Shumica e njerëzve janë të shqetësuar për mundësinë e vjedhjes së llogarive të tyre në mediat sociale, por një studim i ri tregon se njerëzit që njohim, shpesh hyjnë në llogaritë tona pa lejen tonë.
Në një studim të 1,308 përdoruesve të Facebook, nga Universiteti i “British Columbia” u zbulua se 24 për qind, ose më shumë se një në pesë persona, kishin zhbiruar në llogaritë e Facebook të miqve të tyre, partnerëve apo anëtarëve të familjes.
“Është praktikë e përhapur. Mesazhet private, fotografitë apo videot janë objektiv, kur dikush e ka lënë llogarinë hapur në kompjuter ose telefon,” shprehet Wali Ahmed Usmani, autori i studimit.
Pjesëmarrësit në studim pranuan se, i kanë futur “hundët’’ te llogaritë e miqve, familjarëve apo partnerëve nga kurioziteti ose për argëtim, për shembull, vendosja e një statusi ose e një fotoje për humor në profilin e “viktimës”. Motivet e tjera ishin të errëta, si xhelozia apo armiqësia.
“Zhbiruesit xhelozë fokusoheshin në mesazhe personale dhe përdornin llogarinë për 15 minuta ose më shumë. Pasojat ishin të rëndësishme, në shumë raste i dhanë fund marrëdhënies,” tha profesori i shkencave kompjuterike Ivan Beschastnikh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.