Të sëmuresh nga stresi në punë apo papunësia? Sot, edhe nga një pikëpamje formale, po, mundemi. Ky vendim zyrat është marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila pas viteve studime e konsideron zyrtarisht si Sindroma Burnout.
Fillimisht agjencia speciale e OKB-së për shëndetin kishte lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një sëmundje, pasi kishte hyrë gabimisht për herë të parë në listën e sëmundjeve. Mandej, ajo e korrigjoi këtë, dhe ka specifikuar se Sindroma Burnout mbetet një fenomen punësimi (stres nga puna) për të cilin mund të kërkohet një kurë, por që nuk është kusht mjekësor. OBSH u ka dhënë gjithashtu udhëzime mjekëve për ta diagnostikuar këtë gjendje.
Mund të jeni duke vuajtur nga efektet e Sindromës Burnout (fjalë për fjalë shterim, ‘kolaps’) përballë simptomave të tilla si: mungesa e energjisë ose rraskapitje, shtim i izolimit nga puna ose ndjenja negativiteti dhe cinizma që lidhen me punën, ulje e efektivitetit profesional. OBSH ka specifikuar gjithashtu se para se mjekët të diagnostikojnë dikë për Sindromën Burnout, është gjithashtu e nevojshme që të përjashtohen çrregullime të tjera që paraqesin simptoma të ngjashme si: çrregullimi i përshtatjes, ankthi ose depresioni. Për më tepër, Burnout është një kusht që i referohet vetëm një konteksti pune dhe nuk mund të shtrihet në fusha të tjera të jetës.
I pari që u mor me Burnout ishte psikologu Herbert Freudenberger me një artikull shkencor të publikuar në vitin 1974, ku megjithatë, ai foli për një sindrom që referonte kryesisht të ashtuquajturat profesione ndihmëse si infermieret dhe mjekët, e pastaj shtrihej në përgjithësi tek njerëzit që kujdeseshin për ndihmë ose hynin vazhdimisht në kontakt me të tjerët që jetonin në vuajtje ose dhimbje.
Përgatiti Orjona TRESA / Burimi: ansa.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.