Psikofakt

April 15, 2016 | 9:20

Stresi aleat?

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Të gjitha e të gjithë e dëgjojmë dhe e përdorim termin “stres”, e ndiejmë se ç’është, veçse afërsisht, e konceptojmë paksa vagëllimthi si një zhytje të organizmit tonë, mendje e trup përfshirë, në një gjendje tendosëse me elemente pasigurie, frike e ankthi që na shkakton diçka e papëlqyeshme. Kjo fjalë, me sa kam parë, ende nuk figuron në fjalorët e deritanishëm të gjuhë shqipe, por, pasi hapa fjalorin frëngjisht-frëngjisht Le Grand Robert të vitit 2001, zbulova se ajo na vjen nga anglishtja dhe do të thotë “stërmundim, tension”; atë e propozoi, për të shprehur nocionin përkatës, Hans Selye-i në vitin 1940. Nga pikëpamja e shkencave biologjike dhe psikologjike, stresi përkufizohet si “përgjigje e organizmit ndaj faktorëve agresivë fiziologjikë e psikologjikë si edhe ndaj emocioneve (të këndshme ose të pakëndshme) që kanë nevojë të përshtaten (element i teorisë së sindromës së përgjithshme të përshtatjes).

Jean Delay-i, në librin e tij “Hyrje në mjekësinë psikosomatike”, e shpjegon kështu nocionin “stres”: “Një goditje, pavarësisht shkakut të saj, sjell një ndryshim të beftë, tronditës e që zgjat pak kohë, të ekuilibrit nervor e humoral, të cilin Seleye-i e ka quajtur reagim alarmues. Agjentë të ndryshëm sjellin të njëjtën përgjigje që shton qëndresën e organizmave të ekspozuar ndaj një agresioni, të cilët, pikërisht për këtë arsye, gjenden në një situatë të re: ajo quhet përgjigje ndaj stresit. Bëhet fjalë për një gjendje tensioni të mprehtë të organizmit që detyrohet të mobilizojë gjithë mjetet e tij mbrojtëse për t’i bërë ballë një situate kërcënuese”. Në jetën e përditshme, me fjalën “stres” përmbledhim gjendjet e ndryshme psikosomatike, pra, që kanë të bëjnë me anën mendore dhe atë fizike, të cilat rezultojnë nga kushtet e jetës moderne. Por shkenca mjekësore na mëson gjithashtu se stresi lind me njeriun që në momentet e para pasi ai vjen në jetë. Mund të pohohet, gati në mënyrë proverbiale, se pa stres nuk ka jetë, çka do të thotë që stresi është pjesë e pandashme e jetës. Rrjedhimisht, që të mbijetojmë na duhet të bëjmë një marrëveshje me stresin: ne do ta pranojmë atë, por do të përpiqemi ta kthejmë në aleat! Përse kështu? Sepse nuk mjafton ta asnjanësosh me anë ilaçesh – qetësues, anksiolitikë, antidepresivë – as me ushtrime joge apo të tjera teknika alternative: ai mund të rishfaqet me kryeneçësi në funksion pikërisht të situatave! Prandaj njeriu i shpellave mbijetoi përballë rreziqeve që i kanoseshin: zjarre, përmbytje, stuhi, ngrica polare, vapë e padurueshme, kafshë të përbindshme etj. etj. Me gjithë primitivizmin e tij, ai diti ta zbusë stresin siç zbuti qenin e kalin, duke bërë të mundur fillimisht bashkekzistencën dhe, më vonë, aleancën me ata. Në këtë pikë, psikologët na mësojnë se, për ta kthyer në aleat stresin ka rëndësi të nxisim e të përforcojmë te vetja aftësinë tonë të trashëguar për t’i bërë ballë atij duke e kthyer në shtysë për të përparuar pavarësisht rrethanave të pafavorshme. Shto këtu edhe vendosmërinë tonë vetësugjestionuese për ta konsideruar përballjen me stresin si një lojë që duhet ta përfundojmë me fitore ose, të paktën, në barazim.

Botuar në revistën psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top