Këshilla & Arsye

December 12, 2017 | 9:14

Strategjitë për një dialog të shëndetshëm me fëmijët

Shumë fëmijë e kanë të thjeshtë të flasin për ngjarje argëtuese, për sportin apo dhuratat, por është jashtëzakonisht e vështirë të tregojnë se shokët i kanë vënë në lojë e tallur në shkollë. Ka disa hapa që ndihmojnë prindërit që të mund të krijojnë një moment të përshtatshëm dhe të përdorin strategjitë më të mira që fëmija të thotë çdo gjë që mendon pa u druajtur.

1

1.Dëgjoni në heshtje

Shpesh fëmija dëshiron vetëm ta dëgjoni, pa e bombarduar me këshilla. Në këtë mënyrë ai mëson të shprehë ndjenjat, pa pasur frikë se mos e keqkuptoni apo nuk e kuptoni si duhet, duke rritur kështu mundësinë që t’ju hapet me dëshirë dhe të ndajë me ju atë që ndjen. Duhet të dëgjoni në heshtje, pa e ndërprerë apo këshilluar. Sigurisht që këshillat janë të rëndësishme, por mund të ketë raste kur fëmija nuk e do një këshillë dhe reagon me heshtje. Duhet të kuptoni që heshtja është një mënyrë që fëmijët e përdorin për të komunikuar: mund të jetë një strategji për t’u mbrojtur, pasi ka frikë se mos e keqkuptoni. Ndaj, përballë një sjelljeje të tillë, duhet t’i jepni hapësirën e nevojshme, duke e siguruar se kur të dëshirojë mund të vijë të hapet prapë me ju. Edhe mënyra se si qëndroni është e rëndësishme: duhet ta shihni fëmijën në sy, uluni përballë tij, në gjunjë, në mënyrë që shikimet tuaja të jenë në të njëjtën lartësi. Kjo gjë shërben që fëmija të mos jetë i ndrojtur.

2.Pranojini gjithmonë ndjenjat e fëmijës

Të pranoni ndjenjat e fëmijës, jo domosdoshmërisht do të thotë që të jeni dakord me ta: duhet të keni parasysh se nuk ka ndjenja të duhura apo të gabuara, por janë thjesht mënyra sesi ata i përjetojnë përvojat. Ndaj është mirë të evitoni shprehjet: “Nuk e kuptoj pse je i trishtuar, duhet të jesh më mirënjohës!” apo “Nuk duhet të inatosesh për këto gjëra…”. Është mirë t’i pranoni ndjenjat e tyre dhe të jepni një këndvështrim ndryshe nga i tyri, për shembull: “E kuptoj që kjo gjë të ka inatosur shumë, por mundohu të mendosh edhe që…”.

3.Caktoni “çaste speciale”

Kjo është një nga strategjitë më të rëndësishme. Duhet të gjeni një moment, ku të jeni vetëm me fëmijën tuaj. Është e rëndësishme që këto momente të mos jenë rastësore dhe të rralla, por të jenë sa më të shpeshta e të vazhdueshme. Këto momente mund të ndërpriten edhe nga raste të papritura. Nëse ju bie telefoni, bëni sikur nuk e dëgjoni: në këtë mënyrë fëmija do të kuptojë se ai është përparësia më e rëndësishme për ju. Në këto momente të veçanta fëmija mund të bëjë çfarë i pëlqen më shumë. Për shembull: të shtunën në darkë mund të dalë më babin, apo një të dielë organizoni të gjithë së bashku një piknik.

4.Tregoni edhe ju sesi ndiheni

Duke qenë se bashkëbisedimi bëhet në dy, është shumë e rëndësishme që edhe prindërit të tregojnë sesi ndihen dhe si është gjendja e tyre shpirërore. Në këtë mënyrë fëmijët nuk do të keqkuptojnë më disa sjelle apo veprime. Nëse mami kthehet në shtëpi e inatosur për diçka që i ka ndodhur në punë, fëmija – duke mos e ditur këtë gjë – mund të mendojë: “Mami është e inatosur, kushedi se ç’kam bërë!”. Për të evituar këto vuajtje të pajustifikuara te fëmija, mami mund t’i thotë: “Jam shumë e bezdisur për një debat që bëra në punë”. Të flisni për ndjenjat dhe t’ia qartësoni fëmijës ato, bën që ai të kuptojë ndjenjat tuaja, një zotësi që do të jetë e nevojshme për çfarëdolloj marrëdhënieje që do të ketë në të ardhmen.

5.Vlerësoni karakteret e ndryshme

Çdo fëmijë ka një karakter të ndryshëm dhe në të njëjtën kohë ka edhe një mënyrë të ndryshme për të shprehur ndjenjat e veta. Disa fëmijë janë të qenë, disa “aktorë” dhe të tjerë janë racionalë, shqetësohen dhe interesohen pak për ndjenjat e të tjerëve. Nëse prindërit nuk i vlerësojnë këtë dallime individuale, ndonjëherë i shndërrojnë fëmijët në diçka që nuk janë, e për pasojë prindërit ndihen të frustruar dhe fëmijët ndjejnë se ata nuk i kuptojnë. Kur prindërit arrijnë të kuptojnë sesi është mënyra e të shprehurit të fëmijëve, duhet të zhvillojnë një përqasje të caktuar komunikimi që i përafrohet më mirë nevojave të fëmijëve. Vetëm në këtë mënyrë komunikimi do të thjeshtohet dhe do të bëhet më i kënaqshëm për të dyja palët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top