Sipas një studimi të publikuar në gazetën mjekësore “Nature”, një proteinë e vetme që gjendet zakonisht në disa ushqime mund të jetë çelësi për të parandaluar avancimin e llojeve më vdekjeprurës të kancerit të gjirit.
Studiuesit zbuluan se duke limituar një aminoacid të quajtur asparagin tek minjtë e laboratorit, me kancer, trefish negativ të gjirit, ata mund të reduktonin në mënyrë domethënëse aftësinë e kancerit për t’u përhapur nga njëra qelizë në tjetrën. Një nga teknikat që studiuesit përdorën për ta bërë të mundur këtë gjë ishte dhe përdorimi i një diete pa asparagin.
Asparagina gjendet në shumë ushqime që janë pjesë e pandashme e dietës sonë si: bulmeti, mishi i viçit, vezët, peshku, shpargu, patatet, arrat, disa lloje farash, soja dhe drithërat. Ndërsa ushqimet që kanë përmbajtje të ulët asparagine janë frutat dhe shumica e perimeve.
“Studimi ynë i shtohet provave të shumta që tregojnë se dieta mund të influencojë në avancimin e disa lloje sëmundjesh”, tha Profesor Doktor, Simon Knott, një nga 2 autorët kryesorë. Studimi u krye në më shumë se 10 institucione shëndetësore në SHBA të cilat dolën në të njëjtin konkluzion.
Nëse studime të mëtejshme e konfirmojnë studimin tonë edhe për qelizat njerëzore, limitimi i asparaginës në dietën e pacientëve me kancer gjiri mund të jetë një strategji e mirë, e cila duke u kombinuar me terapitë ekzistuese mund të sjellë kurimin e këtyre pacientëve.
Studimi i efekteve të asparaginës mundet gjithashtu të zbulojë trajtime për tipe të tjera të kancerit. “Ky studim mund të ketë ndikuar jo vetëm në kurimin e kancerit të gjirit por edhe të shumë llojeve të tjera të kancereve metastatike”, tha Ravi Thadhani zëvendës dekan në Universitetin Cedars-Sinai.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.