Pirja e një gotë me lëng portokalli çdo ditë mund të reduktojë ndjeshëm rrezikun e prekjes nga Demenca, sipas një studimi. Studiuesit e Bostonit gjurmuan rreth 28,000 burra për dy dekada për të shqyrtuar se si konsumi i frutave dhe perimeve ndikonte në kapacitetin e trurit të tyre.
Ata gjetën se njerëzit që pinë një gotë të madhe lëng portokalli kishin 47% më pak vështirësi me kujtesën, të ndiqnin udhëzimet ose të kujtonin ngjarjet familjare. Prishja e kujtesës, kuptimi dhe konfuzioni mund të jenë shenjat e para të rënies së trurit që përfundimisht mund të çojnë në çmenduri vdekjeprurëse. Është vlerësuar se 46.8 milionë njerëz në të gjithë botën, vuajnë nga Demenca.
Nuk ka shërim për sëmundjen, por shkencëtarët po përpiqen të gjejnë një shërim për çrregullimin që shkatërron kujtesën. Kjo dëshmi e re rikonfirmon rëndësinë e një diete të shëndetshme për të shmangur degjenerimin e trurit që vjen nga mosha e vjetër. Frutat dhe perimet janë të pasura me vitamina dhe lëndë ushqyese, duke përfshirë antioksidantë, të cilët mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit. Këto përfitime shëndetësore mund të mbrojnë trurin nga një grumbullim i molekulave të padëshirueshme dhe të ruajnë një furnizim të shëndetshëm të gjakut në tru.
Autori kryesor i studimit, Changzheng Yuan, tha se: “marrja afatgjatë e perimeve, frutave dhe lëngjeve të portokallit mund të jenë të dobishme për të ruajtur funksionin njohës”. Roli mbrojtës i konsumit të rregullt të lëngjeve të frutave është vërejtur sidomos tek meshkujt e moshuar, tha Yuan. Meqë lëngjet e frutave janë përgjithësisht të larta në kalori nga sheqernat e koncentruar të frutave, zakonisht është mirë që të mos konsumohen më shumë se një gotë në ditë.
Konsumi i frutave dhe perimeve mund të jetë një pjesë e enigmës për të ruajtur shëndetin njohës dhe duhet parë së bashku me sjelljet e tjera që besohet se mbështesin shëndetin kognitiv.
Burimi / benesserefeed.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.