Njerëzit me ankth dhe depresion mund të kenë një rrezik në rritje për të vdekur nga disa lloje kanceresh, sipas një studimi të ri. Kërkimi, i cili u shtri për gati një dekadë provoi se, ata që përjetuan nivele të larta të shqetësimit psikologjik kishin më shumë gjasa të vdisin nga kanceri, sesa ata të cilët raportuan nivele të ulëta të shqetësimit.
Ka disa prova se ankthi apo depresioni janë të lidhura me rritjen e normave të sëmundjeve kardiovaskulare, por lidhjet me lloje të ndryshme të kancerit kanë qenë të paqarta ose të paprovuara.
Një ekip i studiuesve nga University College në Londër, Universiteti i Edinburgut dhe Universiteti i Sidneit studiuan nëse ankthi apo depresioni mund të veprojnë si parashikues i vdekjeve nga kanceri.
Ata analizuan të dhënat nga 16 studime (13 nga Anglia dhe tre nga Skocia), të cilët u kryen në mes të viteve 1994 dhe 2008. Në total, në studim u përfshinë 163,363 meshkuj dhe femra të moshës 16-vjeç, të cilët nuk kanë pasur kancer në fillim të studimit.
Rezultatet psikologjike të ankthit janë matur duke përdorur një pyetësor të përgjithshëm shëndetësor. Gjatë kësaj kohe, ka pasur 4,353 vdekje nga kanceri. Disa faktorë që mund të kenë ndikuar rezultatet janë marrë në konsideratë, duke përfshirë moshën, gjininë, arsimimin, statusin socio-ekonomik, BMI, pirjen e duhanit dhe konsumin e alkoolit.
“Pas kontrollit statistikor për këta faktorë, rezultatet tregojnë se ata që ishin të pikëlluar kishin shanse më të mëdha për prekjen nga kanceri i zorrëve, prostatës, pankreasit ezofagut dhe leucemia,” thonë autorët.
Sipas tyre, “Shëndeti i dobët mendor mund të parashikojë për sëmundje të caktuara fizike”.
Megjithatë, ata pranojnë se ende nuk kanë arritur të konfirmojnë nëse këto marrëdhënie janë me të vërtetë shkakësore apo jo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.