Nuk është gjithmonë e lehtë t’i bindësh fëmijët. Edhe pse prindërit janë të ndërgjegjshëm për këtë, ndodh shpesh që ta humbin durimin, të stresohen. Por në çdo rast duhet të kihet parasysh se dhuna morale, ashtu si edhe ajo fizike janë gjithmonë të dëmshme dhe ndikojnë negativisht në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve. A mund t’ju dëgjojnë fëmijët pa qenë nevoja ta ngrini zërin, apo të vini dorë mbi ta? Ja disa këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë:
1.Komunikoni
Përpiquni të kuptoni se çfarë ndiejnë fëmijët gjatë një grindjeje, një konflikti, flisni me ta e kjo do t’ju vlejë për të kuptuar peshën e emocioneve të tyre dhe mënyrën se si edhe ju vetë duhet t’i shprehni ato. Dëgjojini, pranoni mendimin e tyre ose gjeni një kompromis së bashku: do ta bëni fëmijën të ndihet më i përgjegjshëm për vendimin që duhet të marrë. Kështu ai do të jetë i prirur të gjejë një zgjidhje të pranueshme e të mos rendë drejt kundërshtimit kategorik. Vini rregulla dhe kujtojani herë pas here fëmijës. Ai ka prirjen t’i “harrojë” apo “anashkalojë”.
2.Jepni shembullin tuaj
Siç thoshte Eskili, “dhuna pjell dhunë”. Si mund ta mësoni një fëmijë të qetësohet kur ju vetë e godisni me pëllëmbë në një moment nervozizmi? Nëse sjellja juaj është e kundërt me ato çfarë i kërkoni atij, fëmija bëhet konfuz dhe priret të përgjigjet me dhunë në një situatë pak a shumë të ngjashme edhe jashtë shtëpisë. Kur ai bën kapriço, përpiquni t’i kushtoni sa më pak vëmendje zemërimit të tij. Ai duhet të kuptojë se me kapriço nuk e tërheq më shumë vëmendjen e të tjerëve. Përkundrazi, kur ai arrin të përmbajë emocionet negative, përgëzojeni! Pyeteni gjithashtu se si arriti të ruajë qetësinë.
3.Jepuni kënaqësi, dëshirë, qetësi Disa situata kërkojnë më shumë veprime konkrete sesa pedagogji shpjeguese, veçanërisht nëse fëmija është i stresuar dhe i lodhur. Në vend që ta qortoni, përpiquni të futeni në botën e tij, përpiquni të kuptoni nevojat që ka, të cilat nuk janë detyrimisht ato që ai ju thotë (Një fëmijë që ndihet i lodhur mund të ketë nevojë të flejë, por mos i kërkoni që detyrimisht të shkojë në shtrat). Do ishte mirë të gjenit një mënyrë për t’u zbavitur së bashku, për shembull të viheni në garë: cili nga ju e rregullon më shpejt diçka në shtëpi, kush e kujton më shpejt titullin e një kënge, kush e gjen i pari emrin e një qyteti… të tilla gjëra e shkundin fëmijën nga përgjumja dhe vendosin mes jush një komunikim miqësor, që mbi të gjitha do të ndihmonte vetë atë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.