Këshilla & Arsye

December 2, 2016 | 8:13

Ta ndryshojmë partnerin? Disa pasoja negative

Të pretendosh se ke të drejtën për ta ndryshuar tjetrin është e dëmshme, pasi rrezikoni të dukeni kokëfortë. Për të shmangur probleme të tilla, delikate për marrëdhënien tuaj, mjafton të jeni të kujdesshëm dhe jo të drejtpërdrejtë, duke u treguar të përmbajtur me sugjerime të matura. Duhet të kemi parasysh se edhe ne vetë nuk ndryshojmë se na e kërkojnë të tjerët, por sepse kemi kënaqësi dhe interes që të jemi në harmoni me veten dhe me ta…

1

1. Mungesë vetëvlerësimi

Kritikat e drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme sjellin si pasojë rënien e vetëvlerësimit dhe shfaqjen e frustrimeve. Ato krijojnë bindjen te partneri se nuk është i aftë ta bëjë të lumtur njeriun e zemrës. Në këtë situatë shfaqen zhgënjimet dhe ftohjet emocionale për partnerin, të cilat sjellin rrënimin e marrëdhënies.

2. Sjellje manipuluese

Të kërkosh që partneri të ndryshojë është tregues i një sjelljeje manipuluese dhe dominimi.

3. Mosrespektim i identitetit të tjetrit

Nëse partneri do të ndihet i vënë nën presion nga kërkesat e vazhdueshme për të ndryshuar dhe për të përmbushur dëshirat e partneres, ai rrezikon të dalë nga vetja. Partneri që kërkon ndryshimin tregon shenja të forta egoizmi dhe mosrespekti për identitetin e tjetrit. Të dashurosh vërtet do të thotë ta respektosh tjetrin dhe respekt do të thotë t’i ofrosh partnerit hapësirën të veprojë lirisht.

4. Zbehja e imazhit pozitiv për partnerin

Kur udhëhiqemi nga dëshira për ta ndryshuar partnerin, rrezikojmë që ai të humbasë personalitetin. Nëse e sforcojmë të ndryshojë vetëm për të na pëlqyer, do të dështojmë dhe rrezikojmë të mos e pëlqejmë më. Pikërisht partnerja që dëshiron ndryshimin, do të përballet me një partner të sforcuar, jo vetvetja dhe që do t’i duket i panjohur. Askush nga ne nuk është i përsosur. Është e vërtetë që shpeshherë kemi tendencën që tjetri të pajtohet me dëshirat tona, por pjekuria qëndron në faktin e të qenit të vetëdijshëm se mund të përballemi me pengesa. Tjetri nuk është një “plastelinë modeluese”, që mund ta përdorim si të duam në bazë të përmbushjes së dëshirave tona. Nuk mjafton vetëm dashuria që kemi për partnerin. Është e dobishme doza e durimit dhe empatisë që tregojmë për marrëdhënien tonë intime. E megjithatë, duhet të ekzistojnë kufijtë. Ka një ndryshim shumë të madh midis kufijve që vendosim dhe dëshirës për të ndryshuar karakterin e partnerit:

• Në rastin e parë (të kufijve), ne shprehim qartë zonën tonë të tolerancës. I japim liri partnerit të bëjë zgjedhje të menduara dhe të informuara dhe i takon vetë atij iniciativa për ndryshim. Kështu lind motivi për të vepruar.

• Në rastin e dytë (prirja e ndryshimit të tjetrit), ne kemi një qëndrim të fshehur që përkthehet në presion të ushtruar ndaj partnerit. Nëse vendosim ta ndryshojmë partnerin, vullneti i tij për ta bërë këtë gjë do të jetë zero. Ai rrezikon të kundërshtojë manipulimin tonë e të mos merret me sjelljet që nuk na pëlqejnë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top