I ftuari në emisionin “Dola te Ola” këngëtari Aurel Thëllimi ka treguar rreth karrierës së tij e cila është e ndarë mes angazhimit si këngëtar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe pjesëmarrjeve në aktivitete të ndryshme muzikore, të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit.
Këngëtari gjatë bisedës në studio foli edhe për jetën e tij familjare, ku veçoi lidhjen e ngushtë me nënën e tij, teksa rrëfeu mungesën e madhe që ndjen pas ikjes së saj nga kjo jetë.
“Nëna është dashuria e parë e jetës sime. Është ushqim i shpirtit, është e vetmja dashuri që të vjen në mënyrën më të sinqertë të mundshme”.
Ndërkohë teksa në program u shfaq një fotografi me bashkëshorten, ai e cilësoi si “suksesin e tij”, pasi gjithçka që ka arritur i dedikohet asaj. Ata kanë qenë shokë klase dhe bashkëshortja e tij, soprano në TOB, ka vetësakrifikuar kohën e saj për t’iu përkushtuar familjes, në mënyrë që Aureli të kishte lirinë për t’u angazhuar më tepër në art.
Ata janë bekuar me një djalë me të cilin këngëtari është munduar të ruajë raportin prind-fëmijë. Sot djali i tij është 16 vjeç dhe moment shumë emocionues për të ishte kur në studio u shfaq një videomesazh shumë i bukur nga i biri, i cili shprehu publikisht dashurinë e madhe që ndjen për të atin.
Thëllimi tregoi se është duke punuar për projekte të reja muzikore, të cilat pritet t’i publikojë shumë shpejt.
Burimi / BalkanWeb
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.