Në fokus

March 28, 2019 | 8:30

Sot je ylli më i shndritshëm në qiellin tim… Letër për një nënë që ka ikur larg

*Alice Iz

Ndodh që secili prej nesh të humbasë një njeri të dashur herët a vonë. Ndodh që të ndiejë dhimbjen e shurdhër dhe të heshtur që shkakton mungesa. Ndodh që të mos e zëvendësojë atë zbrazëti me asgjë dhe askënd.

1

Kur dikush na lë, është dhimbje. Dhe nuk ekziston një shkallë që të stabilizojë intensitetin e saj, ajo është intensive. Por kur një nënë fluturon larg, ndjenja e hutimit, e brishtësisë, bashkohet me vuajtjen. Një vetmi e thellë. Është sikur të ishim përsëri të vegjël dhe të humbur. Pa forca. Pa strehë. Pa atë fole, atë shkëmb.

Jetime e një dashurie të madhe. Kështu u ndjeva para disa vitesh, edhe pse nuk isha më fëmijë. Përkundër shtëpisë, familjes sime. Dashuri të tjera. Kështu ndihem ende kur dëgjoj këtë emër me pak rrokje, por me domethënien më intensive nga të gjithë. Nënë. Një emër që tani rezonon vetëm në dhomat e kujtesës dhe zemrës sime.

Sot dua të shprehem përsëri. Dua ta bëj me ju. Dua ta shkruaj këtë letër që nëna ime nuk do të lexojë kurrë. Ose ndoshta po. Besimi tek era që kalon, dhe që ndoshta do t’jua sjellë. Ua besoj zemrave të ngjashme me të miat. Të tuajat.

“Është për ty kjo letër, nënë. E shkruaj atë për gëzimin e dhënies së diçkaje përsëri, ashtu si fëmijë kur unë i kushtova një vizatim, një poezi, një buzëqeshje. Sepse ndjej që nuk të kam thënë gjithçka ende. Sepse mendoj se nuk do të më mjaftonte një jetë të ta them. Shkruaj për të të thënë se “të dua”, se vuaja për të ta thënë pa drojë, pak prej atij turpi të çuditshëm që më kaplonte, por plot dashuri. Për admirim. Për respekt.

Për të të thënë përsëri “faleminderit”. Faleminderit për gjithçka ke bërë për mua, për çfarë më ke mësuar, për gruan që jam bërë, për nënën që mund të jem. Faleminderit për dhuratën tënde. Për dashurinë. Po të shkruaj për të rifilluar dialogun që në thelb nuk u ndërpre kurrë. Flasim për këtë, në mënyra të tjera. Nëpërmjet një kujtimi, një nga mësimet e tua që e kam vënë në praktikë. Këshilla që imagjinoj se do të më jepje nëse do të ishte ende mes nesh. Kurrë nuk do të heq dorë së kërkuari, duke e imagjinuar gjetjen e përgjigjeve në ato shenja të vogla të përditshme që më flasin për ty.

2

E di ma, më ndodh të qesh, duke menduar për qortimin e mundshëm tëndin kur sillem paksa e pavetëdijshme: kur nuk vë kapuçin e leshtë, kur harroj supën në zjarr… Më ndodh të qaj, kur ndiej nevojën më të fortë për një përqafim të sigurt, të sinqertë. Tëndin.

Më ndodh të reflektoj për ato zënka që kishim, dhe që sot që jam edhe unë nënë, e kuptoj më mirë. Më fal ma, që nuk të kam kuptuar gjithmonë. Më ndodh të ndjej akoma aromën tënde në ditët me shi dhe në ato lule të vogla e të verdha që ti ke dashur…

Në biskotat që përgatisje për mua dhe që unë kurrë nuk kam mësuar t’i bëj më mirë se të tuat. Po tund kokën nënë duke qeshur, e vërtetë? Unë po të shoh. Gjithmonë shoh në shprehjet e tua më të bukurat. Kështu ndodh… Ndodhë që të të gjej te këngët e vjetra që këndoje ndërsa mbushje shtëpinë me praninë tënde, zërin tënd të gëzuar. Jetën jote. Në ato filma të vjetër që i doje aq shumë dhe që ndonjëherë i shoh akoma për t’u ndjerë pranë teje. Dhe më ndodh të të rigjej gjithmonë në mbrëmje. Kur të gjithë flenë dhe është qetësi. Kur rimendoj përsëri ditën që kam kaluar. Kur shoh qiellin dhe kërkoj yjet. Kur të kërkoj mes yjeve.

Sepse, që kur ke ikur nënë, nuk ka më net të ftohta e të errëta. Sepse në qiellin tim, ti je ylli më i bukur… Vazhdo nënë. Sot ashtu si dje për të ndriçuar hapat e mia. T’i bësh dritë qiellit tim. Vazhdo të më duash nënë. Ashtu siç vetëm ti di të bësh… “

Një letër për nënën time, një ledhatim me kujtimet e saj. Për nënat tuaja, një ledhatim për kujtimet tuaja. Sepse mungesa e nënës është mungesa më e madhe. Në çdo moshë.

*Alice Iz, autore e OgniGiorno Magazine

Përgatiti Orjona TRESA

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top