Një studim i pothuajse një milion danezëve ka zbuluar se të rinjtë që jetojnë në hapësira të gjelbra kanë deri në 55 % më pak gjasa që të përjetojnë një çrregullim të shëndetit mendor më vonë gjatë jetës. Hapësirat e gjelbra ndihmojnë për të krijuar komunitete shoqërore, si dhe inkurajojnë njerëzit që të lëvizin fizikisht, thonë studiuesit.
Kjo përmirëson zhvillimin njohës të një fëmije, i cili mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin e tij mendor. Sipas OBSH-ës më shumë se 450 milion njerëz në botë vuajnë nga çrregullimet mendore. Hulumtuesit përdorën të dhënat satelitore të mbledhura mes viteve 1985 dhe 2013 për të vlerësuar hapësirën e gjelbër rreth shtëpive të fëmijërisë së gati një milion danezëve.
Këto të dhëna u krahasuan më pas me rrezikun e zhvillimit të 16 çrregullimeve të ndryshme mendore, duke përfshirë skizofreninë, anoreksinë dhe depresionin. Rezultatet thanë se njerëzit që ishin rrethuar në fëmijëri nga hapësirat e gjelbra, ishin më pak të rrezikuar nga një çrregullim mendor. I njëjti rezultat ndodhi edhe pasi u përfshinë element të tjerë si socio-ekonomik, urbanizimi dhe historitë familjare të problemeve të shëndetit mendor.
Rreziku i zhvillimit të një çrregullimi mendor zvogëlohet gradualisht sa më gjatë që të jeni rrethuar nga hapësira të gjelbra që nga lindja dhe deri në moshën 10 vjeçare. Ekzistojnë dëshmi gjithnjë e më të mëdha se mjedisi natyror luan një rol më të madh për shëndetin mendor sesa ishte menduar më parë. Zhurma, ndotja e ajrit, infeksionet dhe kushtet e dobëta socio-ekonomike rrisin rrezikun e një çrregullimi mendor, sipas studimit.
Studiuesit po u kërkojnë Bashkive apo planifikuesve të qyteteve të rrisin sa më shumë hapësirat e gjelbra në mënyrë që të përmirësojnë shëndetin mendor të njerëzve.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.