Studim

March 4, 2019 | 11:39

Studim / Bullizmi i vazhdueshëm dëmton trurin e fëmijëve

Viktimat e ngacmimeve kronike mund të rezultojnë jo vetëm me probleme psikologjike, por edhe me probleme mendore me kalimin e kohës. Dihej që ngacmimi ose bullizmi tek fëmijët ishte dëmtues, por jo se mund të dëmtonte edhe trurin e një fëmije të shëndetshëm e të fortë.

Një studim i fundit ka treguar se ngacmimi i vazhdueshëm nga grupi i bashkëmoshatarëve mund të ketë pasoja jo vetëm psikologjike, por edhe në tru, dhe për këtë arsye të çojë në probleme të ardhshme të shëndetit mendor.

Pasoja të forta tek viktima

Bullizmi kronik është një sjellje ngacmimi ndaj një fëmije, e përbërë nga sjellje agresive dhe abuzive nga bashkëmoshatarët, që ndodh vazhdimisht me kalimin e kohës. Një hulumtim i kryer nga Erin Burke Quinlan në Londër dhe i botuar së fundmi, ka treguar se në trurin e adoleshentëve që janë viktima të ngacmimeve kronike, ka dallime strukturore.

Janë analizuar shumë faktorë

Hulumtuesit britanikë analizuan të dhënat e pyetësorëve dhe skanimet e trurit të 682 pjesëmarrësve të moshës 14-19 vjeç, nga Anglia, Franca, Irlanda dhe Gjermania dhe studimi afatgjatë synonte të analizonte zhvillimin e trurit tek adoleshentët dhe shëndetin e tyre mendor.

Dallimet tek ata që janë ngacmuar për një kohë të gjatë

Në moshën 14, 16 dhe 19 vjeçare studentët plotësuan një pyetësor që hulumtoi karakteristikat e bullizmit të përjetuar (modaliteti, lloji dhe kohëzgjatja): rezultatet treguan se 36 djem nga 682 ishin viktima të ngacmimeve kronike. Të dhënat e këtij pyetësori u krahasuan me ato të djemve që nuk ishin ngacmuar ose që nuk e kishin vuajtur bullizmin vazhdimisht. Rezultatet konfirmuan korrelacionin midis ngacmimit të vuajtur dhe shqetësimit mendor që pasohet.

Zbulimi është se disa pjesë të trurit, tek djemtë viktima të ngacmimeve kronike, reduktohen në vëllim krahasuar me trurin e një bashkëmoshatari që nuk ka përjetuar ngacmime. Këto struktura janë të lidhura me sjelljet në lidhje me ndjeshmërinë, motivimin, vëmendjen dhe përpunimin emocional.

Ç’duhet të dini?

Sipas udhëheqësit të hulumtimit, Burke Quinlan, është gjithnjë e më e rëndësishme që të luftojmë bullizmin midis adoleshentëve, përpara se të bëhet një problem serioz që modifikon trurin, duke shkaktuar një rritje të problemeve të shëndetit mendor .

 

Burimi / pernenat.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top