Në qytetin verior të Shqipërisë, Tropojë, ka mungesë të theksuar të mjekëve specialistë duke e shndërruar spitalin e Bajram Currit në një urgjencë.
Ekipi i emisionit investigativ “Tak Fak” në News24, ishte në qytetin e Bajram Currit, për të dëgjuar nga afër zërin e banorëve, të cilët janë të detyruar të udhëtojnë drejt Gjakovës në Kosovë për shërbime mjekësore që normalisht duhet t’i marrin në qytetin e tyre.
“Në Gjakovë i bëjmë të gjitha. Sepse këtu nuk ka mjekë. Ka vetëm një kardiolog, ka mjekë të përgjithshëm, por mungojnë kirurgët, neurologët, reanimatorë”, thotë një qytetar, ndërsa qëndron në një kafene pranë spitalit.
Sipas qytetarëve, spitali funksionon më shumë si një ambulancë. Për çdo rast më të ndërlikuar, pacientët nisen drejt Gjakovës, Kukësit apo Tiranës.
Sallat e operacionit janë jashtë funksionit, dhe mungesa e pajisjeve dhe aparaturave moderne është evidente.
“Për një serum vijmë këtu. Pastaj, nëse është diçka më e rëndë, nisemi në Kosovë”, thotë një banor.
Një tjetër problem shqetësues është mbingarkesa e mjekëve të familjes. Një mjeke në zonë mbulon deri në 15 fshatra, gjë që bën të pamundur ofrimin e kujdesit të duhur për të gjithë. Banorët lidhin situatën edhe me ndryshimet nga ndarja territoriale, që sipas tyre e ka lënë Tropojën pa institucione themelore.
“Për një certifikatë duhet të ikim në Kukës. Nuk kemi më gjykatë, avokat, paraburgim… Kemi humbur gjithçka”, thotë një ish-punonjës i shëndetësisë.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për shtimin e mjekëve specialistë në Tropojë, rindërtimin dhe pajisjen e sallës së operacionit si dhe investim në aparatura bashkëkohore.
Pas dëshmive të shumta të qytetarëve të Tropojës që denoncuan mungesën e theksuar të mjekëve specialistë, gazetarja e “Tak Fak” Anxhela Gjiriti, hyri brenda ambienteve të Spitalit “Isa Zllami” në Bajram Curri për të verifikuar nga afër situatën.
Pamjet konfirmojnë çdo fjalë të thënë nga qytetarët. Një spital me ambiente të rikonstruktuara, por pa mjekë, pa specialistë dhe me shumë pak kapacitete për të përballuar nevojat bazë të popullsisë.
Në intervistat me personelin shëndetësor aty, u zbulua se disa shërbime ishin jashtë funksioni prej mungesës së mjekësve specialistë, që nga vizitat ORL, lindjet, kirurgjitë apo dhe vizitat kardiologjike dhe pediatrike.
Një tjetër mjek shprehet hapur se janë vetëm 9 mjekë.
Me gjithë këmbënguljen e gazetares Gjiriti për të ditur më shumë nga drejtori i këtij spitali, i cili nuk pranoi të prononcohej, autorizoi nëndrejtorin, i cili pranoi të thotë: “Jemi të vetëdijshëm për mungesën e specialistëve. Kemi bërë kërkesat. Të jesh e bindur që kemi bërë të pamundurën.”
Pas dëshmive të qytetarëve të Tropojës dhe vizitës në Spitalin e Bajram Currit, gazetarja e emisionit investigativ “Tak Fak” Anxhela Gjiriti zhvendoset për pjesën tjetër të investigimit në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, aty ku qytetarët nga veriu i Shqipërisë marrin çdo ditë shërbime që mungojnë në vendin e tyre.
Nga intervistat e realizuara aty, shumë pacientë ishin nga Hasi dhe Tropoja, të cilët u prononcuan duke thënë se: “Këtu ndjehemi më të sigurt, atje (në Shqipëri) na rrezikohet jeta”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.