Do të zbuloni gjëra të cilat do t’ju befasojnë lidhur me shëndetin tuaj fizik dhe emocional. Ekziston një mënyrë pa dhimbje, thjesht dhe shumë shpejt, për të diagnostikuar dhe analizuar gjendjen tuaj shëndetësore. Quhet iridologjia dhe është shkenca, e cila studion beben e syrit. Kjo teori tregon se sytë (njësoj si tabani i këmbës në refleksoterapi) janë harta e përkryer e shëndetit tonë trupor. Çdo sëmundje apo mosfunksionim, lë nga një shenjë mbi beben e syrit, fiks në vendin që korrespondon me organin ose pjesën e trupit të sulmuar nga sëmundja. Iridologjia nuk është një shkencë e re. Ka prova se ajo ka qenë përdorur nga Hipokrati dhe se në shekullin XVII, analiza e bebes së syrit ka qenë njohur si një metodë diagnostikuese shumë efikase në të gjithë Evropën. Është e vërtetë që mjekësia aktuale tregohet mjaft e rezervuar dhe pak skeptike për sa i përket iridologjisë, por, pavarësisht kësaj, kjo shkencë fiton shumë terren në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Iridologët nuk pretendojnë se i kurojnë sëmundjet. Ata veçse identifikojnë zonat e prekura të trupit, lëshojnë sinjalin e alarmit dhe propozojnë kura të thjeshta, sa më natyrale. Në rastin kur zbulojnë një sëmundje serioze, pacienti udhëzohet të vizitojë mjekun specialist. Por si funksionon kjo metodë? Iridologu “fotografon” sytë e pacientit, analizon ngjyrën e tyre, linjat, rrjetet dhe unazat strukturore dhe në varësi të imazheve të regjistruara, sugjeron disa modifikime në stilin e jetesës, kura komplete, shumë të detajuara. Pas gjashtë muajsh, pacienti rikthehet për një tjetër analizë. Në mënyrë surprizuese (ose jo), shumica e problemeve të sinjalizuara nga iridologët janë të lidhura me stresin, me një tretje problematike ose me një sistem limfatik të ngadaltë, tre elementë të rëndësishëm për funksionimin normal të organizmit, të ndikuar drejtpërdrejt nga mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës. Kujdes: nëse vendos të konsultosh një iridolog, duhet të jesh i përgatitur për një ndryshim të dyfishtë: stilin e jetesës dhe paraqitjen fizike. “Ngjyrat më të bukura të bebes së syrit tregojnë shpeshherë një nivel shumë të lartë të toksikeve në trup”, – shpjegon Anthony Haynes, një nga iridologët më të njohur dhe më të respektuar në Britaninë e Madhe dhe një ndër të paktët meshkuj, të cilët, përpara një femre të bukur, janë më pak të tërhequr nga format e trupit të saj të parezistueshëm ose nga portreti, sesa nga linjat, vizatimet dhe ngjyra që merr bebja e syrit të saj. “Në sytë e një femre të bukur, niveli i stresit dhe problemet e tretjes mund të lexohen me lehtësinë më të madhe”, – tregon ai duke buzëqeshur.
Si funksionon iridologjia?
Sytë kanë të shkruar raportin më të detajuar të historisë sonë shëndetësore. Ilaçet, sëmundjet, ndërhyrjet kirurgjikale, traumatizmat, frakturat, modifikimet e gjendjes emocionale, të gjitha lënë gjurmë mbi strukturën dhe ngjyrën e bebes së syrit. Çdo bebe është e ndarë në seksione, si orët. Çdo seksioni i përket një pjesë e trupit (në drejtimin e akrepave për syrin e majtë dhe e kundërta për syrin e djathtë, duke filluar nga sipër: kokë, fytyrë, gojë dhe fyt, pjesën e sipërme të shpatullës, pjesën e poshtme të shpatullës, gjoks, mushkëritë, etj). Bebja e syrit të djathtë pasqyron pjesën e djathtë të trupit. Ndarja e dytë bëhet mbi zonat me formë rrethi, të vizatuara rreth bebes së syrit nga brenda drejt pjesës së jashtme. Këto zona pasqyrojnë funksionimin e sistemeve të trupit tonë dhe janë të ndara në tri seksione kryesore: e para, afër bebes, tregon thithjen e substancave ushqyese dhe proceset e tretjes (niveli i stomakut), seksionit të mesëm i korrespondojnë zemra, zorrët, gjëndrat endokrine, pankreasi, sistemi nervor, limfatik, muskulor, kockor. Seksioni i jashtëm lidhet me mëlçinë, shpretkën, mushkëritë, hundën, gojën, lëkurën, organet gjenitale, anusin etj.
Ngjyra
Sipas iridologjisë, ngjyrat e vetme autentike janë blu dhe kafe ose një përzierje e këtyre të dyjave. Nuancat e tjera, pavarësisht sa tërheqëse mund të jenë, tregojnë akumulim të toksikëve. Jeshilja nuk është një ngjyrë natyrale, por një përzierje e blusë (trashëguar gjenetikisht) dhe së verdhës, e cila tregon një mosbalancim funksional. Kur i gjithë sistemi i tretjes punon mirë, bebja e syrit është e pastër dhe e qartë. Çdo mosfunksionim lë një njollë, me ngjyrë nga e bardha, e verdha, deri te kafeja e errët ose e zeza, në varësi të shkallës së sëmundjes. Sa më e theksuar ngjyra, aq më e vjetër dhe më problematike është sëmundja. Bebja blu: Këta persona janë të predispozuar ndaj sëmundjeve që kanë lidhje me aciditetin (artriti, reumatizma, astma, ulcera), qarkullim periferik problematik ose ndjeshmëri për sa i përket veshkës. Bebja kafe: Pré për sëmundjet e tretjes (gastroenterite, gurë në tëmth, kapsllëk) dhe disa probleme të lidhura me sistemin nervor. Bebja me ngjyrë mikse tregon akumulime toksinash në sistemin e tretjes ose në atë nervor.
Struktura
Fibrat, të cilat përbëjnë strukturën e bebes, japin informacione të rëndësishme që lidhen me mënyrën si është i ndërtuar trupi ynë. Zakonisht, ai është i përbërë nga një përzierje fibrash. Për ta pasur më të lehtë identifikimin, përbërja e bebes krahasohet me atë të copave (mëndafsh, dantellë, pëlhurë). Struktura me të cilën kemi lindur nuk mund të modifikohet, por sëmundjet shkaktojnë “dobësim” dhe grisje të “copës” në zonën e organeve të prekura. Këto “grisje” në strukturë tregojnë një organ të dobësuar ose alergji. Bebe prej mëndafshi: Fibrat janë të drejta, të shpeshta dhe uniforme. Tregojnë një fizik të fortë, energjik, të qëndrueshëm. Personat e kësaj kategorie kanë shumë personalitet, janë të pavarur, aktivë, por kokëfortë dhe të pandjeshëm për ndjenjat e të tjerëve. Bebe prej pëlhure: Fibrat janë të pabarabarta, të dredhura, por të organizuara. Është struktura më e përhapur. Këta persona janë më lehtë të prekshëm se ata prej mëndafshi, më pak energjikë, por më fleksibël fizikisht dhe emocionalisht. Kanë shumë ankth. Bebe hessian : Fibrat janë të rregullta, por me vrima. Këta persona kanë një metabolizëm dhe energji poshtë mesatares; çdo çrregullim e ndjejnë menjëherë. Megjithatë kanë një cilësi: relaksohen lehtë dhe e përballojnë stresin shumë mirë. Bebe prej mëndafshi: Fibrat janë delikate, shumë fine, si një rrjet merimangash. Tregojnë një fizik të dobët, një nivel të ulët energjie dhe metabolizëm problematik. Këta persona sëmuren lehtë dhe shërohen ngadalë. E përballojnë mirë stresin dhe janë dëgjues shumë të mirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.