Në fokus

August 5, 2016 | 6:00

Të gjitha femrat janë të bukura!

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Dua ta nis këtë shkrim me shprehjen: Të gjitha femrat janë të bukura, sepse kanë brenda vetes instinktin e nënës, kanë dhuratën më të bukur të natyrës që të përjetojnë brenda tyre rritjen e një krijese të re të lidhur me shpirtin e tyre. Këtë mrekulli natyra ia ka dhuruar femrës! Lexojmë përditë se si duhet të vishemi, si të vendosim make up, si të tërheqim meshkujt, por askush nuk na mëson në media se si të jemi të bukura brenda shpirtit. Në ditët e sotme paska rëndësi vetëm aparenca? Duhet të jesh e gjatë, elegante, me taka të larta dhe kështu ti takohesh me një mashkull të denjë që të martohesh. E nëse je elegante dhe e fortë në karakter, atëherë ti detyrimisht nuk je e zgjuar, sepse “Zoti nuk t’i jep të gjitha”. Femrat e bukura janë vetëm për të “tërhequr meshkujt”, por nëse je e tillë dhe nuk flirton, del nga skemat e njerëzve dhe pastaj ti mënjanohesh dhe etiketohesh ndryshe, shikohesh si diçka e paarritshme dhe e frikshme. • Së fundmi kam paciente një vajzë 25 vjeçe, të shkolluar, shumë e aftë në punë, e rritur në një familje ku prindërit janë akoma të dashuruar me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha kjo vajzë është e gjatë, elegante dhe simpatike. Menjëherë lind pyetja se kur i ka të gjitha këto, përse vjen në terapi? Po vajza ka shpirt të bukur dhe vlera morale; problemi qëndron në marrëdhënie me meshkujt. Herën e fundit duke zbritur më pyeti: A mendon ti Fleura se do mund të gjej unë dikë që të krijoj familje? Ishte një pyetje shumë e sinqertë dhe e bukur. Dëshira për të krijuar familje në moshën 25 vjeçe është për t’u vlerësuar. Kjo vajzë i ka të gjitha, por nuk ka dashurinë (jam e sigurt që do tërheqë njeriun, i cili do dijë ta vlerësojë). Meshkujt me të cilët ka pasur marrëdhënie akoma e telefonojnë dhe e vlerësojnë, por gjithsesi ajo ka qenë shumë për “ata”, ndërsa “ai” i radhës nuk di ta vlerësojë mjaftueshëm. Kjo histori iu përsërit… • Një tjetër femër, adoleshente, ka shtuar peshë sepse e ëma vazhdon çdo ditë t’i thotë se i janë “trashur b…”, nuk di të vishet si femër, nuk ka sharm, nuk ka stil…, e fjalori vazhdon. Ajo është një adoleshente e mrekullueshme, e cila ka qëllimet e veta, di të ndiejë, do të luftojë për njerëzimin, e mbi gjithçka lufton për të drejtat e “të pambrojturve”. Ajo po e lufton paragjykimin në mënyrën jo të drejtë duke u shëndoshur, për t’i treguar nënës së saj dhe njerëzimit se “unë kështu dua të jem”. Lufton me imazhin perfekt që ka vendosur media duke i çuar deri në anoreksi dhe vdekje. Kur më pyesin se cilat janë problematikat kryesore të pacienteve femra, them se janë dhimbjet e shpirtit, pasionet për dashuri, frika nga të qenit vetëm, pa dikë që t’i dojë dhe të kujdeset për to. Të mos e nxijmë kaq shumë, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se njerëzit atraktivë kanë shanse më të mira se të tjerët kudo që të jenë. Studimet kanë treguar se bebet më të bukura mbahen më shumë në krahë dhe përkëdhelen më shumë nga edukatoret. Vajzat e bukura shihen si më të mira dhe nuk “bëjnë keq”, por nga ana tjetër nuk janë të afta për profesionalizëm. Çfarë duhet të bëjë një femër atraktive, ta përdorë apo jo sharmin e saj? Nëse po, paragjykohet se vetëm kështu i arrin gjërat në jetë; nëse nuk i kushton rëndësi pamjes seksuale, quhet jo e bukur. Paragjykimet dhe xhelozitë do vazhdojnë në mënyra nga më të ndryshmet, por nga studimet ka dalë se meshkujt i duan dhe i pëlqejnë femrat e tyre kur kanë vënë pak shëndet pas lindjes, sepse aty besoj se kuptojnë më shumë se asnjëherë tjetër vlerën e të qenit femër, se kjo femër tani është jo vetëm gruaja/partnerja e tyre, por edhe nëna e fëmijës së tyre. Të qenit femër është dhuratë dhe ky është fakt! Mbi të gjitha shpirti të bën të bukur, shpirti të bën atraktive, një femër që di të japë dashuri, përkujdesje, vëmendje, është dhe ngelet femra më e bukur deri në momentet e fundit të kësaj jete. Një femër me karmën e pastër rrezaton mirësi, bukuri, forcë, konfidencë së cilës pak njerëz mund t’i rezistojnë. Energjia e pastër është edhe më e fortë, kështu që meshkuj kujdes nga femra të tilla, që kanë shpirtin e bukur, se do bini preh e potencialit të tyre në cilatdo pozicione qofshi: menaxher, drejtor, dekan, bashkëshort, i dashur apo partner.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top