3 dhjetori shënon Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), një datë që synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në procesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale, ekonomike e kulturore. Por si mund ta përkufizojmë aftësinë e kufizuar?
Deri në fund të viteve ‘80 përkufizimi i aftësisë së kufizuar ka qenë një çështje e debatuar në Evropë dhe në botë. Në diskutimet botërore njohuritë, hipotezat dhe perceptimi për aftësinë e kufizuar janë grupuar në disa modele si:
♦ Modeli i Bamirësisë, Keqardhjes, Mëshirës në vitet ‘60-‘70, sipas të cilit, personat me aftësi të kufizuar janë për t’u mëshiruar, për të ardhur keq dhe kanë nevojë për ndihmën, simpatinë, dhembshuri dhe asistencë në mënyrë që të ecin para.
♦ Modeli Mjekësor në vitet ‘70-‘80, sipas të cilit, personat me aftësi së kufizuar janë pacientë me probleme fizike, që duhen mjekuar, trajtuar apo ndërhyrë. Për të zgjidhur problemin individual, duhet të ndryshojnë këta dhe jo shoqëria. Ata janë persona që kërkojnë shërbime speciale.
♦ Modeli Social në fundin e viteve ‘80 fillimi i viteve ‘90, sipas të cilit, personat me aftësi të kufizuar, konsiderohen të jenë të tillë si rezultat i barrierave sociale, që i ndalon ata të marrin pjesë në shoqëri, pra është një problem i krijuar nga shoqëria, duke mos ia atribuuar atë individit.
♦ Modeli i Bazuar në të drejtat, fundi i viteve ‘90, sipas të cilit, personat me aftësi të kufizuar, shpesh u janë refuzuar të drejtat bazë njerëzore si p.sh. e drejta për shëndet, edukim, punësim. Personat me aftësi të kufizuar janë të ndryshëm, por shoqëria duhet t’i mbështesë dhe t’i respektojë pikërisht edhe pse ata janë të ndryshëm. Personat me aftësi të kufizuar janë qytetarë të barabartë, prandaj duhet të gëzojnë të drejta dhe përgjegjësi të njëjta.
♦ Modeli i aftësisë pas vitit 2000, sipas të cilit, personave me aftësi të kufizuar duhet t’u jepet mundësia të ushtrojnë kapacitetin e tyre të vërtetë, të zhvillojnë potencialin që e kanë e të zgjedhin jetën e tyre. Sipas këtij modeli të rëndësishëm, janë potenciali, kapaciteti i personit dhe jo kufizimet e tyre.
Një revolucion të vërtetë në përkufizimin e në perceptimin e shëndetit dhe aftësisë së kufizuar, e bëri OBSH-në në vitin 2001 të lancojë “Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit” (ICF). Ky program përcakton aftësinë e kufizuar si një term ombrellë për dëmtime, kufizimet e aktivitetit dhe kufizimet e pjesëmarrjes. Dëmtimi është një problem i funksionimit të trupit apo strukturës së tij, (funksionet fiziologjike, psikologjike apo pjesët anatomike të trupit). Kufizimi i aktivitetit është një vështirësi që haset nga një individ në kryerjen e një detyre apo veprimi. Kufizimet e pjesëmarrjes, nënkupton, vështirësitë që një individ mund të ndeshë gjatë përfshirjes në situata të jetës së përditshme. Kështu aftësia e kufizuar është një fenomen kompleks, është ndërveprimi mes individëve me një gjendjeje shëndetësore (paralizë cerebrale p.sh. , Daun sindrom dhe depresioni) dhe faktorëve personalë dhe mjedisorë (p.sh. qëndrimet negative, transporti i paarritshëm, ndërtesat publike dhe mbështetjet e kufizuara sociale).
Aftësia e kufizuar është jashtëzakonisht e larmishme. Ajo nuk është thjesht një problem shëndetësor. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si edhe personat jo me aftësi të kufizuara. Ata kanë nevojë për imunizim, depistim të kancerit, etj. Por ata gjithashtu janë më të prekshëm nga një sëmundje apo një problem shëndetësor, si për shkak të varfërisë ashtu edhe për shkak të përjashtimit social, pasi ata mund të jenë më të prekshëm nga sëmundjet sekondare, të tilla si plagë apo infeksionet e traktit urinar. Provat tregojnë se njerëzit me aftësi të kufizuara përballen me pengesa në aksesin për shërbime shëndetësore dhe rehabilituese për të cilat ata kanë nevojë për më shumë ambiente.
Fakte
Sipas Bankës Botërore dhe OBSH, persona me aftësi të kufizuar ka në çdo vend të botës dhe në të gjitha nivelet e çdo shoqërie. Numri i personave me aftësi të kufizuar në botë është i madh dhe në rritje. Mbi një miliard njerëz apo rreth 15% e popullsisë së botës kanë një formë të aftësisë së kufizuar, nga të cilat mbi 200 milionë janë fëmijë. 110 milion deri 190 milion njerëz kanë vështirësi të konsiderueshme në funksionim. Përqindja e personave me aftësi të kufizuar është rritur, kjo për shkak edhe të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë më pak akses në shërbimet shëndetësore dhe për këtë arsye, ata përjetojnë nevoja të paplotësuara të shërbimit të kujdesit shëndetësor. Rreth 80% e popullsisë së botës, e njerëzve me aftësi të kufizuara, jetojnë në vendet me të ardhura të pakta e me disavantazhe ekonomike dhe mohim të të drejtave. 20 % e të varfërve kanë disa forma disabiliteti.
Vendi ynë
Në vendin tonë personat me aftësi të kufizuar janë identifikuar me terma të ndryshëm si: invalidë, të paaftë, handikapë, para-tetraplegjikë, persona me prapambetje mendore, të verbër, etj. Në përputhje me terminologjinë e Kombeve të Bashkuara dhe konceptet e Mundësive të Barabarta të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe në përputhje me kategorizimin ndërkombëtar të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), termi “person me handikap” është zëvendësuar me termin “Person me Aftësi të Kufizuar” (individualisht) dhe “Persona me Aftësi të Kufizuara” (në nivel shoqëror). Sipas Strategjisë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara në vitin 2005, tani e në vazhdim “Personat me Aftësi të Kufizuar” janë ata persona tek të cilët funksionet fizike, kapaciteti mendor ose gjendja psikologjike kanë prirje të shmangen për më shumë se gjashtë muaj nga gjendja tipike për moshën përkatëse, gjë që sjell për pasojë kufizime të pjesëmarrjes së tyre në jetën shoqërore. Person me aftësi të kufizuara (PAK) quhet individi, të cilit i është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psiqiko-mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, të cilat nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin. Duke iu referuar strategjisë, të dhënat dhe njohuritë statistikore për pozitën e personave me aftësi të kufizuara janë të pakta. Aktualisht ato reduktohen në numrin e personave me aftësi të kufizuara, llojet kryesore të aftësive të kufizuara, të cilat vlerësohen dhe përcaktohen nga komisione të veçanta specialistësh, pagesat në para që jepen nga buxheti i shtetit, si dhe disa shërbime mbështetëse që ofrohen në qendra rezidenciale dhe në komunitet. Aktualisht nuk ka të dhëna mbi strukturën gjinore të personave me aftësi të kufizuara, për aftësitë e kufizuara pas moshës së pensionit, të dhëna lidhur me situatën e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.
Niveli i punësimit të personave me aftësi të kufizuar është tepër i ulët. Sipas llojit të aftësisë së kufizuar, personat me aftësi të kufizuar janë:
personat me aftësi të kufizuar dëgjimore dhe pamore, (Sensorë);
personat me aftësi të kufizuara lëvizëse si: para e tetraplegjikët, etj;
persona me çrregullime mendore ose sëmundje mendore kronike.
Vlerësimi i aftësisë së kufizuar në vendin tonë vlerësohet nga komisione të veçanta të specializuara, në përbërje të të cilëve ka specialistë të disiplinave të ndryshme si: mjekë pediatër, okulistë, psikiatër etj.
Komisionet që vlerësojnë PAK janë:
Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, (KMCAP),
Komisioni Mjekësor për Përcaktimin e Verbërisë (KMPV),
Komisioni i Caktimit të Aftësisë për Punë i klasifikon personat me aftësi të kufizuar në:
Grupi 1 janë personat me aftësi të kufizuar të lindur ose që janë bërë të tillë deri në moshën 21 vjeç; Grupi 2 përfshin personat e aksidentuar, me sëmundje profesionale dhe të përgjithshme, të bërë gjatë punës kur kanë qenë të siguruar.
Një grup tjetër janë Invalidët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Numri i personave me aftësi të kufizuar sa vjen e rritet. Kështu në vitin 2003 kishim 75.044 persona, në vitin 2004 kishim 77.248 persona, në vitin 2008 numri i tyre ka qenë 105.972 persona, në vitin 2009 122.360 persona dhe në vitin 2010, 133 mijë persona me aftësi të kufizuara ose 3.7 % e popullsisë së vendit.
Sondazhe të kryera tregojnë se edhe në vendin tonë personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre ende i përkasin pjesës së margjinalizuar të shoqërisë shqiptare. Ata janë të varfër dhe të izoluar në një shoqëri të cilës ende i duhet të zhdukë barrierat arkitektonike dhe shoqërore. Shërbimet shëndetësore, arsimore, shoqërore dhe ato të punësimit për personat me aftësi të kufizuar, janë të pakta dhe të një cilësie të dobët. Jetojmë në një shoqëri, e cila nuk është plotësisht e hapur ndaj Personave me Aftësi të Kufizuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.