Mirëqenie

June 5, 2016 | 10:31

Të gatuash me zemër

Ajo është zonja që braktisi Parisin për Tiranën, vetëm për çështje pasioni… për t’i dhënë emër mjeshtërisë së saj në artin e kuzhinës, që tashmë prej disa vitesh është bërë mjaft e njohur në kryeqytetin shqiptar.

Marie Thérèse Marchal

Për të rrëfyer pasionin e pashtershëm dhe dëshirën për të gatuar në çdo kohë e vend, ka të ngjarë që Marisë t’i duhet një natë e gjatë dimri… sepse ajo e ka me shumë dëshirë këtë pjesë. “Për mua pasion do të thotë të gatuash me zemër. Kënaqem kur gatuaj për të tjerët, më shumë sesa për vete. Dua që shijet e zotësinë time në kuzhinë ta ndaj me të tjerë, për të marrë vlerësimet e tyre. E shoh me vëmendje pjatën në fund, nëse aty nuk mbetet asnjë thërrime do të thotë që misionin e kam kryer me sukses. Përgjithësisht ia dal mbanë. Përgatis gjëra të shijshme dhe krejt të veçanta”, thotë Marie Thérese Marchal për revistën “Psikologji”. Nuk i pëlqen që e njohin vetëm në një drejtim: si mjeshtren e ëmbëlsirave, pasi thekson se gatuan shumë mirë edhe receta të kripura, siç janë sallatat, mishi apo tavat e ndryshme. Me gatimin është e lidhur po aq shumë sa edhe me fëmijët, bashkëshortin dhe jetën që e rrethon. Është pjesë e përditshmërisë së saj, por jo detyrë: sepse është grua dhe duhet të gatuajë. Jo! Për Marie Marchal, pasioni është ai që bën diferencën, për të pasur rezultate të dëshiruara. “Unë gatuaj çdo gjë, në çdo orë e ditë. Nuk kam dallime. Bota e gatimit më duket se më shkëput nga ato mërzitjet apo problemet e ditës. Ndodh që t’i bie Tiranës përqark e të mos gjej një ingredient të caktuar, e kjo më mërzit shumë, sepse pjata apo produkti nuk del ai që duhet. Dhe menjëherë, për të çliruar energjitë negative nga vetja, rend tek kuzhina, bëj brumëra, ëmbëlsira, sallatat, përqendrohem dhe e marr seriozisht çdo proces, dhe më ngjan sikur e gjithë kjo ma heq si me dorë mërzitjen apo lodhjen e përditshme. Një arsye më shumë pse e dua gatimin”, vijon Marie Thérèse Marchal. I pëlqen rregulli në çdo gjë që bën, e kjo më shumë reflektohet në këndin e kuzhinës. Vendos gjithnjë përparësen e bardhë, dorashkat e furrës kur janë të nevojshme. Kërkon me çdo kusht pastërtinë, gati është maniake në drejtim të kësaj. “Kam shumë dëshirë të ftoj miq në shtëpinë time, të shtroj dreka e darka për ta… dhe përveç pastërtisë dhe rregullit në shtëpi, gatimi është ajo pjesë që e bëj me qejf, përvesh mëngët dhe përgatis receta të shijshme. Dhe kur më komplimentojnë në fund, për mua nuk ka vlerësim më të madh”. Në kuzhinë i pëlqen të ndihet franceze, sepse e tillë është! Të jetuarit për vite të tëra në Shqipëri, nuk ka mundur ta ndryshojë origjinën e Marisë, apo lidhjen që ajo ka me çdo gjë franceze… por nuk ka mundur t’i bëjë bisht kuriozitetit për traditën shqiptare dhe mënyrën e të gatuarit të gjërave (shpesh me shumë yndyrë dhe të ngarkuara me kalori, sipas saj). “Më pëlqen tava e dheut tiranse. Nuk ka gatim më të shijshëm për mua. Jam munduar edhe ta gatuaj vetë, por nuk ia kam dalë dot plotësisht. Tashmë jam dorëzuar, më tepër më pëlqen ta shijoj sesa ta përgatis vetë”, shprehet Marie Marchal. Po ana estetike? Maria thotë: “Gatimin, më së pari, e ha syri, pastaj goja”. Çdo gjë duhet të serviret mbi tryezë në momentin që ulesh për të ngrënë një vakt. “Kujdesem për të gjitha imtësitë, apo detajet e padukshme. Nuk dua që tryezës t’i mungojë asgjë për asnjë arsye. I jap rëndësi gjithçkaje. Gotat, lugët, pirunjtë, pecetat… çdo gjë duhet të jetë përpara syve dhe të të shoqërojë gjatë të shijuarit të pjatës”, përfundon ajo.

Psikologji Shkurt 2011

2

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top