Aktualitet

August 20, 2025 | 12:27

Taser-i në fokus të mediave botërore / Çfarë është një armë me elektroshok dhe si funksionon?

 

Armët elektrike (elektroshok), të njohura zakonisht si Taser, janë pajisje të përdorura nga forcat e rendit në mbarë botën, për të neutralizuar përkohësisht një person, pa përdorur armë zjarri. Megjithatë, dy vdekje të ndodhura në Itali brenda një fundjave të vetme, pasi personat u goditën me Taser nga karabinierët, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe pasojat e përdorimit të kësaj arme.

taser-elektroshok

Si funksionon një Taser?

Taser-i është një armë portative me impulse elektrike që funksionon duke lëshuar dy shigjeta të lidhura me tela. Kur këto shigjeta godasin trupin e objektivit, përçojnë impulse elektrike që bllokojnë menjëherë lëvizjen, duke shkaktuar tkurrje të forta muskulore. Arma funksionon edhe përmes rrobave, nuk kërkohet kontakt i drejtpërdrejtë me lëkurën.

Modeli më i avancuar, Taser 10, ka një rreze veprimi deri në 14 metra dhe mund të qëllojë disa herë pa pasur nevojë për rimbushje. Pajisja dërgon 19 impulse në sekondë për një kohëzgjatje tipike prej 5 sekondash.

 

Pse përdoret Taser-i?

Taser-i përdoret në situata ku një person është:

i armatosur,

agresiv ose në gjendje të rënduar psikologjike,

i rrezikshëm për veten apo të tjerët.

Qëllimi është të imobilizohet përkohësisht një individ, pa qenë nevoja për përdorim ekstrem të forcës apo armëve të zjarrit.

 

A është Taser-i i rrezikshëm?

Po, edhe pse është cilësuar si një alternativë “jo vdekjeprurëse”, rreziqet ekzistojnë.

Rreziqet kryesore:

Aritmi të rënda të zemrës

Arrest kardiak i papritur

Vdekje, në raste të rralla, por të dokumentuara

 

Një studim i vitit 2012 në revistën mjekësore Circulation përmendi tetë raste të arresti kardiak pas përdorimit të Taser-it, ku viktimat nuk kishin probleme të dukshme me zemrën, por kishin histori me çrregullime mendore, përdorim alkooli ose substancash.

elektroshok

Çfarë thonë ekspertët?

Kardiologët e krahasojnë efektin e Taser-it me një ngërç të menjëhershëm në të gjithë trupin, i cili në individë me probleme të fshehura shëndetësore mund të jetë fatal.

Amnesty International dhe Komiteti i OKB-së kundër Torturës kanë kritikuar përdorimin e armës për rrezik të lartë abuzimi dhe potencial për pasoja fatale.

Prodhuesi Axon pretendon se 99.75% e përdorimeve nuk sjellin pasoja serioze. Por kjo do të thotë gjithashtu se 1 në çdo 400 persona mund të vdesë si pasojë.

 

Rastet në Itali dhe përtej

Në Itali, përdorimi i Taser-it nga forcat e rendit është miratuar që nga viti 2022 dhe është i rregulluar nga protokolle të caktuara. Megjithatë:

Në Olbia dhe Manesseno (Gjenova), dy burra humbën jetën pas përdorimit të pajisjes nga karabinierët.

Në Pescara, një burrë vdiq në qershor të vitit të kaluar pas një përleshjeje, ku fillimisht u dyshua se Taser-i ishte shkaktar.

Në SHBA, janë dokumentuar mbi 1,000 vdekje që nga fillimi i viteve 2000, të ndërlidhura me përdorimin e Taser-it.

polic-taser-vizatim

Kush është më i rrezikuar?

Personat që janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të Taser-it janë:

Ata me sëmundje zemre

Persona që kanë konsumuar drogë ose alkool

Persona në gjendje agjitimi ekstrem emocional ose fizik

Të sëmurët mendorë ose me histori krizash

 

Një armë efikase, por me pasoja të rënda të mundshme

Taser-i mbetet një mjet i vlefshëm për forcat e rendit në situata të rrezikshme, kur përdoret me kujdes dhe profesionalizëm. Por rastet e fundit dhe studimet shkencore tregojnë se nuk është i padëmshëm dhe përdorimi i tij nuk duhet banalizuar. Është e nevojshme që përdorimi i tij të monitorohet me rreptësi, të analizohen rastet e abuzimit dhe të trajtohet si një mjet i fuqishëm, me ndikime të vërteta në shëndetin dhe jetën e njerëzve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top