Pasioni për kafen ose për çajin është i shkruar në ADN, ndonëse njeriu është i programuar që shijen e së hidhurës ta lidhë me një rrezik të mundshëm, disa gjene na bëjnë më të ndjeshëm ndaj kësaj shije dhe modifikojnë shijet tona për kafen, çajin dhe alkoolin, kjo sipas një studimi të drejtuar nga instituti australian “QIMR Berghofer” dhe të publikuar në revistën “Scientific Reports”.
Studiuesit e drejtuar nga Jue Sheng Ong dhe Liang Dar Hwang, kanë analizuar më shumë se 400 000 gjenome të ruajtur në një prej bankave gjenetike më të mëdha të botës, britanikja “Biobank”, në kërkim të llojeve të ADN-së të lidhura me perceptimin e substancave të ndryshme të hidhësisë si propiltiouracil ose Prop, që përdoret si ilaç kundër tiroideve, kinina, që ka veti kundër malaries, ul temperaturën dhe analgjezike, si dhe kafeina. Kjo analizë u bë për të parë efektet e ndryshme të perceptimit të hidhësisë mbi konsumin e kafesë, çajit apo alkoolit.
Në këto analiza hulumtuesit zbuluan se ndjeshmëria më e lartë ndaj hidhësisë së kafeinës, që shkaktohet nga prania e gjeneve specifike, lidhet me një konsum më të lartë të kafesë dhe me një probabilitet më të lartë për të qenë një person që e pëlqen shumë këtë pije.
Ndërsa kur ndjeshmëria është më e lartë për Prop dhe kininë rritet dëshira për të konsumuar shumë çaj por pak kafe. Për sa i përket alkoolit, ky studim sqaron se perceptimi më i lartë i Prop-it lidhet me konsume të ulëta, ndërsa dy substancat e tjera nuk kanë ndonjë influencë në veçanti.
Burimi / ata.gov.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.