3 pyetje për pediatren Edwige Antier
Dhuna midis vëllezërve dhe motrave, a mund të lërë gjurmë?
Edwige Antier: Marrëdhëniet motra vëllezër, shpeshherë përfundojnë në situata të rënda psikologjike për secilin prej tyre, pavarësisht faktit se ata janë vetë prodhues të një marrëdhënie tensionuese. Këto lloj marrëdhëniesh është e mundur që të na plagosin, të na frikësojnë dhe të mos kemi besim te vëllai apo motra jonë edhe në moshë të rritur, pse jo, dhe deri në fund të jetës. Këtu mund të trajtojmë rastin kur një grua është e keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj dhe nëse pikërisht ajo është dhunuar edhe nga vëllai i saj më i madh kur kanë qenë fëmijë, ndodh që cilësia e marrëdhënies së tyre të përkeqësohet dhe në moshën e rritur. I keqtrajtuari ashtu si keqtrajtuesi do të veprojnë përgjatë jetës në të njëjtën mënyrë si kanë jetuar në vogëli.
Çfarë është një “luftë normale” midis motrave dhe vëllezërve?
E.A: Në përgjithësi, fëmijët e fillojnë luftën mes tyre kur janë ende të vegjël për të tërhequr vëmendjen e prindërve. Fëmija nga natyra, sidomos në vogëli, është egoist dhe teksa sheh që diçka nuk i ofrohet njësoj si vëllait apo motrës tjetër, fillon xhelozia dhe urrejtja për të. Këtu duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një marrëdhënie jo vetëm midis vëllezërve e motrave, por veçanërisht midis fëmijës dhe prindërve të tij. Prindërit nuk duhet të lejojnë shfaqjen e grindjeve të ashpra midis fëmijëve. Në të tilla situata, tensioni rritet dhe padashur edhe prindërit bëhen pjesë e një dhune që ushtrohet mes vëllezërve në familje, duke bërtitur, kritikuar e ndëshkuar. Në këtë mënyrë ju do të kultivoni ndjenjën e dhunës si një mënyrë komunikimi midis tyre. Për të shmangur këtë, ndajini fëmijët nga njëri-tjetri që secili të ndihet i lirë të bëjë e të ketë atë që dëshiron. Kështu, ju vendosni kufijtë që mësohen qysh në moshë të vogël dhe që shërbejnë për të respektuar motrën apo vëllanë edhe në moshë të rritur.
Kush mund të quhet një “luftë vëllazërore” që dëmton marrëdhënien?
E.A: Për aq kohë sa dominimi i një fëmije te një tjetër vazhdon të jetë edhe në vitet në vazhdim, sa ka dhunë verbale të pajustifikueshme midis tyre, marrëdhënia midis vëllezërve dhe motrave që janë rritur në një atmosferë të tillë familjare do të jetë gjithnjë e më e dhunshme dhe e pabazuar në principet e jetës. Në të gjitha rastet, roli i prindërve është shumë i rëndësishëm për të kultivuar dashurinë, respektin dhe pranimin e të kundërtave midis vëllezërve, edhe kur ata janë të ndryshëm në shumë aspekte të jetës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.