T’i shohësh duke u plakur dhe duke humbur, pak nga pak, autonominë e tyre, provokon shpesh dhimbje, dyshim e frikë. Është një fazë e re në jetë, për të cilën nuk jemi kurrë mjaftueshëm të përgatitur. Kemi hetuar…
“Prej dy vjetësh ime më jeton me një kujdestare, e cila e ndihmon të vishet e të lahet, bën pazarin dhe gatuan për të. Unë e zëvendësoj çdo të diel. Ndodh nganjëherë ta kaloj fundjavën jashtë qytetit, por nuk arrij ta shijoj tërësisht kohën time të lirë. Mendoj për të që është vetëm në shtëpi dhe mërzitet. Ndihem në faj”, – thotë Daniela, 59 vjeç, biznesmene. “Më vjen keq që ime më ndodhet në një gjendje të tillë, është 80 vjeç, nuk sheh mirë dhe lëviz me shumë vështirësi. Nuk kam ndërmend ta shpërfill, më ka dhënë jetën dhe është kujdesur gjithnjë për mua, por ndonjëherë kam ndjesinë se bëj një jetë të ndarë më dysh. Për të më duhet të heq dorë nga shumë gjëra dhe kjo s’është gjithnjë e lehtë”, – rrëfen Tatiana, 50 vjeç, mësuese. Vjen një ditë kur fëmija duhet të fillojë të kujdeset për prindin. Mund të ndodhë nga një moment në tjetrin, papritmas ose dalëngadalë, për shkak të procesit normal të plakjes. Në rastin e dytë plakja paralajmërohet nga disa simptoma (humbja e kujtesës, dobësimi i shikimit), të cilat shpesh fëmijët refuzojnë t’i pranojnë, ose prindërit priren t’i fshehin. Në pjesën e mëposhtme të shkrimit, ekspertët shpjegojnë si t’i superojmë frikërat dhe të kujdesemi për prindërit në mënyrën më të mirë të mundshme. “Të marrësh parasysh që prindërit kanë nevojë për kujdes dhe vëmendje shpesh shkakton çorientim. Në këto raste sillet ndërmend e shkuara dhe kaplohemi nga nostalgjia. Nuk është e lehtë në fakt të pranojmë se ata nuk janë më në formën e dikurshme”, – shpjegon psikanalistja. Në pjesën më të madhe të rasteve, prindi fillon të ketë nevojë për ndihmë kur fëmija është në një fazë të rëndësishme. Është rrotull të 50-ve, mosha e bilanceve të para të jetës, por edhe kur vihen në kantier projekte të reja. Kësisoj, prindërit mund të bëhen frena duke i ndaluar fëmijët të realizohen tërësisht. Kush i asiston të dashurit e vet, jeton ndjenja kontrastuese, që lëkunden mes urrejtjes, butësisë, padurimit, keqardhjes, refuzimit. Dëshirojmë që vitet e fundit të jetës së prindërve të jenë sa më të qeta të jetë e mundur, por trembemi se mos kushtet mund ta përkeqësojnë dhe të shkaktojnë problematika për një kohë të gjatë. “Kjo ndarje më dysh pranohet, por në të njëjtën kohë është e nevojshme të gjendet një ekuilibër mes nevojave tona dhe atyre të prindërve”, – na siguron Murdaca (autore e librit “Pleq dhe kujdestare”). “Asnjë prind nuk u kërkon fëmijëve të sakrifikojnë jetën e tyre për ta, – nënvizon Margerita osi, psikoterapeute në Milano. – Nëse një fëmijë heq dorë nga gjithçka e vetja për hir të prindit, kjo nuk mund të quhet zgjidhje e mirë”. Si fillim duhen përcaktuar prioritetet: “Çifti dhe fëmijët duhet të jenë në plan të parë”. Kjo nuk do të thotë se babai ose nëna duhen shpërfillur, por mund të ketë zgjidhje alternative, pa bërë detyrimisht krahasime. Duhet kërkuar për shembull ndihma e profesionistëve. Shpesh kërkesat janë edhe të tipit material: “Të kontribuosh për të pajtuar një asistente, ose të kërkosh një institut mund të jetë një mënyrë plotësuese për prindërit e tu, në vend të kohës së vënë në dispozicion të tyre”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.