Fëmijët e prindërve të divorcuar kanë më shumë gjasë që të divorcohen edhe vet. Por, a është ky një produkt i natyrës apo i edukimit?
Për këtë vjen në ndihmë një studim i “The Economist”, i ngritur mbi pyetjen: A është divorci në ADN-në tuaj?
Në studim thuhet se, është thuajse e pranuar gjerësisht se fëmijët e prindërve të divorcuar kanë më shumë gjasë që të divorcohen edhe vet në të ardhmen e tyre.
Por, a e mësojnë fëmijët sjelljen e “ndërprerjes së martesës” nga prindërit e tyre, apo e trashëgojnë atë?
Një kërkim i fundit sugjeron se është pikërisht kjo e fundit.
Shkencëtarë amerikanë zhvilluan një studim duke përdorur regjistrin kombëtar suedez. Këto baza të dhënash ruajnë informacione mbi të gjithë qytetarët suedezë, përfshi edhe statusin e gjendjes civile, edukimin, si dhe prindërit biologjikë e ata adoptues të fëmijëve.
Duke analizuar të dhënat e rreth 20 mijë fëmijëve të adoptuar, studimi doli në konkluzionin se fëmijët kishin 20% më shumë gjasa për t’u divorcuar, nëse prindërit e tyre biologjikë ishin divorcuar gjithashtu. Por, asnjë gjasë për t’u divorcuar nëse prindërit e tyre adoptues do të ndaheshin.
Kërkuesit shqyrtuan gjithashtu edhe të dhënat mbi vëllezërit e motrat e adoptuar dhe atyre biologjikë, të rritur në të njëjtën familje. Nëse prindërit e tyre do të divorcoheshin, fëmijët biologjikë vëllezër apo motra do të kishin më shumë gjasë për t’u divorcuar në jetët e tyre, ndërsa fëmijët e adoptuar nuk do të ndikoheshin aspak.
Pra, studimi sugjeron në mënyrë bindëse se gjenet janë një faktor i rëndësishëm në divorcet mes brezave të ndryshëm.
Burimi / http://top-channel.tv
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.