Kam intervistuar ndoshta rreth 100 CEO dhe, me pak përjashtime, konstatimi im ka qenë se CEO-t, veçanërisht në kompani të mëdha, priren të jenë më egoistë, kanë besim të tepruar te vetja dhe janë plotësisht të bindur për gjenialitetin e tyre.
Kam menduar gjithnjë se këto të meta në karakterin e tyre i çuan ata deri aty sa të bëheshin CEO, por nuk është kështu. Për të ngjitur shkallët në karrierë apo për të rritur më tej një kompani, CEO-t kanë nevojë për ndjeshmëri (për të punuar mirë me të tjerët) dhe përulësi (për të vënë mënjanë idetë e tyre në favor të atyre të eprorëve).
Mesa duket CEO-t “dalldisin” pasi arrijnë qëllimet e tyre, pasi ushtrimi i pushtetit (në kompani apo politikë) shkakton dëmtime në tru, sipas një studimi të kryer në McMaster University në Ontario.
Këtë e kam shpjeguar në një artikull të fundit te The Atlantic – neuroshkencëtari Sukhvinder Obhi përdori metodën e stimulimit magnetik në zona të vogla në tru (Transcranial Magnetic Stimulation – TMS) te një person me pushtet dhe një person pa pushtet dhe gjeti se pushteti dëmton një proces të veçantë nervor, “pasqyrimi” – që është shumë i rëndësishëm për ndjeshmërinë.
Ndonëse duket e çuditshme, që faktorët e jashtëm mund të shkaktojnë ndryshime në strukturën e trurit, truri njerëzor ka aftësinë e neuroplasticitetit, gjë që e bën atë të “rikrijojë” vazhdimisht vetveten.
Për shkak se ushtrimi i pushtetit mbi grupe të mëdha njerëzish nuk bën pjesë në AND-në njerëzore nuk habit fakti që ka efekte të mëdha negative në funksionimin e trurit.
Rezultatet e neuroshkencëtarit Obhi janë jehonë e një pune 20-vjeçare eksperimentimesh në laborator dhe në terren të Dacher Keltner, profesor psikologjie në UC Berkely.
Keltner thotë se “njerëzit, nën ndikimin e pushtetit vepronin sikur të kishin pësuar një dëmtim traumatik në tru, duke u bërë më impulsivë, më pak të vetëdijshëm për rrezikun dhe më pak të aftë t’i shohin gjërat nga këndvështrimi i të tjerëve. Është e pritshme që sasia e dëmtimeve në tru të rritet kur personat me pushtet rrethohen nga njerëz servilë dhe lajkatarë, që përshtaten dhe kënaqin kapriçiot dhe luhatjet e humorit të tyre”.
Sipas një artikulli të publikuar në Brain: A Journal of Neurology, në pjesën më të madhe të rasteve, dëmtimi në tru mund të krijojë një gjendje të quajtur “Sindroma Hubris” e cila manifestohet me sjelljet e mëposhtme:
-E shohin botën si një vend për vetëlëvdim, nëpërmjet përdorimit të pushtetit
-Kanë tendencën që të ndërmarrin veprime kryesisht për të rritur imazhin personal
-Shfaqin shqetësim të tepruar për imazhin dhe paraqitjen
-Shfaqin ekzaltim në të folur
-Tregojnë vetëbesim të tepruar
-Përçmojnë të tjerët
-Humbin kontaktin me realitetin
-Ndërmarrin veprime të pamatura dhe impulsive
-Tregojnë paaftësi në politikëbërje
Është e çuditshme që shumë CEO kompanish sillen (pak a shumë) normalisht.
CEO-t të cilët nuk duan të vuajnë nga dëmtimet e trurit (dhe nga sindroma Hubris dhe dështimi) duhet të bëjnë disa hapa pozitivë për ta shmangur këtë gjë.
Ekspertët këshillojnë:
1.Mbani pranë vetes njerëz, të cilët ju njohin para se të bëheshit i famshëm, që t’jua thonë gjërat ashtu siç janë.
2.Inkurajoni dhe shpërbleni ndershmërinë, por ndëshkoni lajkat, nga punonjësit dhe këshilltarët.
3.Shmangni të mirat dhe privilegjet që ju jep pushteti, të cilat vetëm ju izolojnë nga ndërveprimet normale njerëzore.
Pra nëse dëshironi të ngrini një kompani, ju duhet së pari të “pastroni rrënjët tuaja” në mënyrë që të mbani trurin të paprekur.
*Geoffrey James
Burimi: Inc/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.