Marrëdhënie

June 17, 2016 | 8:09

Të diskutosh pa bërë sherr

Douglas Stone, Bruce Patton e Sheila Heen, studiues në Universitetin e Harvardit. Të tre nuk kanë dyshime: komunikimin nuk e bën të vështirë ajo që pohohet, por ajo që nuk thuhet. Me gjithë ndryshueshmërinë e dukshme, bashkëbisedimet problematike kanë të gjitha të njëjtën strukturë. Janë gjithnjë tri diskutime paralele: njëri shërben për të imponuar variantin tonë të fakteve, tjetri për t’u dhënë vlerë ndjenjave tona, i treti për të mbrojtur identitetin tonë. Për t’i paraqitur këto tri nivele paralele bashkëbisedimi, kemi marrë si model një çift të ri: konflikti mes tyre lind në udhëtim e sipër për pushime, të cilat kanë vendosur t’i bëjnë me miqtë. Shembulli i poshtëshënuar dallon pështjellimin emocional të bashkëbiseduesve gjatë diskutimit. Gabimet që ata bëjnë në sherr, janë gjithnjë të njëjtët, ashtu si edhe qëndrimet që lejojnë arritjen e një zgjidhjeje. Demonstrimi: Tomi dhe Laura janë nisur për pushime. Ata udhëtojnë me makinën e tyre dhe ndalojnë diku për të drekuar me miqtë që udhëtojnë në makina të tjera. Laura është duke u përpjekur të lërë duhanin, por ndez një cigare pas tjetrës. Derisa Tomi e kap nga krahu dhe i thotë: “Këtë s’duhej ta ndizje!”. Vetëm kaq. Kur rifillojnë udhëtimin, Laura rri ftohtë. “Çfarë ke?”, pyet Tomi. “Hiç, jam e lodhur”. “E di që diçka nuk shkon”. “Më trajton si një çupëlinë! Historia e cigares më vuri në siklet”. “Më kishe thënë se doje ta lije cigaren. Mendova se po të ndihmoja”. “Qenka tamam siç e mendova unë! A thua se nuk jam në gjendje ta bëj vetë”. “Është qesharake që të zemërohesh për gjëra të tilla!” “Jam zemëruar, sepse më poshtërove para të tjerëve!” “Je ti që e kërkon gjithnjë konfliktin. Nëse do të të lija ta pije, do më kishe qortuar sërish…” Si është e mundur që Tomi dhe Laura erdhën në këtë pikë? Deshifrojmë tri nivelet e bashkëbisedimit në këtë zënkë.

1. Niveli i parë: Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Të përpiqemi të gjejmë shkëndijën që ka bërë të shpërthejë shkëmbimi i fjalëve. Ishte gjesti i Tomit përballë miqve. Çfarë donte të thoshte? Laura ka interpretimin e saj: “Më trajton si një çupëlinë”. Tomi ka të tijin: “Doja të të ndihmoja”. Pjesa më e madhe e bashkëbisedimeve të vështira fillojnë kështu: grumbullohen faktet: çfarë ka ndodhur, kush ka thënë ose bërë çfarë. Tomi dhe Laura duan të imponojnë secili versionin e vet të fakteve. Dhe shtyhen në telash: bashkëbisedimi i tyre nuk është më një shkëmbim, por një duel, një duel në të cilin duan të fitojnë që të dy.

Gabimi: rrethi vicioz i akuzave Tomi dhe Laura bëjnë dy gabime. Para së gjithash, janë që të dy të bindur së zotërojnë të vërtetën mbi atë që ka ndodhur. Kur shpërthen: “Ishte tamam siç e mendova unë!”, në thelb Laura pohon: “Unë kam të drejtë, ti gabim”. Që të dy janë të bindur se njohin qëllimet e tjetrit, duke nisur nga pandehma të këqija. Duke qortuar njëri-tjetrin, nuk dëgjojnë, por akuzojnë: “Gjithnjë do të më trajtosh si një çupëlinë!”, thërret Laura pa e dëgjuar Tomin. Ai nuk ka zgjidhje tjetër veç të mbrohet duke sulmuar: “Kërkon gjithnjë sherrin!”… Ja ku u bë rrethi vicioz.

Zgjidhja: “planifikimi i kontributeve” Qëllimi nuk duhet të jetë imponimi i pikëvështrimit, as gjetja e fajtorit. Më mirë të përpiqesh të kuptosh për të mundësuar arritjen e pajtimit. Me fjalë të tjera: Laura e Tomi duhet të ndalojnë se sjelluri si dy rivalë dhe të bëhen aleatë, duke kaluar nga një sistem akuzash: “Eshtë faji yt. Këndvështrimi yt është i gabuar, duhet të ndryshosh!”, në një sistem kontributesh të ndërsjella: “Jemi të dy të përgjegjshëm, le të përpiqemi të zbulojmë se pse nuk kemi të njëjtin këndvështrim”.

 

2. Niveli i dytë: ndjenjat në lojë Diskutimi është shoqëruar nga emocione të dhunshme e të vështira për t’u menaxhuar: inat, turp, trishtim… Në fillim, Laura përpiqet ta fshehë: “S’kam gjë, jam e lodhur”. Pastaj e shpreh në mënyrë të ekzagjeruar, ngre zërin. Në të vërtetë është e lëkundur, e burgosur në një kurth mundësish: duhet t’i bëjë të dukshme emocionet e veta, apo t’i mohojë? Të flasë apo të heshtë? Nga ana e tij, Tomi pyet veten se si t’i menaxhojë emocionet e Laurës: ta ngushëllojë, apo ta çojë në djall?

Gabimi: asgjësimi i tjetrit Ndjenjat janë në bazë të çdo diskutimi të vështirë, por rrallë verbalizohen: ose sepse mendohet se janë jashtë vendit, ose sepse ekziston frika e të bërit i cenueshëm. Pavarësisht përpjekjes për t’i ndrydhur, ndjenjat ndikojnë në sjellje dhe e gjallërojnë personin në mënyrë destruktive: bëhet sarkastik, zemërohet, inatoset… Laurës, për shembull, përballë miqve i ka ardhur turp të kthejë përgjigje. Por e pohon ndenjën e saj: “Më erdhi turp!”, por duke iu hakërryer Tomit: “Deshe të më poshtërosh!”. Kështu spostohet thelbi i problemit nga ndjenjat te qëllimi i hamendësuar i partnerit. Dhe keqkuptimi është i pashmangshëm.

Zgjidhja: të shprehesh pa gjykuar Mënyra e vetme për të shmangur keqkuptimin është t’i tregosh emocionet në mënyrë konstruktive. Është më mirë të shprehesh duke thënë: “Ndjej…”, sesa të flasësh në mënyrë të paqartë. Në rastin e parë, i jep bashkëbiseduesit mundësinë për të kuptuar. Në të dytin, e bën të vuajë dhe të jetë sulmues. Kështu vazhdon. Kur Tomi thotë: “Bëhesh qesharake kur zemërohesh për gjëra të tilla”, e shton zemërimin e Laurës. Më mirë do të ishte të thoshte: “Më ndihmo të kuptoj arsyen e zemërimit tënd…”

3. Niveli i tretë: Imazhi dhe identiteti Çfarë imazhi po krijuan për mua? Edhe ky diskutim ka të bëjë me identitetin: Laura nuk do të bëjë figurën e çupëlinës përpara miqve. Tomi nuk do të marrë përsipër gjëra që nuk i takojnë. Është e nënkuptueshme që të dy janë duke pyetur veten për përshtypjen që lënë: jam i denjë për të qenë i dashuruar? Që të dy tremben se mos humbin vlerësimin e atyre që i rrethojnë, por sidomos vetëvlerësimin.

Gabimi: sindroma e “gjithçka ose asgjë” Përgjigjja e tjetrit shkakton debatin: A sillet Laura si një çupëlinë? A ka kërkuar Tomi ta poshtërojë? Vështirësia qëndron në menaxhimin e reaksionit pa rënë në sindromën e “gjithçka ose asgjë”. Pra, ose nuk e lejoj të më thotë diçka para të tjerëve, ose humb vlerësimin te vetja. Ose, i gjithë faji i tij/saj, asnjë faj i imi… sipas këndvështrimit të gjithsecilit.

Zgjidhja: merrni përgjegjësitë vetjake Tomi dhe Laura mund të marrin përsipër përgjegjësitë vetjake pa u turpëruar. “Është e vërtetë, duke pirë cigare kam dështuar në forcën e vullnetit”, mund të thoshte Laura. “Duke të goditur para të tjerëve, desha të të demaskoja…”, mund të pranojë Tomi. Guximi me të cilin secili merr pjesën e vet të përgjegjësisë, është një ftesë që edhe tjetri të jetë po aq i sinqertë. Nuk mund të mbetesh te defektet e tjetrit (“kërkon gjithnjë sherrin”. “Nuk i vë re kurrë gabimet e tua”) nëse do të rinjohësh mundësinë për të ndryshuar. Nëse gjithsecili pranon të marrë përsipër përgjegjësitë e veta, është e mundur të arrihet bashkërisht në kapërcimin e pjesës më të madhe të vështirësive.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top