Kur kanceri fillon të përhapet në pjesët e tjera të trupit, shërimi i tij bëhet shumë më i vështirë. Studimi i ri, i publikuar në revistën “Cell Reports”, zbulon se kolesteroli i keq (LDL) luan një rol të rëndësishëm në përhapjen e kancerit.
Shfaqja e kancerit ndodh kur qelizat normale të trupit fillojnë të sillen në mënyrë jonormale, rriten në mënyrë të pakontrolluar, shumohen dhe formojnë tumore. Nëse nuk trajtohet në kohë, qelizat e kancerit shumë shpejt mund të fillojnë të përhapen në pjesët e tjera të trupit, gjë që është një nga shkaqet kryesore të vdekjes nga kanceri.
Nëse e kuptojmë ne kohë përhapjen e kancerit apo metastazën, trajtimi i tij do të bëhet shumë më i suksesshëm. Shkencëtarët po bëjnë përpjekje të mëdha që ta analizojnë sa më mirë metastazën.
Shkencëtarët nga Australia kanë analizuar sjelljen e qelizave të trupit nën ndikimin e kolesterolit të mirë (HDL) dhe të keq (LDL). Rezultatet e analizave laboratorike kanë treguar se qelizat e kancerit përhapen më shpejt në qelizat e shëndetshme të trupit nën ndikimin e kolesterolit të keq (LDL). Ata nuk e dinë ende shkakun e saktë, por kanë zbuluar se kolesteroli i mirë (HDL) nuk shkakton përhapjen e qelizave të kancerit.
“Ne besojmë se me një kontrollim më të mirë të niveleve të kolesterolit të keq do të mund të ngadalësohej ose parandalohej përhapja e qelizave të kancerit”, thotë udhëheqësi i studimit, prof. Thomas Grewal.
Burimi / telegrafi.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.