Dëshmi

May 20, 2023 | 7:33

“Takimi me nënën e vetmja gjë që më ka prekur” / Ish i dënuari në burgun e Spaçit rrëfen historitë rrënqethëse të tij

50-vjetori i revoltës së Spaçit do të risjellë edhe një herë në kujtesën e të gjithëve historitë e ish të dënuarve duke përkujtuar një pjesë të dhimbshme të së kaluarës sonë që nuk duhet groposur në harresë. Agron Hoxhaj ka qenë njëri prej tyre. I ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” ai ka ndarë rrëfime rrëngjethëse të tij por edhe të të burgosurve të tjerë.

“Mund të veçoj vetëm një histori që quhet Urim Elezi nga Korça. Personi ka qenë në Burrel disa kohë dhe është goditur nga policia pas koke dhe i ka ikur shikimi. Për shumë vite, atë e merrnin shokët e burgut që e çonin në tualet, që e çonin në mensë, që e çonin në ajrosje dhe më paradoksi që ishte, kur doli nga burgu, ai u martua.

Doli dikush, një njeri që ishte engjëll u martua me atë njeri që nuk shihte… ai së bashku me familjen e tij lindi dy vajza. Ai nuk njeh gruan vizualisht, as fëmijët e tij. Ai njeh vetëm me tingullin e zërit. Pra shiko çfarë i shkaktoi diktatura atij lloj njeriu, pa pasur faj se s’i kishte kurrkujt faj.”

Takimet për të burgosurit e regjimit komunist në burgun e Spaçit ishin të rralla. Largësia, terreni i vështirë, mjetet e pakta të transportit dhe vetë sistemi krijonin barriera që këto takime të pakta të realizoheshin.

Ish i dënuari Agron Hoxhaj kujton se në 15 vitet që ka kaluar në burgun e Spaçit, familjarët janë pëpjekur ta vizitojnë dhe nuk e kanë lënë në harresë. Nga të gjitha takimet, ai veçon herën e parë që ka parë nënën, i vetmi rast kur është prekur.

“Kur më ka ardhur nëna për herë të parë, unë e kam thënë dhe diku tjetër që ajo nuk e besonte që unë isha gjallë dhe aty ku ishim te hekurat se nuk të linte njeri që… Ata ishin andej, ne ishim këtej, po të donte polici e hapte. Unë për fat të mirë, më kishte ardhur nëna dhe kur ashtu futi kokën e shkreta në mes të atyre hekurave dhe më merrte erë si ku di unë, si puna e atyre, ta themi kafshës, si delja që merr e lëpin fëmijën e vet, një ndjesi që e ka vetëm nëna.

Të them të drejtën, e vetmja gjë që më ka prekur në burg. Unë kam qenë shumë i fortë, nuk qaj kurrë kur vinin, kur iknin. Edhe pse ata lotonin, qanin, nuk qaja kurrë, nuk e di pse nuk më vinte për të qarë.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi/tvklan.al

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top