Puna me orë të gjata rrit rrezikun për goditje në zemër. Ky është përfundimi i një studimi të ri të Shoqatës Amerikane të Zemrës. Të gjithë kërkojnë të ardhura më të mira, por cilat janë kostot mbi shëndetin? Studimi i ri i Shoqatës Amerikane të Zemrës analizon lidhjen mes orëve të gjata të punës dhe rritjes së rrezikut për goditje në zemër.
Ndarja e kohës për vete ishte diçka të cilën 42-vjeçari Jeff Hiserodt nuk e ka bërë kurrë. “Punoja për rreth 60 deri në 65 orë në javë”, tha ai. Hiserodt punonte 7 ditë në javë derisa pësoi një goditje në zemër 1 vit e gjysmë më parë. Sipas studimit të publikuar në Journal Stroke, ata që punojnë me orë të gjata për më shumë se 10 vite, kanë rreth 45% mundësi të pësojnë goditje në zemër. Kjo vlen veçanërisht për personat nën moshën 50 vjeçare.
“Lloji i punës që bëni ka ndikim tek kjo. Lloji i jetës që bëni po ashtu ka ndikim”, tha Dr. Arbi Ohanian, drejtor mjekësor i programit të goditjeve në zemër pranë Spitalit Huntington. Në studim, punë me orë të gjata konsiderohet puna për 10 orë ose më shumë për të paktën 50 ditë në vit. Amerikanët punojnë mesatarisht nga 47 në 50 orë në javë.
Megjithatë Ohanian tha se “nuk mund t’u thuash njerëzve që mos punoni se është stresuese, çdo punë është stresuese në llojin e vet.” Mjeku tha se është shumë e rëndësishme që njerëzit të bëjnë gjëra që parandalojnë goditjet në zemër, siç është edhe lënia e duhanit. Ai po ashtu foli për rëndësinë e “një diete të shëndetshme, ushtrimeve për të paktën 30 minuta në ditë dhe adresimin e problemeve që mund të keni si tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, probleme të tjera kardiake, etj.”
Për vetë Hiserodt, edhe menaxhimi i stresit është kthyer në prioritet. “Harxhoj kohë duke marrë mësime pikture me shokët. Ushtrohem. Ngas biçikletën. Kam ndryshuar krejtësisht jetën. Dua ta shfrytëzoj mundësinë e dytë që më është dhënë për të jetuar”, tha ai.
Burimi / tvklan.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.