Mbani një qen dhe do të kesh një zemër më të shëndetshme. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë një studim i publikuar nga klinika Mayo.
Në studim u përfshinë 1769 njerëz të moshave nga 25 në 64 vjeç, pa histori të sëmundjeve të zemrës. Shëndeti i përgjithshëm kardiovaskular i pjesëmarrësve u vlerësua duke u bazuar në shenjues të ndryshëm të shëndetit, si indeksi i masës trupore, dieta ushqimore, aktiviteti fizik, duhanpirja, tensioni i gjakut, sheqeri në gjak dhe nivelet totale të kolesterolit.
Më pas, studiuesit krahasuan rezultatet shëndetësore të atyre që mbanin kafshë shtëpiake (42% e grupit) me ata që nuk mbanin. Ata zbuluan se, në përgjithësi, personat që mbanin kafshë shtëpiake, kishin më shumë gjasa të ruanin një stil jetese aktiv dhe një dietë ushqimore të shëndetshme për zemrën. Ata kishin gjithashtu nivele më të shëndetshme të tensionit të gjakut, sheqerit në gjak dhe kolesterolit.
Megjithatë, kur studiuesit krahasuan pronarët e kafshëve, ata që mbanin qen, kishin rezultate më të mira shëndetësore se sa ata që mbanin kafshë të tjera shtëpiake.
Gjetjet mbështesin dhe studime të tjera që kanë zbuluar se pronarët e qenve ecin më shumë dhe kanë nivele më të ulëta stresi dhe izolimi social, e të gjitha këto ulin riskun e për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.