Në fokus

November 17, 2016 | 14:59

Sot Dita Botërore e Filozofisë/ Si ta përdorim për të arritur lumturinë

*Tashmë është bërë traditë që kjo ditë të përkujtohet të enjten e tretë të nëntorit, në nderim të mendimeve filozofike në botë. Kjo është një ditë ku njerëzit mund të ndajnë në mënyrë të hapur mendimet, të zbulojnë dhe diskutojnë idetë e reja dhe të frymëzojnë debatin publik për të diskutuar rreth sfidave sociale.

Dita Botërore e Filozofisë është një nismë e UNESCO-s, e cila bashkon njerëz nga e gjithë bota dhe i fton të përfshihen në një refleksion të përbashkët për çështje bashkëkohore. Aktivitetet dhe eventet që organizohen në këtë ditë përfshijnë: dialogë filozofikë, debate, leksione dhe takime me filozofë, konferenca botërore për tema filozofike, ekspozita dhe panaire libri për filozofinë.

2Jetojmë në një botë, që në shumë mënyra është më e parashikueshme dhe më shumë në kontrollin tonë, nga sa ka qenë më parë. Mund të parashikojmë motin, mund të gjejmë informacion mbi çdo subjekt të mundshëm dhe çdo gjë që dëshirojmë mund të jetë në duart tona brenda 24 orëve.

Përtej kësaj, kemi pak ndikim te gjërat që na ndodhin, përveç mënyrës se si reagojmë ndaj tyre. Siguria teknologjike s’mund të na ndihmojë për mendjen dhe dilemat e saj.

Filozofia e lashtë e stoicizmit u themelua për t’u përballur me këtë problem: si të jetojmë një jetë të mirë në një botë të ashpër? Si ta minimizojmë vuajtjen që na sjellin ngjarjet mbi të cilat nuk keni asnjë kontroll?

Njerëzit janë të palumtur, sepse shkojnë pas gjërave që nuk mund t’i kontrollojnë apo se janë të papërgatitur për të jetuar në një botë që nuk varet prej tyre. Ata gjithashtu vuajnë, sepse krijojnë varësi ndaj gjërave që s’mund t’i kontrollojnë. Vepra e madhe e perandorit romak, Aurelius “Meditimet”, e shkruar në vitin 167 të erës sonë bën fjalë pikërisht për këtë nocion. “Ti ke fuqi vetëm mbi mendjen tënde, jo në ngjarjet e jashtme. Kuptoje këtë dhe do të gjesh forcë”, shkruan ai.

Këshillat filozofike

Prano se shumica e gjërave në jetë s’janë në kontrollin tënd!

Feja e krishterë ka huazuar disa leksione të stoicizmit, ku thuhet se duhen pranuar gjërat që janë jashtë kontrollit tonë dhe pranimi i vështirësive është një rrugë e vështirë drejt paqes. Të krishterët kanë shtuar edhe elementin e dorëzimit te dëshira e Perëndisë. Është mirë të qartësohen gjërat kur një njeri mund të ndikojë dhe tek të tjerët apo mbi ato të cilat nuk mund të veprojë.

Kemi lirinë të zgjedhim mendimet dhe veprimet tona

Mund të vendosim se sa fuqi do të ushtrojmë te mendimet dhe sjellja jonë, edhe në situatat më të vështira. Filozofi romak, Ciceroni, përdor shembullin e torturës për të ilustruar fuqinë e një njeriu mbi mendimet e tij, të cilat ai thotë se, askush nuk mund t’ia largojë. Ai arsyeton se, ndonëse mund t’i shkelet dinjiteti, ai kurrë s’mund të zhvishet nga fuqia për të qenë i lumtur.

Kthejini mendimet në veprime

“Çfarë qëndron në rrugën tuaj, bëhet rruga juaj”, shprehet Aureliusi. Shprehja e mësipërme nuk i përket vetëm një filozofie me optimizëm të verbër, por është një mënyrë arsyetimi që njeriu të jetë i qartë me veten dhe të ndërmarrë me veprime gjërat që mendon. Nuk mund të uleni diku dhe të prisni që t’ju ndodhë ajo që meritoni të keni, përkundrazi ju duhet të lëvizni, që të keni atë që meritoni. Vetëm kështu mund të ndodhë.

Gjeni kështjellën tuaj të brendshme

Marcus Aurelius, i cili u përball me shumë vështirësi në jetë, mendohet se e ka shkruar librin “Meditimet” nga një tendë e kampit romak të luftës. Ai shkroi se çdo njeri duhet të ketë një kështjellë të brendshme, e cila do ta shërojë sa herë të plagoset. Jetesa në një vend të brendshëm ku gjendet edhe paqja, është e vetmja mënyrë për të zgjidhur disa situata të vështira në jetë. Një shpellë e brendshme i jep dikujt mundësinë të penetrojë brenda vetes për të gjetur lirinë e vërtetë të tij dhe për t’iu përgjigjur ngjarjeve që s’i ka në dorë, me gjakftohtësi.

Mos prisni shumë nga të tjerët

Merrni përgjegjësitë tuaja dhe pranoni që s’mund të keni fuqi në veprimet e të tjerëve. Duhet të kuptoni se çdo njeri reagon ndryshe ndaj situatave të ndryshme. Nëse arrini të kuptoni mendësinë se ju nuk shqetësoheni prej veprimeve të të tjerëve, kështu nuk do t’jua lëndojë askush ndjenjat. Vëreni logjikën përpara gjithçkaje!

Universi do të kujdeset për ju

Duhet ta shohim botën sikur ajo të jetë në anën tonë, vetëm kështu do të arrijmë të marrim prej saj më të mirën. Së bashku me vizionin e qartë për ato që dëshironi dhe me ndjenjën pozitive se mund t’i keni gjërat që kërkoni, asgjë s’mund t’ju ndalë. Aurelius u shpreh se duhet ta shohim jetën, përfshirë edhe sfidat e lodhshme, si një “mik të vjetër dhe besnik”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top