, kos frutash 180 gr, 50 gr, bukë me drithëra 60 gr, oriz i gatuar 50 gr, makarona të gatuara 50 gr, patate 60 gr, bizele të gatuara 20 gr, fasule të bardha bishtaja 2 lugë supë, bizele të vogla 50 gr.

Personat që konsumojnë më shumë bulmet me pak yndyrë kanë më pak mundësi të preken nga diabeti i tipit 2. Një proteinë që gjendet tek bulmeti mund të rrisë sekretimin e insulinës. Një shumëllojshmëri ushqyesish, si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, mund ta ulin rrezikun e diabetit.

Përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit.

Zarzavatet dhe perimet janë armiqtë më të mirë që frenojnë problemet që diabeti sjell në organizëm. Dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve jeshile. Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore. Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë. Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet. Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet.

Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, kryesisht me bazë bimore. Yndyrat janë shumë të pasura me kalori ndaj këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë. Kështu diabetikët duhet të shmangin pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles . Këshillohet që sasia e yndyrave të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.

Këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri.

Niveli i lartë i selenit në gjak mund të ulë rrezikun për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, me këtë edhe të diabetit.

Një nga ushqimet që nuk duhet të mungojë asnjëherë në tavolinë janë bishtajoret pasi kanë përmbajtje të lartë të fibrave të tretshme, që ndihmojnë që të mbani nën kontroll nivelet e sheqerit në gjak. Një diabetik duhet të konsumojë thjerrëza, bizele, fasule, dy-tri herë në javë.Çdo vit në 14 Nëntor Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit organizon Ditën Botërore të Diabetit.

Në 14 Nëntor në ditën botërore të diabetit, të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi” të re globale.

14 Nëntori, si dita botërore e diabetit është vendosur për nder të ditëlindjes së Frederik Banting i cili sëbashku me Charles Best ,dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit Insulinën e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën.

Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit.

Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak.

Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës. Format e diabetit janë :

– Diabeti tip 1 – haset në rreth 10-15 % të të sëmurëve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë pa insulinë, ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjëndje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.

– Diabeti tip 2 – është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obezë. Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “zhbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë, si mbipesha, obeziteti.

– Diabeti i shtatzanisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë. Ai ndodh në 2%-5% të grave shtatzane dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i kurueshëm por kërkon një mbikqyrje mjekësore gjatë shtatzanisë. Rreth 20% – 50% e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë. Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik.

Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetëshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme, personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale, etj.

Shenjat e diabetit janë: Etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe, urinim i shpeshtë/ dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqëndrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme.

Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve , diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top