Kequshqimi ka përfshirë botën i nxitur nga obeziteti dhe uria. Ky është rezultati i raportit global për ushqimin 2016, në të cilin shkruhet se 44% e vendeve të botë po përballen me nivele shumë serioze të kequshqyerjes dhe obezitetit.
Kequshqyerja mbulon një sërë problemesh – nga mangësitë në vitamina dhe minerale të rëndësishme, në nivele të tepërta të sheqerit, kripës, yndyrës ose kolesterol në gjak.
Të paktën 57 nga 129 vendet e studiuara janë duke përjetuar nivele serioze kequshqyerjes. Kjo do të thotë se një në tre njerëz në botë vuan nga një formë kequshqyerje. Të qenit i kequshqyer është normalitet i ri në planet.
Një në 12 njerëz në nivel global tani ka diabet dhe gati dy miliardë njerëz janë mbipeshë, sipas autorëve, të cilët bënë thirrje për më shumë fonde për nismat e qeverisë në të ushqyerit.
Tradicionalisht, kequshqyerja lidhet me fëmijë që vdesin urie, nuk rriten normalisht dhe infektohen lehtësisht.
Raporti thotë se në këtë kuadër ka ende probleme të mëdha, por është shënuar progres shpresëdhënës. Ndërkohë, hartuesit e raportit theksojnë sfidën kolosale globale që paraqet obeziteti në rritje. Kjo rritje po ndodh në çdo zonë të botës dhe në çdo vend.
Shkencëtarët pas raportit thanë se kequshqyerja nuk paraqitet detyrimisht nga njerëzit e dobët që s’kanë çtë hanë, por edhe nga ata që janë mbipeshë dhe ky fenomen është i frikshëm. Shkencëtarët thonë se shumë vende kanë shënuar progres në luftën kundër urisë, ndërsa nuk po bëhet asgjë kundër obezitetit dhe sëmundjeve që e pasojnë si diabeti, apo ato të zemrës.
Analistët thonë se lufta ndaj urisë është e vështirë, por ka shanse shumë të mira për tu fituar duke ushqyer njerëzit. Ndërsa ajo kundër obezitetit është detyrimisht sfidë më kolosale, pasi mund të fitohet vetëm përmes ndërgjegjësimit, duke qenë se njerëzve s’mund ti heqësh ushqimin nga tryeza.
“Pavarësisht nga sfidat, kequshqyerja nuk është e pashmangshme – në fund të fundit, kjo është një zgjedhje politike”, thotë Lawrence Haddad bashkëpunëtor i raportit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.