Këshilla & Arsye

June 16, 2017 | 10:37

Studimi/ Respekti, e vetmja gjë që punonjësit kërkojnë nga liderët e tyre

Në një studim të fundit të publikuar në Harvard Business Review, rreth 20 mijë punonjës në të gjithë botën thonë se është një gjë që liderët duhet të demonstrojnë. Po ju japim një ndihmë: 50 vjet më parë, më 1967, Aretha Franklin këndoi “Respect” (Respekt).

1

Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Christine Porath, profesore e asociuar e menaxhimit në Georgetown University. Në bashkëpunim me Tony Schwartz, president dhe CEO i The Energy Project, ndërmorën një studim global për të përcaktuar se si përvoja në vendin e punës krahasohet me atë të tjerëve në pesë kategori: shëndeti dhe mirëqenia; besimi dhe siguria; kënaqësia në vendin e punës; fokusimi dhe caktimi i prioriteteve; kuptimi dhe rëndësia.

Porath thotë për Harvard Business Review se “kur bëhet fjalë për angazhimin e punonjësve, asnjë tjetër sjellje nga ana e drejtuesve nuk kishte një efekt më të madh tek punonjësit. Respekti është më i rëndësishëm se mirënjohja dhe vlerësimi për ta, duke përcjellë një vizion frymëzues, madje krijon mundësi për të mësuar, për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar”.

FUQIA E RESPEKTIT

Shifrat janë tronditëse. Punonjësit që raportuan se ndiheshin të respektuar nga drejtuesit e tyre kishin rezultate pozitive në të pesë kategoritë, duke përfshirë:

-56% shëndet më të mirë dhe mirëqenie
-1.72 herë më shumë besim dhe siguri
-89% më shumë kënaqësi me punën e tyre
-92% më shumë fokusim dhe prioritete
-1.26 herë më shumë kuptim dhe rëndësi në punën e tyre
-1.1 herë më shumë mundësi për të qëndruar në kompaninë për të cilën punonin se sa ata që nuk kishin respektin e drejtuesit të tyre.
-Personat të cilët deklaruan se liderët e tyre i trajtonin me respekt ishin 55% më shumë të angazhuar në punë.

Studimi gjeti se më shumë se gjysma (54%) e punonjësve pohuan se nuk ndiheshin vazhdimisht të respektuar nga drejtuesit e tyre – të gjitha këto çojnë në më pak angazhim, fokusim dhe produktivitet në punë. Këta janë faktorë të kushtueshëm që vijnë si pasojë e sjelljeve mosrespektuese, të cilat Porath i cilëson “infektuese”.

Për t’u thelluar në motivin se pse kaq shumë persona ndihen të parespektuar, Porath ndërmori një studim tjetër, duke pyetur 125 punonjës se pse ata silleshin në mënyrë të pasjellshme. Më shumë se 60% deklaruan se ata ndiheshin “të mbingarkuar dhe se nuk kishin kohë për t’i respektuar të tjerët”.

Porath e cilëson këtë si një pretekst, pasi respekti nuk kërkon kohë shtesë: është mënyra se si transmetohet diçka – toni juaj komunikimit dhe komunikimi joverbal – nuk janë veprime të ndara.

“Por rezultati që më befasoi më shumë ishte se 25% e tyre deklaruan se nuk kishin një model respekti në punë – ata sillen si drejtuesit e tyre”.

Porath, e cila ka studiuar efektet e respektit dhe mirësjelljes për 18 vjet, thotë në fund se “kam kuptuar se në pjesën më të madhe, mungesa e respektit rrjedh nga mungesa e vetëndërgjegjësimit. Shpesh njerëzit nuk e kuptojnë se si ndikojnë tek të tjerët. Ata mund të kenë qëllime të mira, por nuk arrijnë të shohin se si ato perceptohen”.

*Marcel Schwantes
Burimi: Inc/Monitor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top