Nga Aurora Golemi
Universiteti “Luarasi” ka zgjeruar hartën e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke nënshkruar një marrëveshje me Instituti ndërkombëtar për diplomacinë kulturore me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryetar i Bordit të Administrimit i Universitetit “Luarasi” ambasador Dashnor Dervishi së bashku me zëvendës rektoren profesore Anni Dasho dhe administratorin Kino Buxheli pritën drejtorin e Institutit Ndërkombëtar për Diplomacinë Kulturore dhe një anëtare të bordit, pjesë e delegacionit.
Ky institut prestigjioz ka bashkëpunime të shumta për shkëmbimet kulturore si në Lindje dhe Perëndim. Diplomacia kulturore ndihmon shumë në krijimin e imazhit të mirë për vendin dhe universiteti “Luarasi” do të jetë jo vetëm një pikë kontakti por edhe urë e rëndësishme duke iu shërbyer në radhë të parë studentëve sipas Mohamad Kamil Ali Muaini, drejtuesit të Institutit ndërkombëtar për diplomacinë kulturore.
“Ne kemi ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si fillim synimi ynë është të thellojmë marrëdhëniet mes Emirateve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Kemi ardhur këtu tek Universiteti “Luarasi” për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, që do u shërbejë studentëve por jo vetëm edhe stafit akademik sa i takon shkëmbimeve mes nesh, ne edhe në logon tonë e kemi shkruar: Jemi ura për të ardhmen, në fakt ura për të ardhmen tonë janë studentët! Bashkëpunimi ynë do të fokusohet tek mobilitetit për të kuptuar më mirë se çfarë është diplomacia kulturore por edhe për ta promovuar me tej diplomacinë kulturore me dy vendeve tona”, u shpreh për News24 Mohamad Kamil Ali Muaini, drejtor i Institutit ndërkombëtar për diplomacinë kulturore.
Marrëveshja mes Instituti Ndërkombëtar për Diplomacinë Kulturore dhe “Luarasit” konsiston edhe në çeljen e një programi master në Diplomaci Kulturore për të angazhuar studentët e interesuar në veprimtarinë e diplomacisë kulturore, duke promovuar dhe duke nxitur një zhvillim ndërkulturor.
Diplomatët e angazhuar në këtë fushë, ashtu edhe studiuesit e vlerësojnë si shumë produktive këtë formë të diplomacisë dhe pothuajse të gjithë këta u rekomandojnë qeverive që të shtojnë angazhimin për perfeksionimin dhe zgjerimin e aktiviteteve të diplomacisë kulturore.
Burimi BalkanWeb
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.