Marrëdhënie

April 22, 2016 | 8:35

Të jesh fëmija i fundit në familje/ Eriona Gjyzeli: “Më kanë mësuar të jem e përgjegjshme”

Eriona Gjyzeli

Soprano Lirike

 Ajo është fëmija i fundit në familjen Gjyzeli. E treta, pas dy motrash më të mëdha. Si e tillë ka qenë dhe vazhdon të jetë më e privilegjuara. Është rritur me dashurinë e katër personave më të mëdhenj dhe po të njëjtën ndjesi merr edhe sot. Të qenit më e vogla i ka dhënë shansin të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe të përftojë vlerat më të mira. Për Erionën, sopranon lirike të Teatrit Kombëtar të Operës, jo vetëm përkëdhelitë, por edhe qortimet i kanë shërbyer të bëjë zgjedhje të rëndësishme në jetë. Në këtë zinxhir të gjatë të formimit dhe daljes në jetë si artiste, ka mësuar prej familjarëve të saj të  jetë e përgjegjshme për të papriturat që sjell jeta, një shtyllë e fortë ku ajo ka ditur ta mbrojë veten dhe pse jo të gjendet aty ku është sot.

Në rrëfimin e saj, Eriona Gjyzeli thotë se avantazhet i të qenit fëmija i fundit, për të kanë anuar gjithnjë nga kahu pozitiv. Ka përftuar mjaft gjëra të mira, që nga këshillat me urtësi, drejtimi në rrugën e dijes, motivimin, ndjenjën e konkurrencës, të marrë vendimet e duhura dhe sigurisht, shumë dashuri. “Do të preferoja të më quanin motra e vogël. Për mua do të thotë shumë dashuri, përkujdesje, vëmendje… Nuk di dhe sa fjalë të tjera mund t’i shtoja kësaj liste. Si e tillë ka vetëm të mira dhe asnjë të keqe, të paktën për mua. Prindërit, sikundër motrat e mia më të mëdha, Bardha, e para dhe Mira, e dyta, nuk më kanë lënë qoftë edhe një çast vetëm. Fëmijëria ka qenë e bukur, e mbushur me dashuri, plot përkujdesje dhe lojëra të shumta. Jam rritur me përrallat që ato më tregonin. Më kanë bërë të ndjehem gjithnjë princeshë e këtyre historive. Pastaj nisi shkolla, ku më shoqëronin dhe më ndiqnin vazhdimisht mbi ecurinë time atje. Interesoheshin shumë për mua dhe bënin gjithçka t’u kërkohej. Po kështu dhe në lice apo në universitet. Nuk më kanë penguar. Përkundrazi më kanë mbështetur dhe stimuluar drejt dijeve në mënyrë që të bëhesha ajo që jam sot. Modeli që më kanë dhënë më ka shërbyer ta gjej veten mjaft mirë, e të jem e fortë në hapat që bëj. Të  rritesh me dashurinë e personave më të mëdhenj se ty, çdo ditë e më shumë, më kanë bërë të kuptoj se jeta është dhurata më e bukur. Kanë qenë pikërisht përkëdheljet e tyre që më kanë mbajtur larg nga gjërat e ashpra, nga episodet e shëmtuara. Ata kanë krijuar tek unë një mbështjellëse mbrojtëse që edhe kur kam pasur gjëra jo fort të këndshme rreth vetes, apo kur kam hasur ndonjë vështirësi sado e vogël ka qenë, ma kanë minimizuar. Në ndjehem e përkëdhelur? S’besoj të ketë ndonjë njësi matëse për përkëdheljet që kam marrë e që vazhdoj të marr edhe pse jam në një moshë të pjekur. Pse të gënjej, ndjehem shumë e përkëdhelur”.

Ka bërë udhë të gjatë për të pasur personalitetin që ka sot. Falë prindërve dhe motrave të saj, ka fituar Erionën mirënjohëse dhe të përgjegjshme për zgjedhjet që duhet të bëjë. Të jetë sopranoja e kërkuar si një nga zërat lirikë më të pëlqyer në vend dhe jashtë kufijve. Që nga fëmijëria e deri sot, i është dashur të përballet me sfida, temperamente të ndryshme njerëzish, burokraci apo konkurrenca e madhe në profesionin që ka zgjedhur. “Të gjithë fëmijët kanë nevojë për vëmendje dhe kujdes e jo vetëm ata më të vegjlit. Për prindërit fëmijët mbeten gjithnjë të tillë edhe kur rriten. Mua nuk më ka munguar absolutisht asgjë, qoftë në planin material, qoftë në atë emocional. Qoftë kur kam qenë fëmijë, qoftë tani që jam e rritur, nuk jam ndjerë kurrë e varur. Të rritesha mes dashurisë dhe përkujdesjes së prindërve dhe motrave të mia, mënyrës së sjelljes mes nesh, nuk e kam ndjerë diçka të tillë. Në familjen tonë secili ka hapësirën e tij që nuk shkelet në asnjë mënyrë nga pjesëtari tjetër. E them këtë sepse edhe kur dikush nga ne ka pasur një problem, këtë e kemi diskutuar së bashku por përfundimi ka qenë: Ky është mendimi ynë, vendimin duhet ta marrësh ti vetë. Sigurisht që nuk jemi të pagabueshëm dhe gjatë jetës sime siç më kanë përkëdhelur edhe ma kanë tërhequr vëmendjen për diçka të bërë jo si duhet. Them se ata më kanë mësuar të mbyll në kohë punët që më janë ngarkuar dhe të marr vendimet e duhura për Erionën. Mësimi më i mirë dhe motoja e jetës sime është: të jem e përgjegjshme për çka bëj.

Dy motrat e mia, Bardhën dhe Mirën i dua po aq shumë sa më duan edhe ato mua, por secila nga ne ka një personalitet të vetin. Ne kemi një marrëdhënie shumë të veçantë mes nesh. Fjala “Motra jemi, shoqe s’jemi” tek ne është ndryshe. Kemi një harmoni për ta pasur zili. Kam mësuar prej tyre shumë gjëra. Nga Bardha kam buzëqeshjen e ëmbël e të butë edhe në çaste jo të këndshme, kam mësuar të ruaj qetësinë kur të tjerët ulërijnë për diçka që nuk u shkon. Nga Mira kam mësuar t’i shkoj gjërave të mia deri në fund edhe kur ato janë të vështira e nuk ta bëjnë të lehtë jetën. Një gjë kemi të përbashkët: të tregohemi të matura e t’i peshojmë mirë gjërat përpara se të marrim një vendim.

 

Jetëshkrimi

Me një karrierë të suksesshme, e cila ka nisur që gjatë viteve të studimit, Eriona Gjyzeli, pretendon të këndojë në skenat më të mëdha operistike. E skalitur si “soprano lirike”, Eriona Gjyzeli ka rendur drejt më të mirëve. Për ta përligjur të gjithë ambicien e saj, ajo ka arritur të marrë çmim të parë, ndërmjet 19 konkurrentëve të tjerë, në edicionin VI të festivalit operistik “Marie Kraja”. Por gara nuk ka ndalur këtu. Si pjesë e arsimimit të saj rreshtohet Liceu Artistik ”Jordan Misja” në Tiranë, “Akademia e Arteve të Bukura”, Kanto, po në Tiranë, por dhe dy specializime të njëpasnjëshme në Vjenë. Në nëntor të 1999 starton si pjesëmarrëse në festivalin e romancave “Tonin Arapi”, ndërsa në vitet 2000 dhe 2001 përkatësisht ka dhënë dy koncertet e para recitale. Në nëntor të vitit 2002 vjen dhe koncert i saj i tretë recital, me veprën e plotë muzikë dhome “Dichterliebe” të Schumanit. Ndërsa në prill 2003, Eriona Gjyzeli është dhe fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar për instrumentistë e këngëtarë lirikë “Pjetër Gaci”.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top