Nga Diola Malasi
Mënyra se si vishemi është një ftesë që i bëjmë botës për të menduar rreth nesh në një mënyrë të caktuar. Veshja jonë mund të tregojë një histori fuqie, besimi, por edhe rebelimi. Mund të na bëjë më të fortë, kurajozë, të shënojë një etapë të rëndësishme të jetës apo të sinjalizojë një metamorfozë. Preferoni të jeni e padukshme gjatë gjithë kohës? A do zbukuroheshit me aksesorë në ditët tuaja të zakonshme? Kur gjërat nuk ecin ashtu siç dëshironim, aftësia për t’u dukur mirë nga jashtë mund të na ndihmojë të besojmë se gjithçka do të jetë në rregull. Ndërkohë kujtimet dhe kuptimet e ndryshme pushtojnë gardërobën tonë. Si një muzikë që dashuronim kur ishim adoleshentë, edhe rrobat mund të na risjellin veten tonë të dikurshme me një qartësi sublime, këpucët tuaja të reja, sa të parehatshme aq edhe të mrekullueshme, xhinset e preferuara, të vjetra, por që i mbani akoma pasi ju bëjnë të ndiheni e re, kostumi juaj i ri që ju ndihmoi të përballonit ditën e parë të punës, e kështu me radhë. Veshja shpesh së fundmi është quajtur si lëkura e dytë e individit.
Gardëroba ka historinë time dhe atë çka jam unë:
Shpesh femrat pëlqejnë veshjen që ka bukuri, feminalitet dhe elegancë njëherësh, por së fundmi shohim tendencën te skema thjeshtësi. Veshja plotëson gjithë personalitetin tonë, është veshja që pa dyshim nuk do të sjellë “tjetrin” te ne. Një stiliste e njohur thekson se jeshilja shkon me të gjitha ngjyrat e tjera, sepse është ngjyra e gjethes në natyrë, dhe çdo lule pavarësisht ngjyrës së saj, i ka gjethet jeshile. Nëse do t’i referoheshim atij target grupi i cili ka humbur njeriun më të afërt ndjen një mungesë dëshire për të patur rroba të zeza në gardërobë. Këtyre njerëzve u pëlqen të jenë më të qeshur falë veshjeve dhe ngjyrave të çelëta. Gardëroba e gjithsecilit ka një histori më vete. Nuk e di se çfarë intuite është ajo që njerëzit i shtyn që një veshje të caktuar, e cila i ka pëlqyer shumë, të mos e heqë nga dollapi edhe pse për momentin ka vendosur mos ta veshë më. Dhe kështu, ka ndodhur që njerëzit kanë risjellë në kohë diçka të kaluar, që pikërisht për këtë fakt është ricikluar bukur. Është pjesë edhe e personalitetit, ka individë që pëlqejnë që gjërat të kenë një traditë, një lidhje, e reja të shkojë me të vjetrën dhe ka persona që këtë e arrijnë më së miri.
Të vishesh në mënyrë të çuditshme
Veshja flet shumë për personalitetin tënd, por nuk ta bën personalitetin. Veshja është një nga enigmat që duhet të shpjegosh tek trupi yt. Sepse jo gjithçka që është fashion, jo gjithçka që u shkon të tjerëve, jo gjithçka që syve të tu u duket e bukur, të ka hije edhe ty. Thelbi i veshjes besoj është harmonia. Ka individë që ju pëlqen loja me ngjyra të forta. Gjithashtu ka të tjerë që i pëlqejnë t’i rendisin ngjyrat sipas fjalorit të viteve 70-të, kur njerëzit fillimisht mësojnë konceptin e veshjes dhe të ngjyrës, zhuzhina e ndezur, ngjyra e kacabunit, e menekshes, e bardha e borës, e kuqja, rozë trëndafili, ngjyrë uji (transparente), bojë miu etj. Në jetën tonë të përditshme kemi ndeshur shprehje të tilla si për shembull: “Ti vishesh në mënyrë të çuditshme”. Disa mund ta marrin për kompliment, por pa dyshim mund të ndodhë edhe e kundërta. Ka njerëz që nuk u pëlqen thjesht ngjyrat e forta, por kontrasti me to. Të themi kombinimi i violetës së thellë dhe pinkut me të zezën, është ndër efektet që disa femra pëlqejnë të luajnë në veshje. Është kombinim tmerrësisht delikat. Një ndryshim tjetër që ndikon fort në skemat mendore të njerëzve është edhe etiketa, marka, cilësia. Disa vite më parë, shumica e femrave i kanë dizenjuar dhe qepur vetë veshjet, atëherë kur në shëtitore ishin të gjitha veshjet njëlloj, seri. Veshja ka rëndësi për individin edhe pse nuk është një qëllim për jetën. Veshja është një element që shfrytëzohet në funksion të një jete më të mirë dhe më cilësore, të një jete më standarde. Besoj se njeriu nuk duhet të heqë dorë nga standardet në çdo rrethanë.
Veshja si maskim
Për ju moda do të thotë siguri. Kur ju zgjidhni një veshje ju nuk dëshironi të ndjeheni jashtëtokësore, ose tepër ndryshe nga ajo që frekuentoni zakonisht. Për ju ndjenja e të qenit pjesë e një grupi është e rëndësishme dhe veshja në këtë farë mënyre duhet të pasqyrojë qenësi. Mënyra se si vishesh flet për stilin tuaj të jetës, për vlerat, punën tuaj, për njerëzit që frekuentoni. Në mënyrën se si visheni nëse ai i përket stilit klasik, sportiv ose trendit të fundit, gjëja më e rëndësishme është të ndjeheni mirë dhe të jeni të vlerësuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.