Dashuria e tyre u ngjiz aq shpejt, saqë u duk sikur nuk kishte më kohë për të humbur. Ishte e çlirët dhe mjaft pasiononte, edhe pse i duhej të ‘vishej’ me arsyet e punës, të cilat i bënin orët të kalonin shpejt e të linin takimin më të afërt, të nesërmen. Ai politikan, ndërsa bashkëshortja juriste. Të dy mjaft të angazhuar me ritmin e profesionit, por jo aq të pavëmendshëm ndaj ndjenjës që do t’i mbërthente brenda një kohe të shkurtër. Të rinj, moshatarë, sot prindër të Robinit një vjeçar, Iris dhe Taulant Balla rrëfejnë lidhjen e tyre, e cila nisi një ditë tetori të vitit 2006, atëherë kur shkëmbyen takimin e parë…
Taulant Balla: Irisi për mua është gjithçka
Në formë postulati: Ç’është gruaja për ju?
Është dashuria ime, është shoqja e jetës time dhe jam krenar që kam në krah një njeri me të cilën ndaj gjithçka, qofshin këto edhe probleme, apo çështje të punës, dhe angazhimeve të mia. Në fakt unë mundohem që puna dhe angazhimet të mos jenë pjesë e diskutimeve në familje, por e them me bindje se unë e kam të nevojshme të këshillohem me Irisin.
Si duhet të jetë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Tërheqja e vëmendjes ka shumë kuptime, arsye apo shkaqe. Unë mund t’ju them se Irisi më tërhoqi zemrën, vëmendjen po e po.
Shpesh në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës? Po zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të këtij modeli apo, ai u fashit?
Keni të drejtë. Çdo njeri ka në vetëdijen e tij një model dhe kërkon që partneri i jetës të përmbushë pikërisht këto parametra. Megjithatë, vjen një moment në jetë që e harron modelin virtual të nënvetëdijes, sepse përballë ke modelin real që është sigurisht perfekt.
Për të qëndruar edhe pak tek modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë, ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni?
Kompleksi i Edipit… Është një qasje shumë e gabuar. Nuk është aspak kështu. Ju thashë edhe më sipër se modelet virtuale ndryshojnë shumë nga perfeksioni që gjen tek e dashura, më pas partnerja e jetës.
Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?
Pasioni është shumë delikat, marrëdhënia burrë-grua është një lidhje shumë e fortë, sepse brenda saj ka jo vetëm dashuri, por kjo dashuri kultivohet dhe sjell në jetë fëmijët. Dashuria ime për Irisin është shtuar me ardhjen në jetë të djalit tonë Robinit.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhen të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Parimet e fizikës nuk funksionojnë në psikologji. Përkundrazi, në marrëdhënien burrë-grua, shumë të kundërtat shtyhen. Ndryshueshmëria shumë e madhe e tipave, sjell më shumë përplasje.
Pse gruas, në të gjithë kohët i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan “seksin e dytë” në përgjithësi? A ka shfaqur shenja misteri, bashkëshortja juaj?
Këto afirmime janë arkaike. Nëse burrat do të kishin gjithmonë në mendje dilemën e misterit për partneren e tyre, asnjë lidhje nuk do të ishte afatgjatë. Shoqëria njerëzore ka vërtetuar të kundërtën.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?
Irisi është në fakt drejtuesja e punëve të shtëpisë sepse ajo merret me gjithçka. Unë mundohem ta ndihmoj sadopak, mundësisht përmes gatimit.
Një burrë, përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore? Në ç’raste sakrifikon një burrë?
Sigurisht, ne meshkujt jemi të përkëdhelurit e perëndisë. Sakrifica e nënës për t’i dhënë jetë fëmijës, më pas kujdesi deri ditën e daljes në jetë, janë të pashpërblyeshme.
Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?
Në rastin tonë, unë mendoj se ne ndihmojmë shumë njëri-tjetrin. Irisi është me profesion avokate dhe ekspertiza e saj më ndihmon shumë në rastet kur më duhet një interpretim juridik.
Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull, a bëni dhurata?
Në këtë pjesë kam deficite, pra nuk i jap shumë rëndësi vogëlimave. Por nuk jam dakord me ju që i quani dhuratat vogëlima. Dhuratat janë të domosdoshme. Ato janë shprehje e vëmendjes dhe pse jo e dashurisë.
Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje?
Në çdo ditëlindje për Irisin mundohem të zgjedh një dhuratë të ndryshme.
Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave… Pse edhe shekulli XXI është i grave?!
Unë mendoj se edhe shekujt e shkuar kanë qenë të tillë sepse shoqëria njerëzore e ka përcaktuar rolin e gruas si më të rëndësishmin. Kjo për një arsye të pazëvendësueshme: gruaja jep jetë.
***
Iris Pekmezi: Pas një burri të fuqishëm, qëndron një grua e fortë
Në formë postulati: ç’është burri për ju?
Taulanti për mua, me pak fjalë është gjithë bota ime. Ai është miku im më i mirë, shoqja ime më e mirë, është familja ime, ndër njerëzit më të afërt, jo thjesht burri, por gjithçka që më rrethon. Në qoftë se kam diçka për të ndarë, për të folur apo rrëfyer, sigurisht që njeriu i parë tek i cili drejtohem është Taulanti. Im shoq është gjysma ime, që më plotëson në gjithçka. Si në anën sentimentale, apo për çdo problem që mund të kemi si me familjen, por edhe në anën formale apo atë të vlerësimit të profesionit.
Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Nëse do të mendoja se ka qenë ai princi i kaltër i ëndrrave të mia, mund të them se që në gjimnaz, në kohën që femrat fillojnë të kenë pretendime të tilla, asnjëherë nuk e kam pasur një model të caktuar që të thosha se princi i kaltër duhet të jetë kështu apo të kisha një idhull. Asnjëherë nuk e kam pasur. E mendoja vetëm që të ishte një person që të më bënte të ndjehesha mirë, që në momentin e parë që do ta takoja. Me Taulantin kështu jam ndjerë, edhe pse herën e parë e kam takuar për punë dhe nuk e mendonim kurrë që lidhja jonë do ndryshonte rrjedhë. Lidhja jonë është realizuar në zyrat e kryesisë së Kuvendit. Erdhi Taulanti tek unë dhe do takoheshim për çështje juridike. Unë përfaqësoja kompaninë time AMC dhe prej atij takimi pune, ishte Taulanti i pari që më shprehu dashurinë, më pas ndjenja nisi të forcohej gjithnjë e më shumë mes të dy neve. Kësisoj u shpeshtuan edhe daljet tona, ku përfunduam në një marrëdhënie që do të zgjaste përjetë.
Djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë, ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni?
Kompleksi i Edipit… Unë e kundërshtoj këtë gjë me gjithë dashurinë, apo krenarinë, adhurimin që kam për babain tim, edhe pse kam pasur fatin e keq ta humb fare e vogël, të mos ta njoh plotësisht. Duke mos pasur shansin të njoh tim atë, nuk mendoj se do mund të përvetësoja një model timin për burrin e jetës. Në fakt, kam pasur gjyshen që kujdesej për mua, hallën, në- nën time deri në një moshë të caktuar, ishin ato që kanë përmbushur deri diku rolin e babait tek unë. Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten që kam qenë e pafat.
Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?
Unë besoj se jemi ende në fazën e pasionit. Kemi rreth dy vjet martesë, andaj mendoj se është ende shumë herët për të menduar çfarë vjen pas pasionit. Në lidhjen tonë ka shumë doza tolerance, respekti… dhe pasioni padyshim.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhen të jetë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Ne ngjasojmë të dy faktikisht. I përkasim shenjës së Luanit, vetëm se në këtë rast unë jam një luan pak më i butë. Jam më tolerante si natyrë. Por, nuk jam me teorinë e dy të kundërtave që tërhiqen. Në qoftë se dy njerëz janë të ngjashëm me njëri-tjetrin, për mua kalojnë shumë mirë bashkë. Me Taulantin ngjajmë në çështjen e karakterit, jemi këmbëngulës. Nëse kemi pikësynim diçka, ia arrijmë medoemos.
Pse gruas, në të gjithë kohët i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme. A jeni ndjerë misterioze, enigmatike, e pakuptueshme për burrin tuaj?
Unë personalisht nuk kam qenë asnjëherë misterioze. Ka disa raste, të paktën nga disa shoqe të mia që thonë se pak nota misterioziteti është mirë që të ekzistojnë në një lidhje. Megjithatë, unë jam si një libër i hapur.
A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit, pasi ajo është bërë nëna e fëmijës së tij?
Mendoj se ndryshon për mirë. Ardhja në jetë dhe e një fëmije, në rastin tonë të Robinit, ndryshoi marrëdhënien. Taulanti është bërë më i përkushtuar, më përkëdhel pak më shumë dhe në momentet që unë kam shumë nevojë, ai është akoma më afër.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?
Për momentet kur Taulanti, (pasi ai dihet që ka mjaft impenjime të tjera) është në shtëpi, ai më ndihmon jashtëzakonisht shumë. Unë merrem me djalin, ndërsa Taulanti nis e gatuan. Kjo e zbeh pak atë modelin e mashkullit tradicional shqiptar, por për ne nuk ka problem. I kemi të ndara qartë detyrat në familje.
Një grua, përballë sakrificave të burrit ndihet e përkëdhelur apo e sheh sakrificën, si detyrë të pashmangshme bashkëshortore? Në ç’raste sakrifikon një burrë?
Këto kohë nuk mund të spikasë ndonjë sakrificë e madhe. Megjithatë jam shumë e sigurt që në momentin që do të duhet diçka e tillë, im shoq do të sakrifikonte. Në rastin konkret, jam unë ajo që kam sakrifikuar disi më shumë, duke pasur parasysh angazhimet e Taulantin në politikë, jam marrë më tepër me rritjen e djalit, me shtëpinë, duke i hyrë disi në hak kohës dhe vetes sime.
Sa i vëmendshëm është Taulanti ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull, a ju bën dhurata?
Është shumë i vëmendshëm. Sa herë që del jashtë, më bën gjithnjë dhurata, për mua, dhe sigurisht për Robinin. Kryesisht janë veshjet firmato, por edhe bizhuteri. Një çast që nuk dua ta harroj nga kjo pjesë e jetës, është që kur isha shtatzënë me djalin, Taulanti më sjell një këmishë “small”. Dhe unë që i them faleminderit që mban mend se përmasat e mia janë në numrat e vegjël, por aktualisht jam shtatzënë – i them duke qeshur. Kopsat ruanin goxha distancë nga njëra-tjetra, as që mund ta vishja. Me lindjen e djalit, dhe me dobësimin tim, ndodh që ta vesh këtë këmishë, të zgjedhur me shumë shije nga im shoq.
Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje? Çfarë merrni zakonisht dhuratë?
Dhuroj veshje dhe parfume. Edhe Taulanti në fillimet e njohjes sonë, më dhuronte parfume, sikundër dhe unë. Të dy kemi vëmendje maksimale ndaj shijeve, dhe dhuratave të preferuara nga ne.
Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…
Unë jam për idenë që gjithmonë pas një burri të fuqishëm, qëndron një grua e fortë, më e zonja. Gratë sot kanë filluar t’ia dalin vetë mbanë. Kohët kanë ndryshuar shumë, femrat kanë filluar të marrin iniciativa, janë në nivele drejtuese dhe kjo është pozitive dhe arritje për shoqërinë tonë.
Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.