Stresi në punë është diçka shqetësuese: ekspertët sugjerojnë se efektet e bullizmit dhe stresit në punë shkaktojnë stres të zemrës njësoj si diabeti dhe alkooli.
Pasojat e stresit në punë: rriten rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare
A ndiheni vazhdimisht të stresuar, të shqetësuar apo të ngacmuar në punë? Jo vetëm që është e dëmshme për shëndetin tuaj mendor, por mund të ndikojë edhe në zemrën tuaj. Njerëzit të cilët raportojnë se janë duke u ngacmuar në punë kanë qenë 120% më të prirë të vuajnë nga sëmundjet e zemrës, sugjeron një hulumtim i ri.
Ata që kanë raportuar dhunë në vendin e punës janë 36% më të rrezikuar të vuajnë nga një goditje në tru. Studimi, i publikuar në ‘European Heart Journal’, shqyrtoi të dhënat e 79,201 njerëzve nga Danimarka dhe Suedia midis 1995 dhe 2011. Njerëzit ishin të moshës 18 dhe 65 vjeç pa histori të sëmundjeve kardiovaskulare. Vullnetarët u pyetën nëse kishin vuajtur nga bullizmi apo stresi në vendin e punës, dhe pastaj u ballafaquan me normat e sëmundjeve të zemrës dhe iktusit.
Autori kryesor i studimi,Tianwei Xu, student i doktoraturës në Universitetin e Kopenhagës në Danimarkë, tha: “Nëse ka një lidhje shkakësore midis ngacmimit apo stresit në punë dhe sëmundjeve kardiovaskulare, atëherë heqja e ngacmimit në vendin e punës do të thotë se ne mund të shmangen 5% të të gjitha rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare dhe çrrënjosja e dhunës në vendin e punës do të parandalonte më shumë se 3% të të gjitha rasteve”.
Dr. Xu dhe kolegët e saj marrin gjithashtu në konsideratë edhe indeksin e masës trupore të vullnetarëve, konsumimin e alkoolit, pirjen e duhanit, çrregullimet mendore, sëmundjet e mëparshme shëndetësore, ndryshimin e punës dhe punësimin të cilët konsiderohen faktorë rreziku të sëmundjeve të zemrës.
9% e vullnetarëve raportojnë se janë ngacmuar në punë dhe 13% kanë raportuar dhunë ose kërcënime të dhunës vitin e fundit – gjë që rrit ndjeshëm nivelet e stresit. Nga këto, 59% e atyre që kanë vuajtur nga ngacmimi në vendin e punës kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, si dhe 29% e atyre që kanë përjetuar kërcënime të dhunës.
Krahasuar me ata që nuk vuanin nga ngacmimi në vendin e punës, ata që u sulmuan çdo ditë për një vit kishin një rrezik të sëmundjeve të zemrës 120% më të lartë. Dhe ata që u përballën me dhunë çdo ditë kishin 36% më shumë gjasa të pësonin një goditje.
“Dhuna dhe ngacmimi në punë janë të lidhura me një rrezik më të lartë të sëmundjes kardiovaskulare në një mënyrë shkak-pasojë, me fjalë të tjera, sa më i madh të jetë ekspozimi ndaj ngacmimit apo dhunës, aq më i madh është rreziku i sëmundjes kardiovaskulare. Ndikimi i ngacmimit dhe dhunës në sëmundjet kardiovaskulare është i krahasueshëm me faktorë të tjerë të rrezikut, siç është diabeti dhe konsumimi i alkoolit, gjë që thekson më tej rëndësinë e ngacmimit dhe dhunës në vendin e punës në lidhje me parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Është e rëndësishme që të parandalohen ngacmimet dhe dhuna në vendin e punës, pasi ato janë stresuese për ata që janë të ekspozuar dhe është gjithashtu e rëndësishme që të ketë politika për të ndërhyrë në rastet e dhunës“.
Simptomat e stresit të vazhdueshëm në punë
Ndërsa stresi i punës herë pas here mund të menaxhohet, stresi i vazhdueshëm mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë ulcerat e stomakut, dhimbjet kronike, depresionin, marrëdhëniet e dështuara, sëmundjet e zemrës, goditjet dhe varësinë nga alkooli dhe drogat e tjera.
Këtu janë simptomat kryesore:
- Pagjumësi
- Stomak i paqëndrueshëm dhe tretje e dobët
- Tension të lartë
- Vazhdoni të mendoni për punën edhe kur jeni në shtëpi
- Nervozizëm
- Nuk keni kohë të mjaftueshme për afatet e punës, projektet, familjen apo edhe veten
- Përqendrim i ulët
- Pak aftësi për t’u shoqëruar
Burimi / http://www.affaritaliani.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.