Psikofakt

June 15, 2017 | 10:09

Të gjithë jemi pak viktimistë

1

Ju shihni dikë – burrë apo grua, pak rëndësi ka – që kalon para jush duke ecur i kërrusur si të mbante një barrë të rëndë të padukshme, me një pamje midis mërzisë dhe dëshpërimit: ai psherëtin, pastaj ngre sytë drejt qiellit, ndërsa krahët i varen të plogët. Një psikolog(e) do të na thoshte se ka shumë gjasë që personi në fjalë të jetë një viktimist, d.m.th., na sqaron studiuesja franceze Ginette Plante, dikush që është viktimë e një skeme sjelljeje që krijon pengesa në marrëdhëniet e vërteta e të shëndetshme midis individëve.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Viktimizmi fillon së pari me një prirje vetëmallëngjyese, pra, për të të ardhur keq për veten; së dyti, personi në fjalë ndihet i pambrojtur në jetën e përditshme – çift, familje, punë e shoqëri – me bindjen se nuk i përket më vetvetes; së treti, ai vuan shumë, më shumë se të tjerët (për këtë është tejet i sigurt) dhe mendon se vuajtja është e vetmja mënyrë për atë që të ndihet njeri normal ngaqë ka lindur për të qenë detyrimisht viktimë në një botë të padrejtë, madje mizore. Rrjedhimisht, ai ankohet tërë kohën, kërkon me këmbëngulje që të tjerët t’ia qajnë hallin, por, njëkohësisht, na mëson Ginette Plante, kritikon të tjerët, ua hedh fajin atyre për gjendjen e tij të pashpresë, por të pamerituar, deri në atë pikë sa, paradoksalisht, kërkon medoemos praninë e përhershme të një apo
të disa “persekutorëve”, duke u kthyer kështu në një lloj psikovampiri.

Duke u nisur nga fakti, tashmë i pranuar botërisht, se personaliteti i njeriut nuk është monolitik, por përbëhet nga disa “nënpersonalitete”, Ginette Plante shpjegon se, në rastin tonë, “nënpersonaliteti është një model mbijetese që është krijuar kur na ka lindur nevoja për ta kapërcyer mosplotësimin e nevojave tona. Ai është i pranishëm dhe shfaqet, pa e marrë vesh ne, në trajtë konstelacionesh sjelljesh, ndjenjash ose mendimesh, të cilat janë kristalizuar për të na ndihmuar që t’u mbijetojmënevojave tona të paplotësuara”.

Duke u nisur nga aksioma e mirënjohur se “nga afër, askush nga ne nuk është normal”, duhet pranuar se te njeriu bashkëjeton normalja me anormalen, siç bashkëjeton e mira me të keqen, e bukura me të shëmtuarën, dashuria me urrejtjen, besnikëria me tradhtinë etj., etj., kështu që para se të flasim për viktimizmin e aksh personi dhe t’i qajmë atij hallin duke ia veshur përgjegjësinë mjedisit ku ai jeton e punon, le të shohim pak më thellë te vetja, te ndërgjegjja jonë: A nuk sillemi edhe ne, madje jo rrallëherë, si viktimistë në jetën tonë të përditshme? A nuk na përshtatet edhe neve analiza që studiuesja Ginette Plante, si edhe shumë psikologë e psikiatër të tjerë, u bën viktimistëve? Le ta pranojmë, pra, me kurajë intelektuale se çdonjëri prej nesh, në periudha të caktuara të jetës së tij, priret, kush më shumë e kush më pak, të ketë sjellje viktimiste dhe kjo për arsye nga më të ndryshmet, madje në të gjitha rrafshet: familjar, ku viktimizmi prek më shumë gratë e fëmijët, profesional, ku ai kërcënon më shumë vartësit, dhe shoqëror, ku ai zgjedh pakicat deri më sot të diskriminuara, si edhe shtresat më në nevojë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top