Hidratimi i lëkurës është mënyra më e mirë për të mos e lënë atë të thatë dhe për ta mbajtur të freskët. Por a ekziston një lidhje midis lëkurës së thatë dhe një sërë sëmundjesh që lidhen me moshën?
Hulumtuesit nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisko kanë arritur në përfundimin se lëkura e dëmtuar nga mosha mund të jetë një faktor kontribues për një numër problemesh të lidhura me moshën, si sëmundjet e zemrës dhe sëmundja e Alzheimerit. Në hulumtimet e publikuara më herët në Journal of the European Academy of Dermatology, shkencëtarët treguan për vëzhgimin që kishin bërë tek të rriturit e moshuar.
“Njerëzit e moshuar shfaqin inflamacion sistemik kronik subklinik një gjendje që lidhet me një sërë çrregullimesh kronike që lidhen me moshën, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2, osteoporozën dhe sëmundjen Alzheimer.
Për ta kuptuar këtë, duhet të kuptojmë se çfarë janë citokinet. Këto proteina të vogla lëshohen nga sistemi imunitar i trupit për të sinjalizuar inflamacionin në zonat e dëmtuara të lëkurës. Nëse këto proteina hyjnë në sistemin e qarkullimit, fillon procesi i inflamacionit dhe plakjes. Të moshuarit janë më të prirur për këtë, sepse lëkura e tyre është më e prirur për t’u dëmtuar.
Pas përfundimit të studimit të UCSF, studiuesit zbuluan se të moshuarit, të cilët përdorën tre mililitra kremra të lëkurës për ta hidratuar dy herë në ditë, kishin ndjeshëm më pak citokina të lidhura me sëmundjet kronike.
Dr. Gayatri Devi, një neurolog në Spitalin Lenox Hill në Nju Jork tha se është kuptuar prej kohësh që shënuesit inflamatorë shoqërohen me ndryshime patologjike të lidhura me plakjen, siç janë sëmundjet kardiovaskulare dhe Alzheimer. Ideja e përdorimit të një trajtimi të thjeshtë si për shembull, një hidratues i lëkurës, është një mënyrë për të zvogëluar inflamacionin e lidhur me moshën. Hulumtimi nxjerr në pah rëndësinë e hidratimit të lëkurës sidomos tek të moshuarit.
Lëkura e hollë dhe plakja
Lëkura është “organi” ynë më i madh dhe barriera kryesore midis pjesës tonë të brendshme dhe botës së jashtme. Por shëndeti i lëkurës nuk duhet t’ju vijë në mendje vetëm kur keni probleme. Një nga mënyrat më të mira për të ruajtur shëndetin e mirë të lëkurës është thjesht ta mbani atë të hidratuar. Hidratimi ndihmon në ruajtjen e barrierës së lëkurës, barrierën ndaj botës së jashtme. Është e rëndësishme të ruhet ky aspekt, veçanërisht për njerëzit më të moshuar që e kanë më të vështirë për të ruajtur lagështirën në lëkurë.
Pra, çfarë ndodh me lëkurën tonë teksa plakemi?
Vepron graviteti dhe lëkura humbet elasticitetin e saj. Kjo mund të hollojë lëkurën e jashtme dhe të pengojë aftësinë e saj për të qëndruar e hidratuar. Për më të rinjtë, është mirë që trupi të pastrohet duke përdorur sapunë natyralë, pasi produktet me aroma dhe parfume përmbajnë irritues që mund të ndikojnë negativisht në lëkurë. Sa i përket kohës më të mirë për t’u hidratuar, rekomandohet ajo kur dilni nga dushi sepse ndihmon në ruajtjen e lagështirës që është tashmë në lëkurë. Së fundi, është e rëndësishme të mbani mend se nxehtësia e madhe mund ta thajë lëkurën dhe kjo përfshin edhe ujin e nxehtë gjatë dushit.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.