Fëmijët në moshë madhore që nuk pinë duhan, por që kanë prindër duhanpirës, janë më të rrezikuar të preken nga sëmundjet e rënda të mushkërive. Kështu thotë një studim i ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë studim u përfshinë 70.900 burra dhe gra jo duhanpirës. Ekspertët thanë se mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët është ndalimi i duhanit.
Nëse fëmijët jetojnë me prindër duhanpirës, në moshë të mëvonshme do të shfaqin komplikime shëndetësore. Ekspozimi ndaj tyre për rreth 10 orë apo më shumë në javë, rrit rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës me 27%, ndërsa rreziku për t’u prekur nga sëmundjet kronike të mushkërive rritet me 42%, krahasuar me ata fëmijë që jetojnë me prindër jo duhanpirës.
Ky studim u udhëhoq nga “American Cancer Society” dhe u botua në Revistën Amerikane të Mjekësisë Parandaluese. Personat që morën pjesë në këtë studim janë ndjekur përgjatë 22 viteve, për të parë dëmet e shkaktuara në shëndet nga jetesa me prindër duhanpirës. Këta fëmijë janë më të prirur të rrezikohen nga astma dhe zhvillimi i dobët i mushkërive.
Burimi / tvklan.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.