4 filxhanë me kafe në ditë mund të jetë receta për një zemër të shëndetshme, sidomos për të moshuarit. Një grup shkencëtarësh nga Gjermania, të drejtuar nga biologët molekular Judith Haendeler dhe Joachim Altschmied, mendojnë se kanë zbuluar të dhëna që tregojnë për magjinë e kafes në shëndetin e zemrës dhe sa kafeinë duhet të konsumojmë çdo ditë për të marrë sa më shumë përfitime.
Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit që pinë kafe janë më pak të rrezikuar që të vdesin nga një sërë sëmundjesh, si sëmundjet e zemrës, goditja në tru ose diabeti. Dy studime, njëri i kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA tek më shumë se 400 mijë njerëz dhe tjetri i kryer tek më shumë se 500 mijë evropianë, kanë zbuluar se konsumuesit e kafes janë më pak të rrezikuar që të vdesin nga çfarëdolloj shkaku krahasuar me ata që nuk e konsumojnë fare kafen.
“Konsumimi i 4 filxhanë kafe përmirëson funksionin e qelizave dhe i bënë ato më protektive”, tregon Altschmied.
Kafja lidhet gjithashtu me një sërë përfitimesh të tjera shëndetësore, si ulja e rrezikut për sëmundjen e mëlçisë (cirroza), rrezik më i vogël për zhvillimin e një sërë llojeve të kancerit, rrezik më të ulët për zhvillimin demencës, alzhajmerit dhe depresionit. Kafja është gjithashtu e mirë për zemrën – njerëzit që pinë 3 ose 4 filxhanë kafe në ditë mund të jenë 19% më pak të rrezikuar që të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare.
Studimi është publikuar tek revista PLOS Biology.
Burimi / scan-tv.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.