Në fokus

November 16, 2019 | 8:02

Të gjykosh tjetrin njëlloj si të gjykosh veten

Të kritikosh tjetrin është aftësia për t’i “veshur” atij të metat apo cilësitë që nuk pranojmë t’i njohim te vetja. Një mënyrë për të larguar tutje gjërat që na shqetësojnë. Intervistë me Psikanalistin , Norbert Chatillon.

1Nga vjen dëshira për të gjykuar në mënyrë sistematike?

Të gjykosh, është të evidentosh e të bësh dallime. Të identifikosh kush je dhe kush është tjetri, sa ngjajmë e sa të ndryshëm jemi. Gjykimi në vetvete është aq i rëndësishëm dhe natyral, sa edhe vetë frymëmarrja. Përmes gjykimit ne përmbushim një nga funksionet më të gjalla të psikikës sonë.

Pse disa njerëz “abuzojnë” me këtë funksion psikik?

Që në momentin kur ndryshimi im me tjetrin apo ngjashmëria ime me të më shqetëson, më turbullon, më bën të ndihem keq dhe prek identitetin tim, unë padyshim do të mbrohem. Mbrojtja më e mirë për disa mbetet sulmi!

Përse një ngjashmëri apo një ndryshim midis nesh mund të na shqetësojë kaq shumë?

Qeniet njerëzore përballen me atë që Jungu e quan: “pjesa jonë e errët”. Bëhet fjalë për ato që ne na vjen keq t’i njohim; frikërat tona, dhunën tonë, lëndimet tona, dobësitë apo ankthet. Gjithashtu edhe faktorët pozitivë, që për motive analize i refuzojmë që janë tonat. Është kjo pjesë e errët e jona që na jep mundësinë t’u atribuojmë të tjerëve cilësi apo poshtërsi që ne nuk mundemi t’i rrëfejmë, dhe kjo realizohet përmes një mekanizmi mbrojtës.

Atëherë, kë gjykojmë kur gjykojmë?

Veten! Të gjykosh tjetrin është si të gjykosh veten. Në këtë mënyrë ju thoni më shumë gjëra për veten, sesa për të tjerët. Dikush që nuk punon shumë i lejon vetes të justifikojë punën e tepërt të të tjerëve si të paarsyeshme. Është një mekanizëm identifikimi shumë i thjeshtë: Tjetri vepron ose mendon gabim, ai është ndryshe nga unë, kështu që unë veproj dhe mendoj mirë… Ndërkohë që: tjetri mendon dhe vepron mirë, ai është njësoj si unë, kështu që mendoj dhe veproj mirë si ai… Ky është një shembull tipik i gjykimit të tjetrit dhe i padukshëm për veten.

Përse të mbështetemi në këto marrëveshje të vogla me veten?

Sepse është e dhimbshme të pranojmë dobësitë që kemi. Për shembull: mikja juaj gjykon në terma negativë mënyrën se si e motra kujdesej për fëmijët. Padyshim, ajo ka frikë që të veprojë gabim dhe në këtë mënyrë ka nevojë të sigurohet duke gjykuar të tjerët, në këtë rast të motrën. Për një arsye të vetme. Duke gjykuar mamanë, dikush shmang pyetjen ankthioze për veten: A jam një nënë e mirë? Të pranosh që tjetri është i aftë të realizojë gjërat mirë dhe drejt është e vështirë. Në të kundërt, të gjykosh që tjetri vepron njësoj si ty është dhënie sigurie dhe force.

Përse disa njerëz kanë nevojë të jenë të sigurt, ndryshe nga disa të tjerë?

Çdo njeri ka nevojë të pohojë se ekziston. Por disa prej nesh, të cilët kanë një vetëvlerësim të ulët, mungesë pavarësie, përgjegjshmërie dhe ndryshueshmëri nga të tjerët, gjejnë mënyra të shtrembra për të mbijetuar. Duke qenë në luftë me të tjerët. Është si një luftë e ashpër për të pranuar identitetin, të cilin e kanë të vështirë ta pranojnë thellë brenda vetes.

Atëherë na mbetet të mendojmë se ata që nuk gjykojnë, janë më të sigurt në vetvete?

Çdokush nga ne gjykon, kalon kohën duke gjykuar, që nga lindja e deri në fund të jetës. Për mua, nuk ka njerëz që nuk gjykojnë. Nga ana tjetër ka njerëz që i shmangen gjykimit, nga frika se mund të jenë të gjykuar, të papëlqyer apo pre e konflikteve të rënda. Ai që pohon se nuk ka dëshirë të gjykojë të tjerët, në realitet gjykon më shumë. Të dyja palët kanë vështirësi t’i japin vlerën e vërtetë gjykimit, i cili nuk është asgjë tjetër veçse një mendim, një fakt.

Përse mëkatojmë, me qëllim apo pavetëdije?

Është historia personale e çdokujt. Është padyshim një etje për drejtësi, një mënyrë për të riparuar plagët e fëmijërisë dhe për të përmbushur mangësitë. Zgjedhjet që ne bëjmë përgjatë jetës nuk janë të lidhura detyrimisht me të kaluarën, por me mënyrën se si e kaluara reagon tek ne në të tashmen.

Si të mos jemi të paaftë për gjykimet tona?

Në fakt, duhet një punë e madhe me veten për të parë më qartë organizimin kompleks të gjykimeve tona, të kuptojmë mekanizmat dhe pjesën tonë të errët e shumë të brendshme. Ajo që na takon të bëjmë është të jemi vigjilentë. Të kuptojmë e të jemi të vetëdijshëm për pjesën tonë të errët e të fshehtësive përballë të tjerëve. E rëndësishme është që të kuptojmë e të ndërgjegjësohemi për realitetin. Për aq kohë sa ka jetë, ka edhe gjykime.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top